Home KRYESORE Shqiptarët, skamorët e Europës vërdallë si vallja e dervishëve

Shqiptarët, skamorët e Europës vërdallë si vallja e dervishëve

Nga Azem Parllaku

Indikatori më i mirë i shpërfaqjes së një fryme janë “revoltat” popullore. Një frymë ndryshe mbretëroi në Shqipëri kur, Edi Rama shpalli platformën e tij politike Rilindje, dhe në vitin e fundit kur, Lulzim Basha njoftoi se, është koha për Republikën e Re. Sot shtrohet pyetja: a rezultuan si prurje dhe si zgjidhje këto lëvizje të promovuara si të një fryme vërtetë të re, apo janë vetëm riciklim i një morali të vjetër?

Para se të sjellë argumentet për hipotezën në fjalë, duhet ritheksuar se deri më tani kemi pasur dy “frymë subjektive” që janë ricikluar në pafundësi për të mbajtur gjallë paradigmën deri tani ekzistuese: fryma subjektive e përfaqësuesve të Rilindjes dhe fryma subjektive opozitare. E para është vetëricikluar për ta mbajtur gjallë hegjemoninë mbi votuesin shqiptar, kurse e dyta, përmes rropatjeve dhe rravgimeve ekzibicioniste, ka riprodhuar vetëm mirazhin e Frymës ose imazhin e saj të rremë.

Fryma subjektive e ricikluar e qeverisë ka qenë totalitare dhe ka etabluar vetëm një dimension të dialektikës, atë të pushtetarit zotëri dhe atë qytetarit skllav. Megjithatë 25 qershori është afër dhe kriza politike që trashëguam kurrësesi nuk duhet të jetë një betejë e thjeshtë midis partive për të ardhur në pushtet. Qytetarët të lodhur nga retorikat e politikanëve, liderë të lagjes më të varfër të Europës, të cilët sillen si shpikës së lirisë dhe të votimit të ndershëm, teksa ne shqiptarët, kemi vite që vijmë vërdallë, si vallja e dervishëve duke u bërë turpi i Europës, duhet të zgjedhin fundin e një politike të korruptuar.

Një qeveri më e mirë për shqiptarët do të thotë edhe një proçes i vettingut, i cili do t’i pastronte politikanët të parët, pastaj të gjithë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi gjyqësor i vendit. Pra, një proçes që do të privonte nga liria një pjesë të konsiderueshme të funksionarëve qeveritarë atyre të djeshëm dhe këtyre të sotëm, gjykatësve dhe biznesmenëve, duke u’a konfiskuar pasurinë e arritur nëpërmjet vjedhjeve dhe ryshfetit. Në të kundërtën, korrupsioni do ta shkatërrojë Shqipërinë, njëlloj si kanceri një organizëm njerëzor.

Parafushata e tanishme po e shpërfaqë sindromin e fushatave të mëparëshme. Të përzgjedhurit e kryetarëve, janë listuar njëlloj si dikur. Ata, kanë nisur të kuvendojnë e djersiten njëlloj, bërtasin gënjeshtra e mashtrime dhe militantët e simpatizuesit e punësuar i shpërblejnë me duartrokitje e brohoritje. Ka disa punë që i bën, i ka bërë, di ti bëjë, dhe gjithë jetën do ti bëjë më mirë e majta thotë Rama, në ndërkohë Basha thotë punët e mira i bën e djathta.

Ashtu siç janë ca punë, që kanë qënë e mbeten eskluzive për Ilir Metën, thotë Monika. Shqipëria e shqiptarët i kanë provuar. I jemi afruar dekadës së tretë, dhe ende ecim me një këmbë, ndërsa bota vrapon, ne “ulok”, mbetemi mbrapa dhe po kaq anash botës. Edi Rama çirret për Rilindjen dhe të majtën, por, ka bërë nja dy sheshe dhe rrugët për shqiptarët ende janë monopate dhishë. Mburret se ishte në të njejtën sallë me Trump-in, por, “ushtria popullore” e Kodhelit ngjet njejtë me gavetë, çeta grashë vullnetare, oficerë e kapterë që mendjen e kanë tek “tavlla” hallva dhe pilafi i kazanit.

Provojmë të bëjmë arsim, dije, shkencë, po a bëhet shkolla me njërën hemisferë të trurit? Prodhojmë një klonim akademik-intelektualësh me gjysëm truri që i ngjason surrogatos që i prodhon. Të njejtët do të ulen në parlamentin e ri, për të na gënjyer se po punojnë që shqiptarët do të jenë më të begatë, por pas katër vitesh, prapë do t’a gjejmë veten skamorët unik të Europës.”Vendëthit e mi, ndalni pushtetarët, pritjuani fjalën, hiqjuani mikrofonin, qysh ditën e parë të punës”, shkruante publicisti dhe intelektuali emigrant Zef Zefi para disa ditësh.

Në fund të fundit deputetët i zgjedhim dhe i ngarkojmë për të bërë vetëm ca punë për ca kohë 1300 ditë po ua mbajti, pastaj shohim, pastaj i thirrim dhe u japim fjalën, mikrofonin, edhe medaljen, po e gjykuam ne.Por tek puna pa mikrofon, pa qendër zëri, fotoselfie, pa gazetë, pa ligjerime e retorika. Në vend të ketyre çikërrimave, të marrin vetëm “torbën e bukës”. Ashtu si ne që punojmë. Ata që ne zgjedhim për punë, kushtetuta nuk e shkruan askund se janë të majtë apo të djathtë, ulokë, apo handikapë, por të vizituar mirë dhe të aftë per punë, asnjë lëshim ndaj tyre.

E sidomos, per të na dhënë, apo shitur ndonjë pordhë desha të them mend. Mos e dhëntë zoti. Ata as nuk dinë sa ne, as nuk kanë për të ditur sa ne bashkë, sa urtësia jonë shekullore. Shqiptarë, mjaft duke menduar vetëm me njërën prej hemisferave, sepse po delirojmë siç kemi deliruar duke lehur kundër figurinave që ngjajnë me armiq. Figura që i prodhon truri ynë i sakatuar, ndërkohë jemi duke lënduar e masakruar veten.

Armiku është jo figurinë, po tjetërsend. Është ai që ka bërë ndërhyrjen, opreacionin në trurin tonë. E shikoni se sapo truri ynë hyn në një fazë momentale të funksionimit të vet të natyrshëm dy hemisferash siç zoti e ka dhënë, në të qindëtën e sekondës zbulojmë se armiku nuk është gjysma e vetes sonë?! Armiku është tjetërsend. Është ai “kirurgu” djalli që ka bërë ndërhyrjen në “kutinë e ndërgjegjes” tonë.

Share: