Zv/sekretari amerikan i shtetit Hoyt Brian Yee, ndërmjetësi për zgjidhjen e ngërçit politik në vendin tonë ka reaguar në lidhje me Reformën në Drejtësi. Zyrtari i Departamentit të Shtetit, përmendi disa përparime të arritura me mbështetjen amerikane, përfshirë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.
Ai përshëndeti heqjen dorë nga bojkoti i opozitës si dhe vuri në dukje kërcënimin e demokracisë në të gjithë Ballkanin për shkak të korrupsionit.
Sipas zyrtarit amerikan, është pikërisht korrupsioni që i hap rrugë aktorëve destabilizues dhe vë në rrezik demokracitë e reja.
Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit për Evropën dhe Azinë, Hoyt Brian Yee, në kuadër të një turi në vendet e rajonit Maqedoni, Kosovë e Mali i Zi zhvillon në muajin maj një vizitë në Tiranë, ku u takua me zyrtarë të lartë të shtetit dhe kryetarin e PD-së Lulzim Basha. Vizita e tij në Shqipëri synonte gjetjen e një marrëveshje mes maxhorancës dhe opozitës, që kjo e fundit të futej në zgjedhje.
Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee foli në një seancë për rajonin në Senat, ku senatorë dhe ekspertë bënë thirrje për vazhdimin e angazhimit amerikan në Ballkan për të zmbrapsur ndikimin rus dhe për të shmangur përshkallëzimin e krizave, si edhe për të mbështetur reformat dhe stabilitetin.
Yee tha se nëse kërcënimet e jashtme dhe të brendshme, nuk marrin përgjigje, ato mund të kenë pasoja serioze për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
“Ballkani Perëndimor përballet me një numër kërcënimesh: Institucione të brishta, mangësi në shtetin ligjor dhe media jo e lirë, i kanë hapur rrugën një korrupsioni të rrënjosur thellë. Ky korrupsion vë në rrezik këto demokraci të reja dhe u hap rrugën aktorëve destabilizues, përfshirë ekstremistë të dhunshëm, grupe të krimit të organizuar dhe vende që duan të ushtrojnë ndikim keqdashës”, tha ai.
Yee tha se problemet e brendshme, u kanë hapur rrugën kërcënimeve të jashtme si Rusia që synon të frenojë përpjekjet e vendeve të rajonit për të ndjekur një rrugë euro-atlantike.
Ai gjithashtu theksoi nevojën e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. /VOA