Home KRYESORE Shteti dhe demokracia direkte

Shteti dhe demokracia direkte

Pergatiti Kasem Seferi

Shënim:

Duhet të mësojmë nga bota dhe jo t’i japim mësime botës, pavarësisht se zgjuarsia nuk përkufizohet si e tillë nga origjina, niveli i zhvillimit politik, ekonomik dhe shoqëror. Kjo është arsyeja kryesore e shtjellimit të mëposhtëm studimor.

Sistemi parlamentar/kuvendar, si forma më e zakonshme e demokracive elektorale të botës, mbështet parimin bazë të qeverisjes së kufizuar dhe, abuzimin me pushtetin, e frenon me ndihmën e traditës, ecjes përpara/evoluimit të ligjit, mediave të pavarura dhe gjykatësve.

Në kohën e krizave politike dhe të mbrotjes kundër abuzimit me pushtetin, sistemi parlamentar, nuk ka krijuar hapësira, veçanërisht, që të luajë një rol stabilizues/të qëndrueshëm, ose ndërmjetës, shpesh, duke hedhur dyshimin e idesë kushtetuese se, pushteti dhe ligji (rregullat e miratuara nga përfaqësuesit e njerëzve) janë, kundrejt pushtetit. Mbi atë të çdo individi ose grupi.

Njerëzit që veprojnë në kufijtë e një sistemi të tillë politik kanë nxitës për ta shfrytëzuar atë për përparësitë e tyre dhe nuk është e nevojshme që të merret fare me mend se politikanët janë “të këqinj”, ose më të këqinj se sa njerëzit e tjerë, por ata priren (si çdokush tjetër) për oportunizëm/atë që u jep fati.

Ata përpiqen të çojnë më tej interesat e veta, që përbëhen nga pasuria materiale, gjithashtu njohja dhe prestigji në publik.

Tre janë veprimet kryesore që mund të përdorin politikanët në një demokraci për të siguruar përfitime në kurriz të qytetarëve:

(1) mund të marrin vendime duke ditur t’i shmangin ato nga paradëshirat e votuesve. Aktorët politikë mund të veprojnë kështu sepse ata kanë një ideologji për veten e tyre, ose sepse duke vepruar kështu ata përvetësojnë përparësi materiale dhe jo materiale. Për shembull, politikanët, hap pas hapi, paradëshirojnë ndërhyrjet direkte në ekonomi që, zakonisht, lejojnë që ata të përfitojnë pagesa shumë më të mëdha (për shembull, rasti i dhënies së koncensione);

(2) t’i sigurojnë vetes së tyre privilegje të gjëra në formën e të ardhurave direkte për veten e tyre ose partitë e tyre, pensione dhe përfitime të tjera në natyrë (për shembull, automjete, shtëpi, etj);

(3) shfrytëzimi i qytetarëve përfundimisht mund të marrë formën e korrupsionit (për shembull, pagesat direkte që marrin për shërbimet e veçanta që u sigurojnë atyre që i paguajnë, por jo të tjerëve, siç ishte rasti i deklaratës së Aleksandër Biberajt në emisionin “Shqip” se kryetarët egzistues të komunave kanë paguar për t’u rizgjedhur).

Politikanët kanë interes të përbashkët për të mbrojtur dhe, në qoftë se është e mundshme, t’i zgjeruar këto pagesa (një nxitës ky me qëllim që të formojnë kartelin e tyre kundër qytetarit të zakonshëm).

Por, në rastet kur përfshihet problemi i një të mire publike, politikani individual ka nxitës për të mos iu bindur kartelit në qoftë se një veprim i tillë shkon në favor të elektoratit.

Kartelet politike përfaqësojnë grupe politikanësh të lidhur, të ndarë nga pjesa tjetër e popullsisë, që, kryesisht, kanë takime me njëri – tjetrin dhe, mosmiratimi i veprimeve të atyre pak që guxojnë të thyejnë rregullat e kartelit, bartin kosto madhore mbi “dezertorët”.

Karteli administrohet nga liderët e partive dhe politikanët dezertues ndëshkohen shpejt dhe në mënyrë efektive me anë të kufizimit për të gëzuar të drejtën e pozicioneve zyrtare si për shembull, në komisione, në qeveri, etj, ose me anë të heqjes së mbështetjes politike nga partitë për të kandiduar.

