Home KRYESORE Sekretet që nuk dini/ Mësuesja e Macron, dashuria që s’njohu moshë

Sekretet që nuk dini/ Mësuesja e Macron, dashuria që s’njohu moshë

«Brigitte! Brigitte! Brigitte!» – po bërtiste turma ndërsa ajo po dilte në skenë me burrin e saj, presidentin e ri francez, Emmanuel Macron. Por, kush është zonja e parë e re Francës? Ja çfarë shkruan në një analizë nga BBC.

E para e punës që duhet të merret vesh: Lidhja e tyre nuk është e zakonshme. Kjo frazë është nxjerrë prej vetë fjalëve të zotit Macron në ditën e tyre të dasmës: Se ata nuk janë «çift i zakonshëm, çift jo fort i natyrshëm – edhe pse ky mbiemër nuk është se më pëlqen shumë – por jemi çift që ekziston».

Ka 24 vjet diferencë moshe ndërmjet çiftit – si puna e Donald Trumpit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Melanian. Çifti, ai 39 e ajo 64 vjeçe, u takuan kur ajo ishte mësiuese e tij e dramës.

Pesëmbëdhjetëvjeçari Emmanuel ishte nxënës i shquar në të gjitha pikëpamjet për moshën. Ishte nxënës në shkollën private jezuite në Amiens, ku, siç bëri të ditur më vonë ajo, ai «kishte raporte të barabarta me të rriturit e tjerë», në vend se të merrej e fliste me gjëra të moshës prej adoleshenti.

Lindur si Brigitte Trogneux, trashëgimtarja e një kompanie çokollatash të njohura, mësimdhënësja e dramës ishte martuar më Andre Auzieren atëherë dhe kishin tre fëmijë.

Prindërit e Emmanuelit e morën vesh se ai kishte rënë në dashuri, por nuk kishin informacion se kush ishte femra e adhuruar prej tij.

Dhe në vend të kësaj, siç shkruan biografia Anne Fulda, menduan se ia kishte marrë mendjen Laurence Auziere, një vajzë në klasën e tij. Por në fakt ai kishte rënë në dashuri kokë e këmbë me nënën e shoqes.

Dhe kur e morën vesh prindërit, vazhdon rrëfimi, i kërkuan mësueses t’i qëndronte larg të birit të tyre derisa t’i mbushte tetëmbëdhjetë vjeç. «Nuk mund t’ju premtoj kurrgjë», ia kishe kthyer Brigitte.

Dhe kur mbushi 17 vjeç, Emmanueli i tha tani gruas së tij se do te martoheshin një ditë. Kjo ndodhi një dekadë më vonë, në 2007.

Tani nëna e zotit Macron ka theksuar se e sheh Brigitten «më shumë si mikeshë», se si nuse të të birit.

Dhe Laurence është bërë një prej përkrahësve më të vendosura të njerkut, duke u shfaqur edhe në tubimet e tij në Paris. Një tjetër fëmijë i gruas, Tiphanie, 32 vjeçe, është avokate që punoi në fushatën e Macronit.

Anëtarët e familjes ishin në skenë me Macronët kur ata festuan fitoren pas rezultateve të balotazhit të së dielës mbrëma në Louvre në Paris.

Presidenti i ri ka tre fëmijë të gruas, dhe shtatë nipa e mbesa që janë të tyret.

Zonja Macron dha dorëheqje prej mësuesisë pasi burri i saj u bë ministër Ekonomie, dhe u bë këshilltarja e tij më e besueshme.

Asaj i njihet merita për ndikimin në pikëpamjet e tij për rolin e grave në politikë. Ai është zotuar se gjysma e kandidateve që do të garojnë për lëvizjen «En Marche» («Përpara») në zgjedhjet parlamentare në mes të qershorit do të jenë femra.

Macroni ka deklaruar se dëshiron të zyrtarizojë rolin e zonjës së parë. Gjatë një interviste për «Vanity Fair» muajin e kaluar, ai ka theksuar: «Nëse zgjidhem, jo, më falni, kur të zgjidhemi – ajo do të jetë aty me rolin dhe vendin e duhur».

Si ish-mësimdhënëse, ajo mund të luajë rol të rëndësishëm në ndihmë rinisë. Ende nuk dihet se çfarë detyra do të marrë me saktësi.

Zoti Macron ka propozuar që roli i saj të mos shoqërohet me pagë. «Ajo do të jetë aktive, do të shfaqet në publik, do të jetë e zëshme, do të ketë opinion. Do ta ketë në krah timin, siç ka bërë gjithnjë, por gjithnjë do të ketë rol publik».

Disa karikatura franceze me shaka në kurriz të saj e përshkruajnë zotin Macron si student që flet me instruksione të saj. Dhe rivalja e tij, Marine Le Pen, përdori me maturi një frazë me gjemba për rrënjët e lidhjes së tyre.

Duke mbajtur sytë ulur në letrat para vetes, ajo buzëqeshi me vetëkënaqësi dhe tha: «Zoti Macron, e shoh se po mundohesh ta luash mësimdhënësin me nxënësen me mua. Por me mua nuk të shkon».

Megjithatë zonja Macron ka treguar se mund të qeshe me dashamirësi për punën e dallimit të moshës. Ajo citohet në një libër të ketë thënë: «Ai është mirë të garojë më 2017, sepse deri më 2022, fytyra ime do të jetë problemi i tij». /360grade.al

Share: