Home KRYESORE Artur Dojaka: Jam Çam dhe Hebre dhe do e zgjidhim Kauzën Çame....

Artur Dojaka: Jam Çam dhe Hebre dhe do e zgjidhim Kauzën Çame. Ne zgjedhje, kryqin fletës se votimit dhe ja arsyet!

Perqasje: Ju tani jeni kryetar i Aleancës Popullore, por natyrisht kush e njeh historinë e çështjes çame njeh dhe familjen Dojaka, por te tjeret do të donin të dinin më tepër. Cila është origjina e familjes Dojaka?

Artur Dojaka: Origjina e familjes Dojaka, është ashtu si dhe origjina e shumë bashkëpatriotëve tanë, pra nga trevat shqiptare të Çamërisë. Ne jemi një familje, e cila rreth viteve ’20-të është shpërngulur nga Çamëria dhe ka ardhur në Shqipëri dhe nga gjiri i familjes sonë kanë dalë shumë njerëz që njihen për kontributin e tyre për çështjen kombëtare, veçanërisht atë çame dhe kjo trashëgimi vazhdon të kalojë brez pas brezi deri në ditët e sotme, ku një nga personat jam edhe unë.

Perqasje: Cilët janë personat me të cilët njihet më shumë fisi i Dojakajve në kulturë dhe në kauzën politike të Çamërisë?

Artur Dojaka: Nuk mund të them se ne krenohemi me figura specifike, por e gjithë familja jonë ka dhënë kontributin e saj. Këtu unë do të vecoja së fundmi pas vitit 1990 profesorin e nderuar, zotin Abaz Dojaka, i cili ka dhënë kontributin e tij si në sferën folklorike dhe ka qenë themeluesi i parë i shoqatës patriotike Cameria dhe ka futur në rrugën e zgjidhjes cështjen çame që në vitet e hershme ’90-’91.

Perqasje: Familja juaj, përvec origjinës tradicionale që ju e theksuat, ka dhe një origjinë domethënëse hebree. Nga vjen kjo origjinë dhe sa e lidhur është familja juaj me shtetin e Izraelit dhe kauzën hebree?

Artur Dojaka: Kjo është një pyetje e bukur dhe specifike. Vjen ngaqë ju keni informacione të sakta mbi familjen tonë. Mamaja jonë është me origjinë hebree dhe ne po ashtu, ndërsa babai është me origjinë nga Çamëria. Ne jemi lindur dhe rritur si çam patriot në shtëpinë tonë, por me kulturën dhe besimin hebre të mamasë.

Kjo ka qenë një nga shtyllat e kombit tonë shqiptar në mijëra vite, bashkëjetesa e besimit, bashkëjetesa e kulturave të ndryshme, qoftë edhe brenda një catie.

Duke qenë se gëzojmë si familje të dy shtetësitë, atë izraelite dhe shqiptare, jemi dyfish të përgjegjshëm, jo vetëm karshi këtyre dy kombeve, por edhe karshi këtyre dy shteteve. Jemi kontribues në të dy vendet, si në Shqipëri dhe në Izrael me mundësitë tona modeste, në mbështetje të një të ardhmeje sa më të mirë dhe më të sigurtë për secilin nga vendet përkatëse, pra aq sa i takon cdo qytetari të vendeve përkatëse.

Perqasje: Familja juaj në komunitetin çam ka një ekonomi familjare të mirëqenë dhe, ofroni me kontributin tuaj edhe punë për mjaft familje të tjera dhe kjo simbolizon shumë. Cili është shkaku që ju shtyu për t’u marrë me politikë?

Artur Dojaka: Sic ju thashë, nuk është brezi ynë ai që e ka nisur ndjekjen e kauzës çame dhe, kur them brezi nuk flas për mua dhe tim vëlla, Amos Dojakën, por flas për brezin e të gjithë shqiptarëve të Çamërisë të kudondodhur.

