Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka caktuar për sot një tjetër telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.
Zyrtarë të Trumpit thanë se dy liderët do të flasin për luftën civile në Siri, ku Moska mbështet qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, ndërsa SHBA mbështet rebelët që duan rrëzimin e tij.
Trump ka urdhëruar një sulm ajror në një bazë ajrore të Sirisë, muajin e kaluar, si ndëshkim për një sulm me gaz helmues mbi civilët.
SHBA ka fajësuar qeverinë e Assadit për këtë sulm, që ka lënë të vrarë 90 veta, por Rusia ka mohuar përgjegjësinë e qeverisë siriane.
Pas këtij sulmi, Trump ka thënë se marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës “mund të jenë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave”.
Trump dhe Putin kanë biseduar disa herë në telefon qe kur Trump ka marrë detyrën në janar.