Kështu që politikani individual detyrohet, ose të bëhet pjesë e kartelit sepse lidershipi i partisë ka shumë mjete në dispozicion për t’i kontrolluar ata, duke përfshirë këtu dhe dorëheqjen e detyruar, ose të ndëshkohet.

Të gjithë aktorët e përfshirë, veçanërisht, votuesit, janë shumë të vetëdijshëm se ka nxitës të fortë dhe kudo që politikanët formojnë një kartel që t’i shfrytëzojnë votuesit.

Për të kontrolluar veprime të tilla, përvoja e përparuar perëndimore sugjeron tre format e mëposhtme të institucioneve në kushtetutat demokratike:

 rregullat që ndalojnë përvetësimin (me tepri) të pagesave nga politikanët, më i rrepti prej tyre kundër korrupsionit. Dukshëm, rregulla të tilla janë efektive vetëm në qoftë se atyre nuk mund t’u shmangesh lehtësisht dhe në qoftë se ato janë me shumë detyrim. Të tilla kushte janë plotësisht të padobishme kundër tipit të shfrytëzimit (1) më lart, kryesisht devijimit sistematik nga preferencat e qytetarëve. Në lidhje me korrupsionin, vetëm rastet më flagrante janë zbuluar gjithnjë, prandaj, është konkluduar se rregulla të tilla janë me njëfarësoj përdorimi dhe, sigurisht, ato nuk janë në gjendje të parandalojnë shfrytëzimin e qytetarëve në çdo shkallë domethënëse;

 krijimi gjykatave të veçanta me detyrën e parandalimit të shfrytëzimit të qytetarëve. Të gjitha vendet demokratike njohin institucionet e gjykatave të llogarive, por mund të tregohet mirë se dhe ato e përmbushin rolin e tyre vetëm në një shkallë të vogël. Dukshëm, ato janë më pak efektive sepse varen direkt nga politikanët që supozohet se duhet t’i kontrollojnë ato. Në këtë kuptim, kjo nuk ndihmon shumë në qoftë se anëtarët e gjykatës së llogarive zgjidhen dhe duhet t’i japin llogari parlamentit. Madje gjykatat e llogarive, zyrtarisht të pavarura nga qeveria dhe parlamenti, kanë pak nxitës dhe mundësi për të kontrolluar shfrytëzimin e qytetarëve nga ata që kanë të drejtën e votës. Veçanërisht, kjo zbatohet për devijimin që u bëhet preferencave të qytetarëve. Gjykatat e llogarive duhet të fokusohen domosdoshmërisht mbi saktësinë zyrtare të sjelljes së politikanëve dhe të administratorëve. Kjo mund të priret të zgjerojë boshllëkun ndërmjet asaj çfarë sigurojnë politikanët dhe asaj çfarë dëshiron popullsia;

 konkurrenca ndërmjet partive është institucioni klasik në demokracitë përfaqësuese për t’i parandaluar politikanët nga ndjekja e qëllimeve të tyre në kurriz të popullsisë. Kushtetutat njohin mjete të ndryshme për të rritur konkurrencën dhe për ta bërë më të vështirë koalicionin ndërmjet politikanëve. Një është ndarja e pushtetit ndërmjet egzekutivit, legjislativit dhe degëve të pushtetit gjyqësor; tjetra është vendosja e dy dhomave të parlamentit. Për shkak të shumë tipave të ndërveprimeve që egzistojnë dhe fitimeve të përkufizuara mirë që parashikohen, këto mjete janë relativisht inefektive për të kontrolluar interesat e klasës politike.

Një mjet i rëndësishëm kushtetues për të stimuluar konkurrencën ndërmjet partive është lehtësimi i hyrjes së partive të reja në sistemin politik, sepse ndërkohë që, sigurisht, kjo forcon partitë e themeluara në një demokraci për t’u kujdesur më mirë për dëshirat e qytetarëve dhe për të qenë më të kujdesshëm në lidhje me privilegjet dhe korrupsionin, priret që efekti të jetë afatshkurtër.

Të porsaardhurit, shpejt, vërtetojnë se duhet të fitohen shumë përparësi nga tolerimi i kartelit të politikanëve dhe, madje, më shumë duke marrë pjesë në të.

Përvoja në shumë vende, si edhe në Shqipëri me ndryshimin e Kodit Zgjedhor në vitin 2008 e këtej, mbështet këtë propozim teorik.

Këto argument, sugjerojnë fort se as rregullat kushtetuese, as gjykatat, as konkurrenca e partive nuk janë të sukseshme në lidhje me zvogëlimin e shfrytëzimit të qytetarëve dhe, natyrisht, nuk argumentohet se janë të padobishme tiparet e përpunuara kushtetuese, por ato nuk sigurojnë një roje të sigurtë kundër politikanëve të korruptuar.

Një referendum, në të cilin të gjithë qytetarët të kenë mundësinë të marrin pjesë, plotëson kërkesën vendimtare se ai ia jep pushtetin e vendimit qytetarëve jashtë kartelit të politikanëve, sepse individët që vendosin nuk integrohen në klasën politike dhe ata i largohen kontrollit nga politikanët.

Në një nisëm të tillë, kërkesat, në mënyrë shumë të saktë, drejtohen kundër organizatës politike të përfaqësuar në parlament dhe në qeveri.

Referendumet opsionalë dhe të detyrueshëm që nga koha që janë të suksesshëm, shërbejnë më shumë si një funksion kontrolli, pasi ata hedhin poshtë vendimet e marra nga degët e ekzekutivit dhe të legjislativit.

Për shembull, referendumi për zgjedhjen direkt nga popullit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është një nga opsionet e mundshme, që duhet hedhur për diskutim në publik.

Ndërkohë që kriteret janë thjesht zyrtarë, në fakt, anëtarët e gjykatës (të cilët janë pjesë e klasës politike) kanë nxitës të konsiderueshëm të ndalojnë referendumet që kërcënojnë pozitën e kartelit të politikanëve, shpesh, duke përdorur koncepte të paqarta të bazuara mbi atë çfarë ata e konsiderojnë se është “arsye shtetërore”.

Në vende të tjera, pothuajse, nuk ekziston një mundësi e tillë dhe prandaj çështjet çohen për votim, votim i cili përballet me kundërshtimin unanim të politikanëve.

Politikanët janë shumë të vetëdijshëm se institucioni i një refrendumi popullor i kufizon ashpërsisht shanset që ata të ndjekin qëllimet e tyre, prandaj, ata, kryesisht, priren t’i kundërshtojnë elementët e demokracisë direkte.

Gjatë disa viteve të fundit është mbledhur dëshmi e rëndësishme empirike rreth efekteve në ekonomi dhe në shoqëri në lidhje me pasjen e institucionit të referendumeve.

Rezultatet e studimeve tregojnë një rezultat të pandryshuar në variabla të rëndësishëm ekonomik dhe shoqërorë të demokracisë direkte dhe disa prej tyre kanë përshtatje të veçanta për vendet me ekonomi në tranzicion:

(a) rezultatet politike korespondojnë shumë më afër me preferencat e votuesve, sepse në mënyrë direkte ato janë më demokratike (Pommerehne 1990).

(b) rritja e shpenzimeve publike përcaktohet më fort nga faktorët e kërkesës (p.sh. nga gadishmëria e qytetarëve për të paguar) se sa nga faktorët e ofertës (veçanërisht, nga interesat e vetë politikanëve dhe burokratëve). (Pommerehne dhe Kirchgaessner 1991).

(c) oferta publike është më pak e kushtueshme sa më direkte të jenë institucionet demokratike (Pommerehne 1978).

(d) morali tatimor është më i lartë sa më të gjëra të jenë të drejtat e pjesëmarrjes së qytetarëve (Torgler 2001, 2003). “Morali tatimor” i matur nga përgjigjet e dhëna për pyetjen: “A justifikohet kjo gjithnjë (nuk justifikohet kurrë dhe justifikohet nganjëherë) për të mashtruar me tatimet?” mbledhur nga World Value Survey në vende ndërsektoriale të dy vendeve.

(e) evazioni tatimor është më i ulët sa më shumë të drejta pjesëmarrje të kenë qytetarët (Frey 1997).

(f) të ardhurat për frymë në kantone me mundësi pjesëmarrje direkte më fort të zhvilluara të qytetarëve (kur faktorët e tjerë nuk ndryshojnë) janë në mënyrë domethënëse më të larta se sa në kantonet me forma më pak të zhvilluara të pjesëmarrjes direkte (Feld dhe Savioz 1997). Natyrisht, ky rezultat, veçanërisht, është i rëndësishëm për ekonomitë në tranzicion që kërkojnë të bëhen ekonomi më të zhvilluara.

(g) banorët e kantoneve me përvojën e të drejtave të pjesëmarrjes më të gjërë kishin një mirëqenie subjektive vetëraportuese më të lartë se sa njerëzit në kantonet me më pak institucione demokratike në mënyrë direkte (Frey dhe Stutzer 1999, 2002a). Demokracia direkte rrit në mënyrë sistematike kënaqësinë.

Treguesit e kënaqësisë individuale shpjegohen me anë të numri shumë të madh të variablave shpjeguese (deri në 30 variabla) ku më të zakonshmit janë:

 përcaktuesit social – ekonomik të tillë si mosha, seksi, statusi martesor, numri i fëmijëve dhe niveli arsimor;
 përcaktuesit ekonomik, veçanërisht, të ardhurat, statusi i punësimit, përqindja e inflacionit;
 përcaktuesit institucionalë; në kontekstin e këtij trajtimi, faktori vendimtar është shkalla e të drejtave direkte të pjesëmarrjes politike në kantone të ndryshme të Zvicrës, të cilat ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga të gjëra në disa kantone, në të kufizuara në disa të tjera dhe kjo tregon arsyen përse vetëm disa çështje, por jo të tjerat mund të hidhen në referendum.

Rezultati mund t’i atribuohet faktorëve të mëposhtëm:

1. rezultatet politike janë më afër dëshirave të popullsisë, sepse shërbimet publike jepen në mënyrën më të mirë. Prandaj, popullsia është më e kënaqur me qeverinë, rezultat i pandryshuar me shumë rezultate pjesore të përmendura më lart (për shembull, sigurimi publik korespondon shumë më afër me preferencat individuale, ose që të ardhurat për frymë janë më të mëdha).

2. qytetarët i vlerësojnë mundësitë e pjesëmarrjes direkte si të drejtat e tyre vetiake, në këtë mënyrë, që prodhojnë dobishmëri procedurale, rezultat ky që rrodhi nga krahasimi i kënaqësisë së jetës së sviceranëve (të cilët kanë të drejta pjesëmarrje) me atë të huajve (të cilat nuk i kanë të njëjtat të drejta), duke i mbajtur të gjitha influencat e tjera konstante.

Të drejtat direkte të pjesëmarrjes politike nëpërmjet referendumeve dhe nismave, përbëjnë një formë të përparuar të demokracisë me efekte potencialisht përfituese për vendet në tranzicion

Argumentet teorike dhe dëshmia empirike janë përdorur për ta forcuar këtë pretendim, sepse kanë treguar, veçanërisht, se:

 demokracia direkte, sistematikisht, rrit besimin dhe ndershmërinë, që janë elementë vendimtarë për kapitalin shoqëror;
 demokracia direkte, sistematikisht, përmirëson rezultatet shoqërore, sepse rriten kushtet ekonomike, veçanërisht, për të ardhurat për frymë dhe mirëqenien subjektive (kënaqësinë e qytetarëve);
 argumentet standart kundër demokracisë direkte (inkompentenca e qytetarëve dhe mungesa e interesit, rreziku i manipulimit dhe emocinaliteti, që fshehin progresin dhe që shkatërrojnë të drejtat civile dhe kostot e larta) nuk janë bindëse;
 vendimet e demokracisë direkte kërkojnë kohë dhe mundësi për diskutim intensive;
 elementët e demokracisë direkte mund të prezantohen në vendet në tranzicion duke filluar me nivelet kombëtare dhe vendore dhe më pas duke i zgjeruar më tej;
 prezantimi gradual i tipareve të demokracisë direkte është mjaft i mundshëm dhe i këshillueshëm sepse ajo mbështet procesin e domosdoshëm të të mësuarit;
 qytetarët duhet të kenë të drejtën të qeverisin procesin e prezantimit të nismave popullore dhe referendumeve.

Për aq kohë sa format e tjera të institucionit të demokracisë nuk dëshmojnë përmirësimin e sistemit demokratik në një vend, edhe pse nuk pretendohet se demokracia direkte është receta më e mirë, vlen që ajo të merret në konsideratë për atë që ka sjellë në dy vende të përparuara dhe shembuj të kampionëve të demokracisë.

Përgatiti: Kasem Seferi – ekonomist

Share: