Home KRYESORE Shqipëria, rajoni dhe globalizmi

Shqipëria, rajoni dhe globalizmi

Nga Kasem Seferi

Gjendja e tanishme gjeopolitike në Ballkan, hamendjet, analizat, opinionet, sugjerimet dhe gjithçka tjetër që lidhet me gjendjen e tanishme dhe prirjet e mundshme, të çojnë vetëm në një përfundim, që ngre pyetjet që vijojnë:

Çfarë ka ndodhur?

Çfarë po ndodh?

Çfarë do të ndodhë?

Pra, kërkohen disa “përse”, që të shpjegojnë origjinën e dukurive që kanë ndodhur, që po ndodhin dhe, natyrisht, që mund të ndodhin.

Sipas të gjitha fakteve dhe dëshmive, bota para vitit 1914 dukej se po ecte në mënyrë të pakthyeshme drejt niveleve më të larta të civilizimit dhe të kulturës njerëzore, sepse shoqëria njërëzore dukej e predispozuar për t’u korigjuar dhe për t’u bërë më e përkryer.

Në shekullin e 19 – të tregtia e skllevërve kishte marrë fund. Në rajonet e botës së “civilizuar”, përveç Luftës Civile në SHBA dhe luftës së shkurtër franko – prusiane, që nga koha e luftërave napoleoniane e këtej nuk pati ndonjë luftë tjetër.

Ndërkohë, u shtua shumë numri i zbulimeve dhe i inovacioneve, ndërtimi i hekurudhave, prodhimi i telefonit dhe linjave telefonike, i energjisë elektrike, i automjeteve dhe shumë e shumë përmirësimeve të tjera të jetës së përditëshme.

Me pak fjalë, mbizotëronte ndjenja e përgjithshme e përparimit universal dhe të pandalshëm

Për civilizimin dhe kulturën njerëzore, Lufta e Parë Botërore ishte shumë shkatërruese, madje më shkatërruese se dhe Lufta e Dytë Botërore, sepse nga ana fizike i tejkaloi të gjitha katastrofat e mëdha që kishte njohur njerëzimi.

Mbi të gjitha Lufta e Parë Botërore shkatërroi idenë e një të ardhmje të shkëlqyer të njerëzimit.

Pas Luftës së Dytë Botërore çdo ekonomi e veçantë, u rrit dhe e ngriti, relativisht, nivelin jetësor të qytetarëve të saj, nëpërmjet specializimit dhe të përfshirjes së saj në sistemin e ndarjes shoqërore të punës/talenteve, gjë e cila ndodhi në shkallë botërore.

Globalizimi, përhapja e specializimit dhe ndarja shoqërore e punës/talentit përtej kufijve kombëtare kanë qenë dhe mbeten faktorët kyç në zhvillimet e historisë ekonomike të botës.

Por, historia ka treguar se globalizimi mund të bëjë hapa prapa, duke bërë të mundur të humbasin shumë nga arritjet historike të çerekshekullit të 20 – të, kur SHBA – të, pas Luftës së Dytë Botërore, i rrëzuan pengesat tregtare dhe mëjanuan pasojat katastrofike të vitit 1929 e më pas.

Ngadalësimi i pashmangshëm i proçesit të globalizimit, do të mund të ulte zhvillimin botëror dhe do të minimizonte pranimin e gjerë të sistemit kapitalist.

Njerëzit, që përshtaten shpejt me nivelet më të larta të jetesës, po të jetë se ngadalësohet përparimi, fillojnë të kërkojnë interpretime dhe udhëheqje të reja, veçanërisht, në kushtet kur Kina, India, Brazili, etj, ekonomitë e tregut të të cilëve sollën zhvillime të vrullshëm, bënë të mundur krijimin e aleancave të reja.

Në dhjetëvjeçarët e fundit liberalizimi i tregtisë solli heqjen në një masë të madhe të barrierave për lëvizjen e kapitaleve dhe të shërbimeve, por bisedimet tregtare në raundin e Dohas në vitin 2006, treguan se çdo lloj përparimi i mëtejshëm në këtë drejtim do të arrihej më me vështirësi.

Duke qenë se pjesa më e madhe e përvojës botërore nuk ka shembuj pararendës, ka qenë e vështirë të përcaktohej dhe sa kohë do vazhdonte dinamizmi i globalizimit.

Pas Luftës së Dytë Botërore gjallërimi ekonomik u bë i mundur kur u pranua gjerësisht se katastrofa e Krizës së Madhe u shkaktua kryesisht nga proteksionizmi, që u vendos fill pas Luftës së Parë Botërore dhe që përfaqësonte një pjellë të viteve të Krizës së Madhe.

Në saj të liberalizimit të tregjeve, shtimit të inovacioneve dhe uljes së pengesave tregtare dhe investimeve, në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të 20 – të dhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit 21, më saktë deri në vitin 2007 kur shpërtheu kriza financiare dhe ekonomike globale, tregtia ndërkombëtare u zgjerua me ritme shumë më të larta se PBB – ja.

Por, si rezultat i kësaj, pjesa më e madhe e vendeve iu ekspozuan presionit të konkurrencës ndërkombëtare.

Deri ne mesin e viteve 90 – të disekuilibret e mëdha dhe të vazhdueshme të bilanceve tregtare ishin të rralla.

Pikërisht në periudhën e viteve 90 – të filloi të zhvillohet globalizimi i tregjeve të kapitaleve, duke shkaktuar uljen e kostos së financimeve dhe duke rritur kështu në të gjithë botën nivelet e gjendjes së kapitalit real, pra, motorrit lëvizës të produktivitetit.

Shumë kursimtarë, të cilët kishin tendencën, ose ishin të detyruar që t’i investonin kursimet e tyre brenda kufijve të vendit të tyre, filluan të kërkojnë alternativa më të mira investimi në vendet e tjera.

Përparimi i vazhdueshëm i tregjeve financiare globale, në mënyrë të konsiderueshme, përmirësoi fitimprurjen e investimit të kursimeve në të gjithë botën dhe kjo në mënyrë indirekte kontribuoi në rritjen e produktivitetit në gjithë botën.

Ritmi i shpejtë i globalizimit të tregtisë, më tepër se çdo gjë tjetër, shoqërohet nga globalizimi i sistemit financiar, që duhej të ishte i aftë për të drejtuar kursimet botërore në financimin e atyre investimeve që do të prodhonin më shumë ato mallra dhe ato shërbime që do të vlerësoheshin më tepër nga konsumatorët.

Fitimprurjet anormale në një treg thellësisht të parregulluar, në përgjithësi, shprehin në fakt ekzistencën e disa keqfunksionimeve në vlerësimin e veprimtarisë investuese të përdorimit të kursimeve botërore.

Rregullat e huadhënies dhe të tërheqjes së depozitave duhej të hartoheshin me një kujdes shumë të madh, në mënyrë që të ulej në minimum rreziku moral, që në mënyrë të pashmangshme mund të rridhte prej tyre.

Ekonomisti Barry Eichengreen dhe shkencëtari politolog David Leblang, në studimet e bëra në fund të vitit 2006, gjetën “të dhëna që vërtetojnë (për 130 vjet që nga 1870 dhe deri në vitin 2000) lidhjet pozitive reciproke ndërmjet globalizimit dhe demokracisë.”.

Ata gjetën se “tregtia e lirë stimulon demokracinë, por edhe demokracitë janë më të prirura përsa i përket heqjes së kontrolleve mbi lëvizjen e kapitaleve.

Perspektivat e ditëve të sotme janë krejt të ndryshme nga ato të një shekulli e ca më parë, pak më të harmonizuara me realitetin.

Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, nuk është gjë tjetër veçse një lëvizje që përfshihet në proçesin e globalizimit.

Sikundër shihet, edhe në kontekstin e rajonit dhe të Shqipërisë, lufta për të arritur një nivel më të lartë të demokracisë, nuk mund të jetë e shkëputur nga prirja e përgjithshme botërore.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: