Nga Jeta Katro
Një mori individësh e përfaqësuesish të grupimeve të ndryshme sociale, politike, akademike e mediatike janë rrokur të interpretojnë me fakte reale apo fallco, dakortësi apo kontraversitet, cinizëm, shpoti dhe skepticizëm zhvillimet politike të vrullshme dhe intensive të kohëve të fundit. Me analiza, reagime, polle, parashikime, hezitime e komente pa fund, ata gjithsesi nuk kanë mundur të ofrojnë perceptime të qarta për të kuptuar realisht atë cka po ndodh apo do të ndodhë më pas.
Sigurisht nuk i shoh me naivitet dhe as të shkëputura zhvillimet nga konteksti global e rajonal. Radikalizmi i të djathtës i shfaqur sot në politikë në shumë vënde të rajonit por dhe në botë, tashmë ka zënë rrënjë edhe tek ne, madje hera herës i shfaqur agresiv e me kërcënime deri në absurd. Në mënyrë të ngjashme, edhe natyra e të majtës ka ndryshuar. Grupet e të majtës, që për një kohë të gjatë janë përfaqësuar me më shumë zëra të ndryshëm brënda tyre kanë ndryshuar. Ata kanë krijuar po ashtu një profil të ri. Janë pikërisht këto ndryshime që sollën marrëveshjen e 17 majit për të cilën aq shumë është diskutuar e po debatohet, e që rishtazi përforcuan kultin dhe rolin e individit, paçka se të përfolur si kurrë më parë.
Marrëveshja e 17 Majit ndërmjet dy forcave më të mëdha politike kundërshtare në vënd na kujton historitë e vëndeve të rajonit edhe pse tashmë në një kontekst më të ri zhvillimesh politike e elektorale si ato të sotme në Europë, SHBA apo Ballkan. Kujtoj këtu Spanjën që i dha autonomi të konsiderueshme rajonit bask, apo dhe Qeverinë Britanike që vendosi të mbulojë shpenzimet e zhvillimit në Irlandën e Veriut ndërsa hartonte marrëveshjen politike që siguronte të drejtat e katolikëve. Janë marrëveshje nga ku shohim të përfitojnë komunitetet.
Ndryshe nga ato, kjo e 17 majit mbetet konfuze e me shumë të panjohura. Aq më pak parashikohet se çfarë benfitesh do t’i sjellë ajo komunitetit, ndërkohë që aq shumë flitet për atë ç’ka përfiton oligarkia e politikës. Duke patur parasysh etapat nëpër të cilat u desh të arrihej marrëveshja, gjërësisht u kuptua se te ne p.sh radikalët nuk i duan reformat politike të llojit të vetingut, që duhet pranuar se është mjaft i cunguar në formën e prezantuar. Por kjo s’ka lidhje me refuzimin e radikalëve, pavarësisht lojrave të fjalëve të tyre. Opinioni publik është plotësisht i qartë se ku qëndron thembra e Akilit në esencën dhe synimet e kësaj reforme.
Ndërkohë, pala tjetër tregon gatishmëri për të pranuar kërkesat, madje deri në absurd të kësaj opozite radikale, që synon të shfrytëzojë maksimalisht ç’do hapësirë të mundëshme në favor të saj (ndoshta dhe vetëm të lidershipit të saj), po jo në favor të pozitës. Për më keq akoma kur raportimet e shtypit bëjnë fjalë për përzgjedhje jo të duhura të kandidaturave në listat elektorale nga të dy palët, që krijoi shqetësim në opinionin publik e komunitar si pasojë e kompromentimit të vullnetit të lidershipit në procesin e rekrutimit të kandidatëve të parlamentit të ardhshëm.
Gjithsesi, konfuziteti arriti deri aty sa suksesi i kësaj marrëveshje, sipas komentatorëve që kalojnë në ilaritet të jetë i rendësishëm për gjurmët që do të lerë në historinë e vëndit lidershipi i së majtës. Sidoqoftë, numrat e parashikuar për rezultatet zgjedhore apo dhe zemërimi ndaj kultit të lidershipit impulsiv dhe inatçor të dy grupimeve më të mëdha politike na japin vetëm një pjesë të panoramës të ngjarjeve aktuale, dhe nuk zbulojnë tërësisht kërcënimin real të asaj me të cilën do të na duhet të përballemi.
Është pikërisht ky kërcënim ajo çka në shumicë bien në dakortësi të angazhuarit në këtë fushatë të stuhishme debatesh, që pavarësisht si i parashikojnë rezultatet e zgjedhjeve, problemet sipas tyre do të shfaqen më shpejt se ç’mendohet. Dhe kjo nis me fushatën elektorale, që edhe pse më pak se 1 muaj larg datës të votimit, akoma nuk ka nisur të shpalosë programet elektorale të partive poliitke që do të duhej të ndiqeshin nga debati publik e të gëzonin besimin kolektiv, tashmë tejet të lëkundur ndaj politikës aktuale.
Në një vënd normal (nuk di nëse ky i yni mund të quhet i tillë), programi elektoral dhe debati publik njihen si elementë esencialë të fushatave elektorale. Ndërsa programi elektoral konsiderohet guida e qeverisjes post zgjedhore, debati ose diskutimi publik është ai që orienton zgjedhësit për ku ta drejtojnë votën e tyre. Edhe pse tashmë pothuaj e kemi humbur besimin kolektiv, ashtu sikundër shumë të tjerë besoj në egzistencën e kontigjentit që nuk është thjesht militant i verbër, e që mbi interesat e partive politike dhe mirëqënies të oligarkisë së tyre, të vendosë interesat për mirëqënien e familjes dhe komunitetit. Sikundër dhe besoj në domosdoshmërinë e kërkesës së tyre për standarde që janë në favor të individit dhe komunitetit. E ndërsa interesaxhinjtë e politikës merren me ‘e lagu se lagu’, këtij kontigjenti do t’i duhet të shpërndajë mjegullnajën që e ka topitur deri në dremitje, e të mendojë për mënyrat efikase të veprimtarisë të tij.
Tek e mendojmë dhe më thellë, kujtohemi se përfundimet zgjedhore janë praktikisht fare afër afateve kohore të miratimit të buxheteve, që zakonisht ndodhin në fundvitin kalendarik.
Koha ikën me shpejt sa e mendojmë. Kjo do të thotë se programet dhe buxhetet do të duhet të përputhen, e kjo mund të ndodhë për programet e mëdha, sidomos atyre që janë në favor të kombit, e indirekt dhe të individit.
Por cfarë do të ndodhë me planet dhe programet që lidhen drejtëpërdrejtë me individin dhe komunitetin? A do të shkojë p.sh buxheti financiar në një linjë me nevojat e familjeve në vështirësi, fëmijëve e të rinjve, personave me aftësi të kufizuar etj. etj.? A do të preken në mënyrë disproporcionale gratë apo shtresa të tjera të popullatës që konsiderohen vulnerabël nga buxhetet e planifikuara dhe miratuara? E kemi parë të ndodhë. Shkurtimi i buxhetit të barrëlindjes p.sh të gjithë e dimë se nuk preku thjesht gratë, por dhe vetë interesat e kombit. Vetëm dy dekada më parë njiheshim si ndër kombet me moshë më të re në Europë.
Mungesa e stimujve inkurajues për lindjet, të konsidruara me kaq seriozitet e bujari nga vëndet perëndimore të zhvilluara si p.sh Franca, do ta plaknin shumë më shpejt kombin tonë duke na humbur dhe atë pak gjë me të cilën mund të krenoheshim.
Po me taksat dhe administrimin e tyre, apo dhe çmimet që shkojnë në përpjestim tejet të zhdrejtë me të ardhurat e masës së gjërë çfarë do të ndodhë? Po me reformën në shëndetësi, siguracionet shëndetësore, kërkimet që përmirësojnë kualitetin e shërbimit shëndetësor dhe të drejtat e njeriut, apo mbështetjen e tyre financiare parë dhe në këndvështrimin e problematikës që prezantojnë në bazë gjinie, çfarë do të ndodhë? Për më tepër, siguracionet shëndetësore që janë sensitive dhe aktualisht tejet problematike, në mënyrë të veçantë për grup moshën e tretë, nuk kanë të bëjnë thjesht me të drejtat e njeriut. Ato janë benifite të përfituara kryesisht nga kontributet apo investimet e vetë njerëzve për gjatë viteve të punës. Dhe si të tilla duhen trajtuar. Shqipëria që rrembimthi po shkon drejt moshimit, nuk mund të ketë luksin për premtime me shpenzime “luksoze” siç rëndom janë servirur në fushatat elektorale nga forcat politike për grup moshën e tretë, e që për më të thjeshtën arësye janë të pa realizueshme për shkak të limiteve të moshës së tyre.
Programet që sjellin ndryshimet e mëdha kërkojnë diskutim mbarë kombëtar, si dhe kohën e duhur për t’u sqaruar e miratuar nga opinion publik. Kjo jo vetëm sepse realizimi i tyre shoqërohet me fatura financiare të mëdha e të menjëherëshme, por dhe sepse kërkojnë përmbajtje institucionale për të patur efektet e duhura. Përpos, procesi i nevoitur për realizimin e tyre kërkon standardet, te cilat dhe i kemi miratuar si anëtarë te institucioneve ndërkombëtare ku aderojmë.
Sigurisht gjithnjë egziston një hendek natyror ndërmjet asaj që forcat politike premtojnë në fushatë dhe asaj që realizojnë gjatë kohës që janë në detyrë. Ajo që ndodh por jo habit është se askush nuk mban përgjegjësi për mosrealizime, që veçse shoqërohen me justifikime pa fund. Madje as nuk flitet për llogaridhënie me pretendimin se kanë bërë më të mirën e mundëshme, ndërkohë që zërat ndryshe vazhdojnë të jenë tepër të dobët e të përçarë. Ndoshta, jo gjithnjë ka zgjidhje sidomos për probleme të cituara si më sipër, por gjithsesi ka menaxhim të mirë të tyre, që tek ne përgjithësisht nuk ka ndodhur.
Por përgjegjësia nuk është vetëm e politikës, është dhe e jona që lejuam t’a kthejmë humbjen e besimit individual në atë kolektiv. Që nuk ditëm të organizohemi jashtë influencës politike mbi çështjet tona , e cila i shfrytëzoi ato si kauza të saj. Ndoshta jemi akoma në kohë për t’i dhënë një mësim politikës me votën tonë. Por jo si amatorë apo mercenarë të politikës. Por duke gjykuar mbi programet vërtetë të realizueshme nga ku perfitojmë të gjithë, e që sjellin standarde ekonomike në favorin tonë.
Nëse të realizuara, ato do të vetëshkatërrojnë dhe makinerinë gërryese të korrupsionit që na ka shoqëruar në rritje përgjatë 27 viteve të tranzicionit.
Dilema e sotme është: A do mund t’i japim formatin e kthesës këtyre zgjedhjeve? Kjo tashmë është kthyer në një përgjegjësi kolektive prandaj dhe nuk mund të qëndrojmë indiferent. Ndoshta ka ardhur dhe koha që brënda kontekstit të bashkëegzistencës globale e rajonale të shohim paksa dhe interesat tona.