Home KRYESORE Arbana Xharra komenton Erdogan: S’paskemi qenë të pushtuar, por dashnorë!

Arbana Xharra komenton Erdogan: S’paskemi qenë të pushtuar, por dashnorë!

Gazetarja shqiptare, tashmë pjesë e politikës, Arbana Xharra ka reaguar pas intervistës së dhënë nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan për Top Channel.

Erdogan tha se ka forca që po përpiqen të sjellin përçarje në Shqipëri, por paralajmëroi se Turqia këtë nuk do ta lejojë duke dhënë edhe arsyet përse. Me këtë rast, ish gazetarja ka publikuar një letër që i ka dërguar ambasadës turke në Prishtinë.

Sipas saj “ju e bëni për të na bindur ne se nuk paskemi qenë të pushtuar por dashnorë. Nuk është kështu”.

Reagimi i Arbana Xharrës

Ne nuk ndajmë kulturë të përbashkët. Histori të përbashkët po, kemi: si popull trashëgues i perandorisë osmane merrni barrën mbi supe për krimet, pushtimin dhe kulturocidin ndaj qenies, gjuhës dhe kulturës shqiptare që e keni ushtruar për pesë shekuj mbi ne. Kështu na mësojnë faktet dhe historiografitë e shumta përveç asaj turkes, nesoosmanes që jeni duke u përpjekur ta impononi.
Nuk është e rastësishme sipas infiltrimit tuaj (Tika dhe organizata tjera) në strukturat religjioze, arsimore e politike të vendit nisi edhe dukuria e mohimit publik dhe fyerjes së personaliteteve konstituive të identitetit tonë që e ruajmë me fanatizëm që nga lashtësia e deri më sot.
Ne nuk mohojmë faktin se ju investoni ku të mbërrini. Po ta bënit këtë pa synimin e turqëzimit dhe ndikimit që edhe ne të kthehemi në sisteme autokratike, siç e praktikoni në vendin tuaj, do të ishim miqtë më të mëdhenj të botës ndoshta, por jo, ju e bëni për të na bindur ne se nuk paskemi qenë të pushtuar por dashnorë. Nuk është kështu. Është e drejta jonë, ashtu si e çdo populli tjetër që ta përpunojë historinë e tij sipas fakteve. Ne nuk kërkojmë përgjegjësi nga populli i sotëm turk për krimet e perandorive në shekujt e kaluar, por nëse ju ngulni këmbë të na quani vëllezër se kemi qenë robër, jo. Historia jonë e përbashkët është negative, ardhmërinë mund ta ndërtojmë ndryshe, por jo duke u thirrur në të si vlerë, se nuk është, nuk e ndiejmë ashtu.

(Letra ime drejtuar Ambasadës së Republikës së Turqisë në Prishtinë 2017)

Share: