Popullsia e Shqipërisë, më 1 janar 2017, rezultoi 2.88 milionë, duke shënuar rritje për herë të parë që nga viti 2001. Krahasuar me një vit më parë, popullsia u rrit me 1 mijë banorë. Sipas një analize të INSTAT, më 1 janar 2017, popullsia banuese e Shqipërisë përllogaritet 2.876.591 banorë, krahasuar me 2.875.592 që ishte më 1 janar 2016. Gjatë vitit 2016, kanë lindur rreth 32 mijë foshnje, ndërsa kanë vdekur rreth 21 mijë persona. Numri i lindjeve vazhdon të tejkalojnë numrin e vdekjeve, pavarësisht se diferenca midis tyre po ngushtohet me kalimin e viteve. Kjo diferencë në vitin 2016 është rreth 11 mijë. Nga ana tjetër, migracioni neto edhe pse vazhdon të mbetet negativ (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve), pësoi një tkurrje me rreth 54,0% krahasuar me vitin e kaluar. Si pasojë e uljes së numrit të emigrantëve nga rreth 41 mijë në rreth 33 mijë dhe rritjes së numrit të imigrantëve nga rreth 21 mijë në rreth 23 mijë gjatë 2015-2016.
Të moshuarit në Shqipëri paraqesin nga viti në vit një tendencë në rritje. Grupmosha 60-79 vjeç në 1 janar të 2001 përbënte rreth 10,0% të popullsisë gjithsej, ndërsa më 1 Janar të 2017 kjo grupmoshë zë rreth 17,0%. E njëjta dukuri vërehet për grupmoshën 80 vjeç e lartë, e cila zinte vetëm 1,3% të popullsisë gjithsej në 2001, ndërsa në 2017 zë 2,4 %.
Grupmosha 0-14 vjeç paraqet tendencë në rënie, duke zënë vetëm 18,0% më 1 janar të vitit 2017, krahasuar me rreth 30,0% që zinte më 1 Janar të vitit 2001.
Ulja e numrit të të rinjve dhe rritja e numrit të moshuarve, pra plakja e popullsisë, vjen si pasojë e uljes së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë.
Në 1 Janar 2017, Tirana zë rreth 30,0% të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, e ndjekur nga Fieri (11,0%), Durrësi (10,0%) dhe Elbasani (10,0 %).
Vetëm 3 qarqe shënuan rritje të popullsisë gjatë viteve 2001-2017, përkatësisht Tirana, Durrësi dhe Vlora. Të gjitha qarqet e tjera pësuan një tkurrje të numrit të popullsisë gjatë 2001-2017 dhe kjo vjen kryesisht si pasojë e lëvizjeve të brendshme, drejtuar në qendrat urbane, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.
Qarku i Gjirokastrës paraqet numrin më të ulët të popullsisë dhe zë vetëm 2,3 % të popullsisë gjithsej në 1 Janar të 2017, i ndjekur nga qarku i Kukësit i cili zë 2,8 %.
Divorcet në rritje drastike
Koeficienti bruto i martesave ka pasur luhatje përgjatë viteve 2001-2016, nga një vlerë minimale 6,9 në vlerë maksimale 9,0 martesa për 1.000 banorë. Në vitin 2016, krahasuar me vitin 2015, koeficenti bruto i martesave ka pësuar rënie, respektivisht me 7,8 nga 8,7 martesa për 1.000 banorë.
Divorcet kanë shënuar rritje drastike nga viti 2001 në vitin 2016, përkatësisht nga 9,6 në 24,7 divorce për 100 martesa. Viti 2016 shënon vlerën më të lartë të divorceve ndër vite, përkatësisht 5.582 divorce.
Sot, mesatarisht, një burrë martohet në moshën 30.4 vjeç dhe një grua në moshën 25.1 vjeç. Mosha mesatare në martesë si për meshkujt dhe për femrat nuk ka ndryshuar shumë përgjatë viteve. Tre viteve të fundit vihet re një rritje e lehtë e moshës në martesë për të dyja gjinitë.
Shqiptarët sot jetojnë mesatarisht 1 vit më shumë krahasuar me vitin 2011. Në vitin 2016, jetëgjatësia për femrat është 80,1 vjet dhe 77 vjet për meshkujt.
Indeksi sintetik i fekondimit vazhdon të jetë nën nivelin e zëvendësimit (2,1 fëmijë për grua). Në vitin 2016 numri mesatar i fëmijëve për grua është 1,5 duke shënuar rënie të lehtë krahasuar me vitin 2015, ku ky indeks ishte 1.67 fëmijë për grua.
Njerëzit vazhdojnë të ikin
Një tjetër publikim i Eurostat i ditës së sotme bënte të ditur, se pavarësisht ngadalësimit, ritmi i ikjes së shqiptarëve nga vendi vijon të mbetet më i larti në Europë. Numri i azilkërkuesve për herë të parë nga Shqipëria në vendet e Bashkimit Europian në tremujorin e parë të vitit 2017, ishte 5440 me një rënie prej 22% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në 12 muajt e fundit kërkesat për azil nga Shqipëria kanë qenë rreth 28 mijë (27955).
Shqipëria është në total shteti i shtatë për nga numri i azilkërkuesve në vendet e BE-së, por të gjashta shtetet përpara nesh janë kryesisht nga zonat e luftës, apo konfliktuale, ku kryesojnë Siria, Afganistani, Iraku, Pakistani, Nigeria dhe Eritrea dhe më pas vjen Shqipëria. Pas nesh ka sërish vende të tilla si Irani, Bangladeshi, Gambia, Senegali, Siria.
Nga Rusia dhe Turqia, shtetet me një popullsi shumë herë më të lartë se Shqipëria, kishte përkatësisht rreth 3100 dhe 2900 aplikantë për të njëjtën periudhë.
Kosova nuk është më në listën e aplikantëve kryesorë, ndërsa nga Serbia kërkesat për azil ishin rreth 1300 në tremujorin e parë të këtij viti.
Në vitin 2015 kërkesa për azil nga Shqipëria arritën kulmin në rreth 67 mijë, të tretët në botë, për të rënë më pas në rreth 28 mijë në 2016-n. /Monitor