Shumëkush ka mbetur i habitur kur kryeministri Edi Rama i tha jo paketës McAllister, të pranuar tashmë nga opozita, si kusht për të hyrë në zgjedhje. Për shumë javë me radhë, Rama, nuk kishte lënë vend e kuvend të katundit të tij politik, pa i drejtuar lutje Partisë Demokratike që t’u jepte votuesve të saj shansin për të zgjedhur. Ai kishte bërë thirrje që të dëgjohej zëri i partnerëve ndërkombëtarë, që të dëgjoheshin propozimet e ardhura nga Brukseli, që të pranohej paketa McAllister me kusht të vetëm votimin e menjëhershëm të vetingut, etj.
Deri dy ditë më parë, të paktë ishin ata që dyshonin se Rama donte të shkonte i vetëm në zgjedhje. Edhe deklaratat e tij se një opozitë e re do të lindtte, se zgjedhjet do të njiheshin nga komuniteti ndërkombëtar, se vendet bosh në Kuvend do të ziheshin nga flamuj të tjerë opozitarë, se PD do të shkonte drejt vetëshkatërrimit, më shumë lexoheshin si presion për t’a detyruar palën tjetër të merrte pjesë në proces se sa një dëshirë e fshehtë për të erdoganizuar Shqipërinë. Më tepër se një pushtet absolut de jure, Ramës i nevojitej një fasadë demokratike për të mbuluar pushtetin absolut de facto, që ai e kishte dhe priste t’a rikonfirmonte.
Bojkoti i opozitës me kusht kokën e Ramës, përbënte pikërisht nxjerrjen zbuluar të farsës zgjedhore që pritej të luhej dhe e vendoste kryeministrin thjesht përballë qytetarëve, pa i dhënë mundësinë të matej me një opozitë jashtë sistemit. Duke e ditur se zgjedhjet nuk do t’i përcaktonin disa arnime teknike, por makineria e rëndë e pushtetit (në ingranazhet e të cilës lëviznin grupimet e fuqishme financiare, mediat e kontrolluara, paratë e drogës dhe grupe të caktuara kriminale), Rama do të pranonte çdo paketë që linte jashtë kokën e tij. Makinerinë e komandonte ai, dhe kështu, lëshimi i disa ministrave, një muaj shtyrje e zgjedhjeve, kreu i KQZ apo ndryshimi i drejtuesve të policisë, nuk e preknin strategjinë e tij për të kontrolluar votat e nevojshme.
Po atëherë përse Rama nuk e pranon një zgjidhje për të cilën deri dje tregohej i duruar deri në përulësi, duke pritur në një dhomë demode të Pallatit të Kongreseve përgjigjen e Lulzim Bashës?
Pavarësisht parashikimeve se në fund Edi Rama do të detyrohet t’a pranojë propozimin e SHBA, jo-ja e tij e derisotme, mund të ketë disa shpjegime. Në radhë të parë ato lidhen me faktin se, pas refuzimit të paketës McAllister, pas djegies së afateve ligjore për regjistrimin e opozitës, pas deklaratës së fortë të komisionerit Hahn, pas garancive të Berlinit dhe ambasadorit Lu se zgjedhjet do të njiheshin edhe pa pjesmarrjen e PD, Edi Rama u josh dhe ndoshta u bind se rruga drejt një pushteti njëngjyrësh nuk përbënte një tabu.
Ai nisi fushatën e tij duke synuar jo më futjen e PD në zgjedhje, por pjesmarrjen sa më të lartë për t’i dhënë legjitimitet moral fitores së tij pa konkurrentë. Në çdo dalje publike, Rama nuk u drejtohej më socialistëve, por demokratëve duke i ftuar të votonin për të, të bënin zgjedhjen e tyre me pjesmarrje dhe jo duke ndjekur aventurën e një grushti njerëzish të mbledhur në çadër nga frika e vetingut. Këtë të fundit gjithashtu e shndërroi në kalin e tij të betejës elektorale dhe, në mungesë të bilanceve pozitive të qeverisë, u bëri thirrje qytetarëve të hakmerreshin kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, duke votuar për Reformatorin e Madh dhe jo për ata që nuk e donin reformën në drejtësi.
Rama hartoi dhe dorëzoi në KQZ lista mjaft sfiduese, duke e renditur veten në fund të kandidatëve të Vlorës apo numrin dy të PS, Gramoz Ruçin, të nëntin në listën e Fierit, i bindur se pa opozitën fitorja me 99.9 përqind ishte një lojë fëmijësh. E po ashtu edhe konkurrimi pa koalicion parazgjedhor me LSI dhe PDIU, u bë një fakt që nuk i krijonte aspak shqetësim, përkundrazi.
Nga ana tjetër, kjo fitore e parashkruar, më shumë se vullnet i tij, do të paraqitej nga njëra anë si pasojë e bojkotit të opozitës, të dënuar tashmë nga Perëndimi dhe frikës nga vetingu, e nga ana tjetër si një detyrim ndaj misionit të shenjtë, të lënë amanet nga Skënderbeu dhe Ismail Qemali, për t’a bërë Shqipërinë pjesë të familjes europiane.
Një “po” e opozitës, e dhënë në kushtet e presionit të SHBA, tërheqja e saj nga kërkesa maksimale dhe futja në zgjedhje, e kanë detyruar sot Edi Ramën, në mos të refuzojë definitivisht, të paktën të fitojë kohë për të pranuar atë që deri dje thoshte se mezi e priste. Sigurisht që nuk e ka të lehtë. Duke filluar që nga zëvendësimi i kalit të vetingut, që pas pranimit të opozitës, ka rënë në fushëbetejën e retorikës së kryeministrit, e deri tek listat e kandidatëve. Ramës do t’i duhet të rikonceptojë një tjetër strategji, ku çadra, frika e reformës në drejtësi, izolimi ndërkombëtar, janë zhvlerësuar si fjalë magjike që hapnin pa mundim derën e fitores. Atij gjithashtu do t’i duhet të bëjë llogaritë me aleatët e tij, të cilët duke dalë vetëm në zgjedhje, nesër përbëjnë një kërcënim për numrat mbështetës të qeverisë së re.
Vonesa e pranimit të marrëveshjes nga Rama, lidhet gjithashtu edhe me neutralizimin e ndonjë përshëndetje entusiaste nga faktori ndërkombëtar për opozitën, që do ta vendoste këtë të fundit në pozita krejt të ndryshme nga ato që kryeministri prej disa muajsh propagandon nëpër Shqipëri. Vonesa është pra një përpjekje për t’i hequr opozitës ndjenjën e triumfit tek votuesit dhe njëkohësisht për të luajtur me nervat e saj, me shpresë që në fund Rama të mos jetë ai që dorëzohet, por ai që fal.
Megjithatë, sigurisht që do të thotë “po”. Koha i duhet për të ribërë llogaritë e tij politike brenda sistemit, të cilin opozita nuk pati forcën ta godasë deri në fund ./Mapo/