Nga Kasem Seferi
Këto ditë Ministri i Drejtësisë Zoti Petrit Vasili, në një takim në Fier me fermerët, vuri në dukje një dukuri negative të keqpërdorimit të pronës mbi tokën bujqësore, ndërkohë që Ministri i Bujqësisë, Zoti Panariti do të vinte në dukje “sukseset” e bujqësisë shqiptare.
Nga Zoti Vasili u përdor një shifër prej 50 mijë vende pune nëse tokat do të punoheshin dhe për rrjedhojë, ndoshta vitin që vjen Zoti Panariti do të rriste numrin e “sukseseve”.
Kësaj, or tunjatjeta, qytetearët i thonë propaganda.
Në Perëndim ku duam të shkojmë të integrohemi, është vërtetuar se ka qenë natyra e ligjit dhe besueshmëria te sistemi përkatës ligjor, ato që kanë pasur ndikim direkt mbi performancën ekonomike duke provuar se vendet që posedojnë sisteme ligjorë të pavarur, të besueshëm dhe, relativisht, të çliruar nga korrupsioni, priren të tregojnë rritje më të madhe ekonomike, më pak inflacion dhe nivele më të larta punësimi.
Sikundër vihet re, marrëdhëniet ndërmjet sistemit ligjor dhe ekonomisë janë një lidhje dyfishe.
Madje sugjerohet se sistemet ligjorë më të mirë promovojnë efiçencën dhe rritjen ekonomike.
Ndërkohë është roli i legjislaturës dhe i gjykatave që mbështet tregun e lirë, duke i lënë qeverisë të luajë një rol të kufizuar, por të rëndësishëm për të çuar përpara barazinë para ligjit, rishpërndarjen e pasurisë, pushtetin dhe mbrojtjen e grupeve të veçantë nga shfrytëzimi.
Sistemi ligjor dhe gjyqësor në një ekonomi të orientuar te tregu duhet të vendosë praktika standarte të ndërveprimit ekonomiko – shoqëror, të vendosë praktika të ndërveprimit ndërmjet sektorit publik dhe privat, t’i detyrojë këto praktika me masa shtrënguese nëpërmjet gjykatave dhe të zgjidhë konfliktet midis individëve dhe grupeve.
Çfarë kemi pasur deri tani si rezultat?
Njerëz që janë thinjur nëpër dyert e gjykatave, vendime mbi vendime, tjetërsime të pronësisë mbi tokën, e plotë shembuj të shëmtuar, pa harruar jetë të humbura nga vulëhumburi 7501.
Pra, ligji ekonomik në kuptimin e pronësisë mbi tokën është adaptuar varfërisht në ekonominë e vendit, konflikti i pritshmërive që duhet të bashkëpunonin ka qenë pothuajse i pamundur dhe, kësisoj, kanë bërë të mundur që mosmarrëveshjet t‘i konsumonin burimet pa produktin e duhur.
Në të kundërtën, në qoftë se ligji ekonomik mbi pronësinë do të ishte adaptuar mirë në ekonominë e vendit, atëherë pronarët do të bashkëpunonin me njëri – tjetrin, do të harmonizonin pritshmëritë e tyre dhe do t‘i përdornin burimet në mënyrën më të mirë dhe më krijuese.
Por, kur institucionet publike janë difektoze dhe kushtet politike të paqëndrueshme, organizimet/përgatitjet kontraktore private bëhen me më shumë risk dhe ndikojnë negativisht investimin privat.
Si shembull, kemi gjendjen aktuale të huadhënies në ekonomi, rritjen e huave me probleme, etj
Ligji është një detyrim i mbështetur që mbështete nga një ndëshkim prej shtetit, për të ndikuar sjelljen e qytetarëve, për arsye se ndëshkimit, pronarët i përgjigjen ndëshkimit pa aq sa çmimit.
Çfarë do të mendonte një qeveri e ardhshme në lidhje me ndëshkimin për ata që nuk e punojnë tokën bujqësore?!
Por, ligji nuk është thjesht një standart teknikalitetesh, por një mjet i fuqishëm për të zgjidhur probleme sociale.
Operimi i sistemit ekonomik në Shqipëri do të lehtësohej shumë në qoftë se kushtet do të mund të gjendeshin ndërmjet garancive kushtetuese, të cilave duhet t‘u bindet kultura ligjore e vendit.
Dhe këto kushte janë: garancia e pronës private, liria e kontratës, sinkronizimi i kontrollit dhe përgjegjësisë/detyrimit, pritshmëria e politikës ekonomike, sigurimi i qendrueshmërisë së monedhës dhe hyrja e lirë në tregje.
Nga këndvështrimi ligjor, pronësia nuk është gjë tjetër veçse një tufë të drejtash, që përshkruajnë ato veprime që mund dhe nuk mund të bëjnë njerëzit me burimet që ata zotërojnë, ose shkalla me të cilën ata mund të posedojnë, përdorin, zhvillojnë, përmirësojnë, transformojnë, konsumojnë, shterojnë, shkatërrojnë, shesin, dhurojnë, lenë trashëgim, transferojnë, lenë peng, japin me qira financiare, huazojnë, dhe/ose përjashtojnë të tjerët nga pronësia e tyre.
A është pronësia mbi tokën bujqësore, për shembull, në këtë kuptim një tufë e garantuar të drejtash?!
Rreth kësaj tufe të të drejtave, që përbëjnë marrëdhëniet e pronësisë, themelore në të kuptuarit të pronësisë janë dy fakte.
Fakti i parë, pronari duhet të jetë i lirë të ushtrojë të drejtat mbi pronësinë e saj/tij, me të cilat kuptohet se ligji nuk e ndalon, ose i kërkon pronarit t’i ushtrojë këto të drejta
Fakti i dytë, të tjerë të tretë të ndalohen të ndërhyjnë në ushtrimin e të drejtave të tij.
Koncepti ligjor i pronësisë, për një tufë të drejtash mbi burimet, është ai që pronari të jetë i lirë t’i ushtrojë këto të drejta dhe ushtrimi i tyre të mbrohet nga ndërhyrja e të tjerëve të tretë dhe, në këtë mënyrë, pronësia të krijojë një zonë që është në gjendje t’i ruajë punët e pronarit jashtë syrit dhe veshëve të botës.
Por, a e kanë pronarët e tokës bujqësore mundësinë të ushtrojnë vullnetin e tyre pa u dhënë llogari të tjerëve?!
Tufa alternative e të drejtave mbi pronën krijon nxitës për t’i përdorur burimet në mënyrë efiçente dhe, një përdorim efiçent i burimeve, maksimizon pasurinë e një kombi.
Duke marrë si shembull tufën e të drejtave mbi pronësisnë mbi tokën bujqësore, përvojën dhe shëmbujt e ndryshëm nga praktika e sistemit gjyqësore, opinionin lidhur me nivelin e lartë të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, mendoj se reforma në drejtësi nuk fillon nga njerëzit por nga sistemi politik.
Vetëm ndarja e pushteteve dhe zbatimi praktik pa lëshime i parimit kontrollo dhe balanco, mund të sjellë reformë të vërtetë në drejtësi. Në një vend ku notohet në një det korrupsioni dhe veprimtarish të paligjshme, reforma në drejtësi përpos të qenit propagandë, mbetet një ëndërr në sirtar.
Kasem Seferi – ekonomist