Presidenti amerikan Donald Trump e vazhdon turneun e tij të parë jashtë kufijve me vizitën në Izrael e territoret palestineze.
Ai mbërrin atje nga Arabia Saudite, një aleat kyç i Shteteve të Bashkuara, ku mbajti një fjalim të rëndësishëm përpara udhëheqësve arabë e myslimanë, e u bëri thirrje të luftojnë ekstremizmin.
Në samitin e Rijadit, të dielën, republikani u kërkoi të marrin drejtimin e betejës kundër militantëve islamikë, duke i nxitur “t’i zhdukin nga faqja e dheut”.
Gjatë ndalesës dyditore të radhës, shefi i Shtëpisë së Bardhë do të zhvillojë bisedime me të dyja palët, marrëveshjen mes të cilave e ka cilësuar si “ujdinë përfundimtare”, ndonëse ende nuk është bërë e qartë çfarë forme duhet të ketë ajo.
Trump preferon t’ua lërë këtë në dorë vet aktorëve të përfshirë, të cilët ta vendosin mes tyre nëpërmjet bisedimeve të drejtpërdrejta. Në fjalimin e mbajtur në Rijad, ai iu referua gjithashtu çështjes izraelito-palestineze, duke deklaruar se beson që paqja mes tyre është e mundur.
Opinionistët izraelitë mendojnë se presidenti amerikan kërkon ta përdorë këtë vizitë për të demonstruar angazhimin e bërë gjatë fushatës ndaj shtetit hebre.
“Ai do të tregojë se po zbaton zotimin e bërë për mbështetjen e Izraelit, kërkon të afishojë besnikërinë e tij e t’u thotë mbështetësve të vet të krishterë evangjelistë, që e duan Izraelin, se do t’u dalë në krah gjithmonë. Ndaj ardhja këtu gjatë udhëtimit të parë jashtë kufijve është dëshmi e faktit që kërkon ta mbajë atë premtim”, tha Hoffman.
Ndërkohë, pas pohimeve të Trump në Arabinë Saudite, në raport me terrorizmin, ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif shkroi në “Twitter” se Amerika po e “mjel” Mbretërinë e Gjirit Persik për miliona dollarët e përfituara nga marrëveshja e re e porsafirmosur e armëve.
Syrit të kamerës nuk i shpëtoi ndërkohë një detaj, që nxitoi të diskutohet në forumet “online”. Gjatë fjalimit të Trump të dielën, Sekretarin amerikan të Tregtisë, Wilbur Ross, të ulur në krah të Ivanka Trump, e ka këputur gjumi, ndërsa kishte ende në vesh kufjet e posaçme të përkthimit. Media