Janë terhequr nga gara të gjithë kandidatët për deputetë të PDIU-së në Kukës. Lajmin e ka bërë të ditur sot Fatos Hoxha i cili ishte i pari i PDIU-së në listën e deputetëve.
Përmes një letre të hapur postuar në facebook ai thotë se po i lirojnë rrugën PD-së.
Ai shpjegon pse tërhiqen nga gara në qarkun e Kukësit, një ditë pas dorëzimit të listave të PD në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
“Une dua ta lë këtu garën time për deputet, dua t’i hap rrugën me kënaqësi dhe krenari listës së PD-së për qarkun me këtë paralajmërim: nese PD-ja nuk shkon ne rezultatin e vet tradicional në qarkun e kukësit, faji nuk ka per te qene kurre i demokrateve të kukësit, por i perbuzjes, lojerave te pista dhe mashtrimit qe vjen nga selia qendrore.
Edhe pse ligji nuk e lejon çregjistrimin e listës së regjistruar tashmë, Fatos Hoxha, Everest Demushi dhe Lirie Ahmeti, pra gjithë lista e PDIU-së për qarkun e Kukësit, i hapin krahun listës së PD-së për këtë qark, duke u bërë thirrje gjithë demokratëve, mbështetësve tanë, që të përqendrojnë të gjitha votat tek lista e PD-së.
Ja letra e hapur
Të dashur miqtë e mij në Kukës e kudogjetkë,
Sot Partia Demokratike regjistroi listën e saj të kandidatëve për zgjedhjet e 25 qershorit.
Sot Partia Demokratike u kthye në sistem, u fut në garë.
Mirësevjen PD në rrugën e ligjit!
Të qoftë e mbarë gara e demokracisë!
Gjatë gjithë kësaj kohe shpesh kam ndarë me ju dëshpërimin për vijën politike kaotike dhe për aksionin e verbër dhe kundërproduktiv të lidershipit tonë politik.
Shpesh kam ndjerë tek ky lidership mungesë parimësie, inkoherencë, paqartësi, meskinitet, troç kam ndjerë rrezik për demokratët dhe demokracinë. Ndaj kam ngritur zërin, kam lëshuar kushtrim, jam hedhur në veprim.
Sot këtë hap të PD-së dua ta festoj bashkë me ju si një pikë kthese, si sinjal shprese, si ogur i mirë dhe si premtim.
Gjatë gjithë kësaj kohe shpesh forumet i kam parë të anashkaluara dhe interesin e përbashkët të asgjësuar, zërin e arsyes të ndrydhur, diversitetin e mendimit politik të shtypur, debatin e hapur e konstruktiv dhe përgjegjshmërinë politike të eleminuara, nismën e lirë dhe të guximshme të dëbuar.
Kam ndjerë rrethimin nga frika dhe meskiniteti, por nuk jam dorëzuar.
UNE KAM KANDIDUAR NE PROTESTE TE HAPUR ME VENDIMIN E PD-së PER TE BOJKOTUAR ZGJEDHJET.
Kam pranuar mbi vete çdo sfidë, çdo kosto dhe çdo rrezik, me shpresën se gjesti im do ndihmonte sadopak PD-në që t’i kthehej sistemit.
Kam vlerësuar se, nëse politika është respekt për njerëzit, nëse është nderim për votën, nëse është shërbim dhe jo sundim, atëherë politikan është ai që i nënshtrohet garës, respekton njerëzit, ofron besnikëri e shërbim dhe jep llogari para tyre.
Sot e shoh PD-në t’i kthehet politikës, ndaj e pres me gëzim regjistrimin.
Sot PD-ja po respekton sovranin, ndaj e shoh motivacionin tim të plotësuar, misionin të realizuar.
Në tre javë fushatë intensive kam ndjerë se sa e rëndë ishte braktisja për demokratët, jo vetëm braktisja për shkak të bojkotit të zgjedhjeve, por, së pari, braktisja në qeverisje, për shkak të braktisjes se interesit publik dhe, së dyti, braktisja në opozitë, për shkak të braktisjes së idealeve, përfaqësimit, solidaritetit, mbështetjes dhe përkujdesjes ndaj grigjës.
Kjo braktisje e tejzgjatur e ka vënë në provë serioze, por ende nuk e ka zhbërë indin demokrat të kuksianëve.
Në tre javë fushatë, unë gjeta të gatshëm e të zjarrtë shumicën e demokratëve të Qarkut, të gjithë njerëzit me të cilët unë kam pasur rast të jem më shumë se një herë krah për krah në një llogore, në beteja politike.
Unë ua njoh vlerat, ua respektoj cilësitë, ua çmoj punën, ndaj them se PD-ja e ka rrugën të shtruar. I duhet vetëm t’i futet kësaj rruge me modesti, përulësi, ndershmëri dhe sinqeritet.
Por kujdes!
Kuksianët nuk do ta tolerojnë më përbuzjen, lojërat e pista me kundërshtarin dhe mashtrimin.
Une dua ta lë këtu garën time për deputet, dua t’i hap rrugën me kënaqësi dhe krenari listës së PD-së për Qarkun me këtë paralajmërim:
NESE PD-ja NUK SHKON NE REZULTATIN E VET TRADICIONAL në Qarkun e Kukësit, FAJI NUK KA PER TE QENE KURRE I DEMOKRATEVE të Kukësit, POR I PERBUZJES, LOJERAVE TE PISTA DHE MASHTRIMIT QE VJEN NGA SELIA QENDRORE.
Edhe pse ligji nuk e lejon çregjistrimin e listës së regjistruar tashmë, Fatos Hoxha, Everest Demushi dhe Lirie Ahmeti, pra gjithë lista e PDIU-së për Qarkun e Kukësit, i hapin krahun listës së PD-së për këtë qark, duke u bërë thirrje gjithë demokratëve, mbështetësve tanë, që të përqendrojnë të gjitha votat tek lista e PD-së.
Bashkëpunimi ynë me PDIU-në në këtë fushatë është mbyllur këtu në miqësi dhe mirëkuptim, me urimet për suksese në garë.
Ne u futëm në garë për të mbrojtur ngjyrat tona e për të përfaqësuar të braktisurit.
Tani që ngjyrat kanë përfaqësim, ne jemi të bindur se ju dhe mbështetësit tanë në Qark do të na mirëkuptoni dhe do të respektoni thirrjen tonë për të votuar PD-në. Ne mbetemi borxhlinj përjetë për mbështetjen dhe solidaritetin tuaj.
Koha nuk do vonojë që ne të marrim përgjegjësitë dhe detyrimet tona.
Do të na keni gjithmonë pranë, me besë e shpirt, sikurse ju na pritët me besë e shpirt.
PD-ja i duhet sistemit, i duhet demokracisë. PD-ja është themeli, është historia, është shpirti i pluralizmit.
Ne jemi të vetëdijshëm se PD-ja vazhdon të lëngojë, se është ende në qorrsokak dhe larg identitetit të vet demokratik.
Ndaj edhe nëse na kanë ngelur vetëm gjestet për ta ndihmuar, gjestet nuk do hezitojmë t’i bëjmë.