Janë shumë breza të mëparshëm, të cilët e kanë nisur këtë stafetë. Kjo tashmë është bërë stafetë, sepse ka kaluar në katër breza dhe këtu do të vecoja një ndër figurat e familjes sonë Nevet Sejko, i cili është gjyshi i tim eti.

Në shtëpinë e tij është hapur për herë të parë shkolla shqipe në Çamëri dhe, nën represionin e madh që ka qenë në ato vite, pra në vitet ’14-’15, por duhen shfletuar dokumentet historike për këtë cështje.

Më pas një figurë e nderuar e familjes sonë është profesor Abaz Dojaka, i cili pas viteve ’90 hodhi themelet e kauzës çame si kauzë politike e patriotike në territorin e Shqipërisë. Kjo kulmon në vitin 2004, ku disa patriotë dhe njerëz të përkushtuar, duke patur edhe mbështetje të gjerë, themeluan për herë të parë partitë politike, sic ishte Partia për Drejtësi dhe Integrim.

Pjesë e këtij grupi nismëtar isha edhe unë e im vëlla, Amos Dojaka, i cili më pas ishte sekretar i përgjithshëm i kësaj force politike, nën drejtimin e kryetarit Tahir Muhedini.

Më pas për arsye të ndryshme u krijua një forcë tjetër, e cila u quajt Partia për Drejtësi dhe Unitet, pjesë e së cilës ishim sërish në angazhim.

Më pas u bë bashkimi i të dy partive në siglën PDIU. Njihet më pas i gjithë karvani i gjatë i mosmarrëveshjeve brenda këtij grupi politik. Tani për fat të keq e dallojmë sot kete parti, ku asnjë nga nismëtarët e çështjes çame nuk ndodhet në listat drejtuese të PDIU-së, gjë që e shoh si ogur shumë të zi për ndjekjen e çështjes çame.

Për fat nuk është subjekti i vetëm politik që e mbështet këtë cështje. Një subjekt tjetër është edhe Aleanca Popullore, ku unë jam drejtuesi dhe ne jemi të angazhuar për ndjekjen e kësaj çështjeje në vijimësi dhe në koherencë me të drejtën ndërkombëtare.

Perqasje: Lidhja juaj e dyfishtë me çështjen çame dhe shtetin izraelit, a e shikoni si një mundësi që ofrohet për zgjidhje paqësore? Ju keni qenë i ftuar edhe në një organizim të rëndësishëm të lobit hebre në SHBA…

Artur Dojaka: Rreth datës 23 prill, për herë të parë, Shqipëria mori pjesë me një përfaqësues nga komuniteti hebre i Shqipërisë dhe, këtë radhe me të drejtë të plotë vote në Kongresin Botëror të Hebrenjve.

Ishte një nder i madh, edhe për vetë Shqipërinë, të merrte pjesë në një Kongres kaq të fuqishëm dhe, patjetër ishte një nder shumë i madh për mua personalisht që u zgjodha për të qenë përfaqësues në këtë Kongres.

Perqasje: Do të vecoja disa gjëra të përbashkëta që ne kemi me Izraelin… Edhe në raport me Greqinë ka histori të ngjashme të çamëve me hebrenjtë atje…

Artur Dojaka: Ne i kemi këto dy “c” (çam dhe çifut) e komuniteteve përkatëse dhe kjo ndikon shumë pozitivisht dhe në rakordim me njëra-tjetrën, sepse të tilla po rezultojnë.

Komuniteti hebre bashkëpunon shumë ngushtë me njëri-tjetrin për zgjidhjen e kauzave të tij. Jo më kot për 2 mijë vite me radhë populli i Izraelit ia doli të kthehet në atdheun e tij dhe ia doli me sukses, me një shtet tepër të fuqishëm, tepër modern dhe një shtet të së drejtës, ku secili qytetar të jetë jo vetëm i mbrojtur, por edhe zot i vendit të tij.

Është një shembull për t’u marrë, packa se në Shqipëri jemi me fat që kemi shtetin tonë që ka më shumë se 100 vite. Kanë qenë të tjerë ata që kanë sakrifikuar për të hedhur themelet e këtij shteti, por faktikisht jemi në një moment që atë që kanë bërë të parët tanë për shtetin shqiptar, ne pak a shumë e kemi nëpërkëmbur dhe nuk bëhet fjalë që të arrijmë nivelet e Izraelit.

Ne kemi modelet tona që duhet të ndjekim dhe patjetër marrëdhënie të ndërsjellta, jo vetëm mes Shqipërisë dhe Izraelit, por edhe vendeve të tjera që janë shumë të zhvilluara, ato vetëm ndihmojnë.

Njihet botërisht që lobi izraelit është shumë aktiv. Ne kemi lidhje personale e familjare shumë të ngushta, të cilat edhe i kemi vënë shpeshherë në dispozicion të çështjeve të ndryshme, që kanë qenë në shërbim të vendit tonë, Shqipërisë, përgjithësisht, por pse jo specifikisht edhe për çështjen çame, për të cilën po flasim.

Perqasje: Ju kur jeni i ftuar në takime të lobit hebre, e keni me dije kauzën came?

Artur Dojaka: Së fundmi, në takimin që patëm në Nju-Jork, pata fatin që jo vetëm ta bëja të qartë mes të gjithë delegatëve që ishin në Kongres, por edhe në një takim ku ishin të pranishëm drejtues të Kombeve të Bashkuara, sipas çdo shteti të veçantë, të kisha edhe një diskutim me përfaqësuesen e Greqisë.

Patëm një diskutim të gjatë dhe, mendoj shumë pozitiv për të dy palët. Është hera e parë që këtë e përmend në një intervistë dhe jo më kot, sepse zgjidhja e çështjes çame, në modelin tonë, mund të vijë vetëm nëpërmjet bashkëbisedimit, nëpërmjet uljes në tavolina të përbashkëta, që duhet të jenë mes Athinës zyrtare, Tiranës zyrtare, nën mbikëqyrjen e Uashingtonit dhe të Brukselit.

Çdo kryeqytet tjetër mund të jetë i mirëpritur të japë kontributin e tij, ose më mirë të duartrokasë atë marrëveshje që do të jetë në tavolinë, por nuk është e mirë që të ndërhyjë në to. Do të thotë se nuk ka vend për asnjë kryeqytet tjetër, një palë të tretë, të hyjë në këto marrëdhënie, përvecse Athina zyrtare, Tirana zyrtare, të mbikëqyrura nga Uashingtoni dhe Brukseli.

Perqasje: Ju si e shikoni performancën e politikës së jashtme të PDIU-së kundrejt Athinës dhe performancën e ish-aleatit tuaj, Edi Ramës, pasi ju keni një marrëveshje parazgjedhore me të, ku ai premtoi zgjidhjen e çështjes çame dhe ju nuk i kërkuat në shkëmbim vende pune?

Artur Dojaka: Për herë të parë në historinë e çështjes çame është firmosur në fund të prillit 2013 një marrëveshjes mes dy forcave politike, kryesueses së opozitës, Partisë Socialiste në atë kohë dhe Aleancës Popullore nga dy kryetarët respekti-vë, pra zotit Rama dhe nga unë, për ndjekjen e çështjes çame dhe pozicionimin e saj si kërkesë politike.

Kjo ka qenë kërkesa kryesore me 5 pika e marrëveshjes sonë. Pra nuk ka qenë asnjë kërkesë për vende pune ose te tepsisë, sahanit apo kusisë që përmendet rëndom këto kohë. Ajo që u ofrua që në fillim pas fitores së koalicionit, ku Aleanca renditej në shkallët më të larta si fituese brenda grupit me 39 parti, ishte oferta për të qenë pjesë e tepsisë, kusisë e kështu me radhë, gjë të cilën nuk e pranuam, packa se na ofruan vende specifike, por nuk pranuam asnjë nga këto.

