Home KRYESORE Rusi, denonconte korrupsionin, plumb pas koke gazetarit

Rusi, denonconte korrupsionin, plumb pas koke gazetarit

Kryeredaktori i një gazete në qytetin siberian Minusinsk ka mbetur i vrarë në një atentat, që autoritetet mendojnë se ka lidhje me punën e tij.

Dmitry Popkov, 42 vjeç, ishte kryeredaktor i gazetës “Ton-M”, motoja e së cilës ishte: “Ne shkruajmë për atë që të tjerët heshtin”. Trupi i tij u gjet në oborrin mbrapa shtëpisë së tij, në orët e mbrëmjes, i qëlluar me disa plumba.

Thuhet se ai kishte pasur mysafirë, të cilët ndodheshin brenda shtëpisë në momentin e krimit dhe kanë deklaruar për hetuesit se kishin dëgjuar zhurma që u ngjanin të shtënave me silenciator.

“Hetimi ynë mbi këtë vrasje është fokusuar në disa pista, përfshirë atë të aktiviteteve profesionale të viktimës”, ka deklaruar një zyrtar i policisë vendase.

Popkov bashkëthemeloi “Ton-M” në vitin 2014 dhe njihej për shkrimet e tij investigative për abuzimin me pushtetin dhe korrupsionin, si dhe për kritikat ndaj partisë Rusia e Bashkuar, aktualisht në pushtet.

Përpara kësaj detyre, Popkov mbante një post të profilit mesatar në Këshillin Bashkiak të qytetit Minusinsk, por u shkarkua nga detyra pasi u akuzua për rrahjen e një adoleshenti të paralizuar, një akuzë që ai e cilësonte një pretekst për ta lëvizur nga posti. /360grade.al

Share: