Home KRYESORE Vetëm kështu mund të eleminohet kultura e “kafeneve”.

Vetëm kështu mund të eleminohet kultura e “kafeneve”.

Nga Kasem Seferi

Në “avujt” e nxehtë të përpjekjeve për zgjidhjen e ngërçit politik, PS dhe LSI, filluan fushatën e tyre të padeklaruar zgjedhore.

Ajo që ra në sy tek qytetarët ishte fakti (sikundër pohojnë vetë qytetearët) se PS në prag të zgjedhjeve “u kujtua” t’i pyesë se çfarë hallesh kanë.

LSI – ndërkohë me një deklaratë premtuese (“bombë” zgjedhore) premton 100 mijë vende pune.

Ndërkohë PD – ja, e papërfshirë në këtë lloj parafushate zgjedhore, nga çadra nuk ka dhënë ndonjë shifër për punësimin, por ka deklaruar përqindje të ulta tatimore, paga dhe pensione të rritura.

POPULIZËM!

Dhe ka një arsye ky populizëm. Në një vend ku Agjensia Kombëtare e Depozitave deklaron se 5 për qind të depozituesve, zotëron 95 për qind të depozitave, vetëm me “lugë të zbrazur”, me një dorë lekësh për të siguruar bukën e nja një jave a më pak, ndonjë thes me miell, sponsorizuar nga të “fortët” e ekonomisë me paratë e fituara nga tenderat e konçensionet që u kanë dhënë qeveritë.

Sikundër shihet qartë: një votë, një mjet i vetëm: premto dhe mos e mbaj fjalën.

Në një raport të Bankës Botërore në lidhje me punësimin dhe papunësinë në vendet e Ballkanit Perëndimor, të binte në sy shifra 300 mijë vende të rinj pune gjithsej nga viti 2010 – 2016; një përkudesje e BB ndjehej tek sugjerimi për statistika më të sakta, që nuk do ta bënin “qimen tra”.

Duke iu referuar Indeksit të Forumit Botëror në lidhje me konkurruesmërinë e vendeve të rajonit, që përfshin: institucionet, infrastrukturën, mjedisin makroekonomik, shëndetin dhe arsimin fillestar, trajnimin dhe shkollën e lartë, efiçencën e tregut të mallrave, efiçencën e tregut financiar, efiçencën e tregut të punës, gadishmërinë teknologjike, madhësinë e tregut, sofistikimin e biznesit dhe inovacionin, rezulton se raporti mesatar i renditjes në nivel të konkurrueshmërisë ndërmjet Shqipërisë dhe me BE është 93 me 23.

Ndërsa Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me anë të në një studimi të përgatitur nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, sugjeron që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të heqin dorë nga modeli ekonomik që mbështet te kërkesa e brendshme dhe t’i drejtohet modelit që nxit eksportet dhe investimin e huaj.

Po ashtu, me qëllim që t’i heqin qafe risqet, rekomandohet se nga këto vende (nënkuptohet, politika e këtyre vendeve) kërkohet një angazhim dhe vizion afatgjatë, duke u perqendruar në katër fusha kryesore:

 moszvarritjen e reformave;
 forcimin e sektorit financiar,
 përfshirjen dhe prirjet demografike,
 ndryshimin e klimës.

Këto ditë fundit, para se të arrihej marrëveshja Rama – Basha, ekonomistë me emër dhe pa emër, ngritën shqetësimin që në rastin e vazhdimit të krizës, ekonomia e vendit rrezikonte të ulte ritmet e rritjes së saj.

Pikërisht, pas marrëveshjes Rama – Basha, i vetmi zë që ngriti shqetësimin për të ardhmen e ekonomisë vjen nga biznesi (Dhoma e tregtisë dhe Industrisë Tiranë), që me të drejtë të pamohueshme kërkon nga partitë politike garuese në zgjedhje një dialog paraprak.

Si ekonomist, jam përfshirë me dëshirën e mirë në media që të ngërçi të zgjidhej, duke i adresuar mendimet, opinionet, analizat, etj, drejt një objektivi të vetëm: interesit qytetar.

Pikërisht, për këtë qëllim, u bëj thirrje të gjithë kolegëve, pa dallim, të përfshihen në fushatën zgjedhore duke u përpjekur të zbërthejnë, argumentojnë, bindin (mundësisht) qytetarët se cila politikë ekonomike është më e mira për interesat e tyre.

Natyrisht, një dukuri e tillë do të ishte e mundshme, vetëm në qoftë se pronarët e mediave elektronike dhe të shkruar do të organizonin programe të tipit “Opinion”, “Kapital”, et, etj.

Ndoshta, edhe qytetarët mund të shohin fytyra të reja dhe jo analistët e deritanishëm politikë që flasin për çdo gjë me “kompetencë”.

Ashtu sikundër diti Rama dhe Basha të bëjnë marrëveshje, mendoj se edhe komuniteti i biznesit, pavarësisht lidhjeve që ka me qarqet politike garuese në zgjedhje, e ka kapacitetin për ta pare këtë fushatë zgjedhore si një mundësi, për t’ia bërë të qartë qeverisë që do të vijë në pushtet, se vendim – marrja duhet të marrë mendimin e këtij komuniteti.

Vendet e punës, natyrisht jo për militantët, i krijon biznesi, që krijon elemimin e monopoleve, dhënien e njëanshme të konçensioneve, trajtimin e diferencuar nga administrata tatimore dhe doganore, një zë më të fortë të vendit në arenën rajonale në lidhje me çmimet e energjisë, telefonisë si dhe huadhënien bankare.

Uroj që këtë thirrje ta përcjellin ata që me të vërtetë duan që shqiptarët të mos largohen, të mos vrerosen shumë shpejt si në këto vite të fundit.

Vetëm kështu mund të krijohet një klimë e besueshme për biznesin vendas dhe atë të huaj.

Vetëm kështu mund të eleminohet kultura e “kafeneve”.

Vetëm kështu, do të mendojmë pozitivisht.

Jam i bindur se këto fjalë i kam përmbledhur nga qindra e qindra opinioneve të qytetarëve të thjeshtë, që zhgënjimi u është kthyer në mosbesim.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: