Bleona prej vitesh tashmë ndodhet në SHBA, fillimisht për të vijuar marrëdhënien e saj me biznesmenin e njohur Gani Bardha e më pas për të vazhduar karrierën e saj muzikore në tregum ndërkombëtar. Përveç muzikës, këngëtarja ka marrë pjesë edhe në projekte kinematografike. Vetëm pak kohë më parë ajo bëri publik filmin e ri ku do të luajë krah Nicolas Cage, një film që do të publikohet shumë shpejt për kinematë botërore.
Por, postim i fundit i Bleonës në Instagram ngre dyshime se këngëtarja mund të jetë duke menduar të përfshihet në një sferë tjetër, atë të projekteve të energjisë për mbrojtjen e ambjentit, një program ky i përqafuar fort edhe nga Leonardo Di Caprio.
Bleona ka postuar një foto nga Kazakistani, në ambjentet e ‘Expo 2017’, tema kryesore e të cilit është “Energjia e së Ardhmes”. Ai pasqyron preokupimin e bashkësisë ndërkombëtare për problemin e konsumit të energjisë, që po ndikon çdo ditë e më shumë në planetin tonë. Qëllimi kryesor i ekspozitës është të kërkojë përgjegjësi, të nxisë një diskutim dhe të zhvillojë njohuritë që u mundësojnë njerëzve të planifikojnë dhe kontrollojnë konsumin e energjisë në planetin tonë dhe të minimizojnë dëmtimin e mjedisit.
Pritet që ekspozita të vizitohet nga 2 milionë turistë dhe numri i përgjithshëm i vizitave do të jetë rreth 5 milionë. Është planifikuar që 85% e numrit të përgjithshëm të vizitorëve do të jenë shtetas të Kazakistanit dhe 15% – shtetas të huaj, shumica e të cilëve do të vijnë nga vendet e CIS dhe Kina. Një numër i konsiderueshëm turistësh pritet gjithashtu të vijnë nga Evropa, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara.
“Shumë e impresionuar dhe e emocionuar që bota do të jetë një vend më i mirë në të ardhmen e afërt. Expo 2017, e ardhmja e energjisë” shkruan Bleona në postim.