Që në ditët e para patëm qëndrimin tonë, nuk do të thoja opozitar, por korrekt ndaj aleancës ku ne ishin pjesë. Këtu do të doja të vecoja dy gjëra. E para, t’i përgjigjem shkurt asaj që ju thatë, pra performancës së PDIU-së në politikën e jashtme. Kjo është thjesht në suazën e një folklorizmi dhe nuk dua të zgjatem më tepër.

Ndërkohë për sa i përket performancës së politikës së jashtme të Partisë Socialiste, për arsye se ministri i Jashtëm është i PS-së, packa se përfaqëson Shqipërinë, mendoj se ka qenë një politikë konfliktuale.

U proklamua shumë si një politikë me zero konflikte me fqinjët, rezultoi si politika më konfliktuale deri më sot me fqinjët. Respektivisht e njëjta rrugë është ndjekur me Greqinë, Maqedoninë, pse jo dhe me Kosovën që është pjesë organike e Shqipërisë.

Kuptohet që është mbajtur një marrëdhënie ekstra me Serbinë, por që nuk është fqinja jonë, por e Kosovës. Këtu bëhet një gabim shumë i madh që ndërhyjmë ne në politika që përfaqësues duhet të kenë shtetin e Kosovës, por ka qënë një politikë e jo mirë e përqëndruar dhe ka qenë një politikë e jashtme e drejtuar nga konflikti. Ky është këndvështrimi ynë politik për sa u përket 4 viteve.

Perqasje: Kundrejt kauzës came, si e shikon Greqinë dhe zgjidhjen e ngërcit mes dy shteteve?

Artur Dojaka: Ne kërkojmë një gjë shumë të qartë, për arsye se ka me të drejtë një c’orientim të opinionit publik. Shqiptarët e Çamërisë nuk kërkojnë thjesht të marrin pronat e tyre, sepse pronat janë të tyre dhe ata do t’i marrin një ditë.

Në radhë të parë kërkohet të vendoset drejtësia dhe genocidi, ndaj shqiptarëve të Camërisë i nisur në vitin 1913 dhe i kulmuar me masakrat e vitit 1944, të marrë një autorësi dhe, që u krye nga falanga të caktuara të grupeve të caktuara operative në Greqi, të mbështetura nga shteti i asaj kohe në Greqi.

Pra të merret autorësia e atij genocidi dhe më pas të njihen të gjithë të drejtat e kësaj popullësie. Kuptohet që kjo nuk arrihet me të shara pas gardhit, por kjo arrihet duke u parë sy më sy dhe duke u ulur në një tavolinë, duke i diskutuar të gjithë cështjet hap pas hapi me qëllimin e mirë të ngritjes së një marrëdhënie të përhershme, pra afatgjatë fqinjësie, bashkëjetese.

Si hap i parë që ne do të ndiqnim dhe e kemi kërkuar me forcë do të ishte liria e vizitave dhe udhëtimit drejt shtëpive, pronave, familjarëve, të specifikuara të komunitetit çam të Shqipërisë drejt Greqisë. Dhe kjo të ishte e deklaruar për arsye se ajo që ndodh sot e kësaj dite ende në kufirin tonë jugor, në momentin që shikohet që vendlindja është Çamëri, Filat apo dicka tjetër kthehen mbrapsht të gjithë personat që janë moshë e vjetër.

Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë, por duhet të ndodhë e kundërta që ata të shoqërohen drejt vatrave të tyre, që nuk mbajnë mbi vete thjeshtë një pasuri dhe pronësi, por mbajnë mbi vete edhe dhimbje shumë të madhe. Këta njerëz për atë dhimbje shkojnë atje, jo për të marrë pasurinë e tyre.

Në këtë kuptim, duhet që përfaqësuesit e shtetit shqiptar, duke filluar nga kryeministri e poshtë duhet të kishin dhënë kontributin e tyre për gjetjen e gjuhës së përbashkët dhe uljen e palëve në tavolinë, duke luajtur rolin e duhur për të gjetur paqe mes kësaj situate kaq të ngarkuar me konfikt.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur, por është vepruar totalisht në të kundërt, gjë e cila padyshim e ka dëmtuar cështjen came.

Perqasje: Ju si Aleancë Popullore keni bërë thirrje për pjesëmarrje të mbështetësve tuaj në zgjedhje dhe kryqin fletës së votimit. Pse?

Artur Dojaka: Sic e thashë edhe në fillim, ne ishim pjesë e ndryshimit në vitin 2013, iu bashkuam në opozitë koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane. Për fat, ne kemi edhe një dalje publike me kreun e opozitës së asaj kohe, ku kemi bërë të qartë qëndrimin tonë dhe ai vetë qëndrimin e tij karshi fenomeneve korruptive dhe akoma më tepër se korruptive, që asokohe e grumbulluan të gjithë këtë koalicion së bashku për ndryshimin.

Kuptohet që në ditët e para, absolutisht asgjë nga ato që u tha, nga piketat që u vunë u kuptua që nuk do të zbatohej, por kaloi gjithcka në kah të kundërt. Pra ku ishin e ku nuk ishin më të korruptuarit u rirekrutuan pranë këtij koalicioni.

Pastaj për më tutje se si shkoi e gjithë qeverisja, ne këto ditë po shohim që kemi qenë të qeverisur nga një dron, pa timon, pa pilot, pa shofer, por ka qenë një auto qeverisje, sepse secila palë po thotë që nuk ka qenë në timon.

Kjo gjë ka sjellë në këtë ditë, ku nga 2013 deri më sot, më shumë se 300 mijë vetë janë larguar nga Shqipëria për arsye të kësaj gjendje kaq të keqe. Shumë të tjerë, me qindra mijëra, kanë plotësuar lotaritë nga më të mundshmet e cdo shteti për t’u larguar nga Shqipëria.

Kaq sa përmenda mendoj se është e mjaftueshme për të shpjeguar detyrimin tonë si forcë politike për të orientuar, jo vetëm mbështetësit tanë, por mbarë qytetarët e Shqipërisë së kudondodhur, që t’i japin fund pas 27 vitesh vuajtjes së tyre, duke shkruar një faturë për të gjithë këta politikanë të 27 viteve, duke i vënë kryqin fletës së votimit, duke treguar se ky sistem nuk vlen.

Ky sistem është kundër interesave të qytetarëve të vetë dhe në vend që të prodhojë pushtet në shërbim të qytetarit, integron një pusht-shtet në kurriz të qytetarit.

Perqasje: Jeni besimplotë se do t’u ndjeki një pjesë e mirë e votuesve?

Artur Dojaka: Nga sondazhet e deritanishme që po bëhen nga ky grup i aktivistëve që shihni ne zyrat tona, është rreth 12 % mbështetja nga votuesit në këto zgjedhje që janë të vendosur për t’i vënë kryqin fletës së votimit, pra për të votuar kundër këtij sistemi.

Nëse ne do të shohim në vazhdim në datën 26 e kështu me radhë kush do të jenë rezultatet dhe nëse janë të tilla si e nxjerrë sondazhi ynë, që jam besimplotë për të, unë do të thoja se do të jetë vota kundër ajo që do të përcaktojë dhe të ardhmen e qeverisjes së vendit.

Pra nuk do të jetë vota e militantëve të njërës apo tjetrës parti që do të vendosin, por do të jenë votat e qytetarëve që do të shprehin revoltën e tyre kundër këtij sistemi frenues, të cilat do të vendosin të ardhmen e vendit.

Share: