Home KRYESORE Cili është garanti i zgjedhjeve të 25 Qershorit?

Cili është garanti i zgjedhjeve të 25 Qershorit?

Nga Dr. Enriko Ceko

Cili është garanti i zgjedhjeve të 25 Qershorit 2017? Deri tani askush. Para shume vitesh, kur PD ishte në pushtet, në prag zgjedhjesh kam shkruar një artikull me titull: “Berisha, garanti i zgjedhjeve”, duke e ditur fare mirë se skenari i asaj kohe ishte vjedhja masive e votave dhe presioni ndaj palës tjetër në opozitë në atë kohë (socialistëve dhe pasuesve të tyre).

Të nesërmen e këtij artikulli, Sali Berisha, në atë kohë personi më i fuqishëm në Shqipëri, i gjendur përballë presionit mediatik dhe presionit të ndërkombëtarëve, që e vlerësuan artikullin tim si mjaft të përshtatshëm për kohën dhe kushtet nën të cilat ndodhej Shqipëria, deklaroi publikisht se zgjedhjet janë të garantuara dhe se ai personalisht kërkon(te) që forcat e rendit të kryenin detyrën në mbrojtje të procesit të votimit, deklaratë kjo e bërë padyshim edhe nën presionin e vetë demokratëve, që kërkonin qartësi dhe qetësi, në prag të ditës së zgjedhjeve.

Padyshim që kjo deklaratë pati një ndikim mjaft të madh për uljen e tensioneve gjatë javës së fundit para datës së zgjedhjeve dhe në manaxhimin e procesit paszgjedhor për aq sa ishte e mundur praktikisht.

Në zgjedhjet e tanishme, asnjë drejtues i lartë i shtetit nuk ka dhënë asnjë garanci për zhvillimin normal të procesit të votimit dhe manaxhimin e procesit paszgjedhor, dhe, ajo që tingëllon mjaft skandaloze është deklarata krejt e papritur e Kryeministrit Edi Rama, në një nga mitingjet arkaike, polifonike, mavi, se ai nuk mban asnjë përgjegjësi për këto zgjedhje dhe nuk bëhet garant për to.

Më keq nuk ka ku të shkoje, aq më shumë kur Rama e mban për shembull negativ Sali Berishën. Faktikisht, as Presidenti në ikje, Nishani nuk mund të jetë garanti i zgjedhjeve dhe as Kryetari i Parlamentit që është President në ardhje, nuk mund t’a kryejë këtë detyrim. Ata mund të ndihmojnë, por nuk mund të garantojnë procesin zgjedhor, sepse pothuajse të tëra institucionet, përfshirë edhe ato të rendit dhe të shërbimeve sekrete tashmë janë nën drejtimin e Kryeministrit, cilidoqofte ai.

Padyshim që Lulzim Basha nuk e ka për gjë që të bëjë një deklaratë se ai garanton zgjedhjet për aq sa i takon (udhëzime për demokratët që të mbrojnë votën dhe të mos krijojnë eksese e konflikte të panevojshme). Edhe Sali Berisha, padyshim që e ka shumë për zemër të bëjë një deklaratë të tillë e të bëjë lëvizjet e duhura, për aq sa ka fuqi dhe mundësi, qoftë edhe për të rikrijuar e risjellë në mendjen e njerëzve imazhin e ish-udhëheqësit të madhërishëm, por fakti është se qytetarët e këtij vendi presin që Kryeministri i vendit, dhe askush tjetër, të deklarojë publikisht se ai dhe vetem ai është garanti i këtyre zgjedhjeve, që duket se kanë përfunduar në një estradë me shumë aktorë primitivë dhe amatorë.

Në të kundërt, nëse ndodhin ngjarje të padëshërueshme, një nga individet ku do të drejtohet menjëherë gishti I popullit për të gjetur fajtorin është padyshim Edi Rama. Daljet e Lali Erit, Blushit, Bojaxhiut e ndonjë tjetri në lidhje me këtë çështje vetëm sa do e shtonin volumin e të qeshurave të publikut. Meqë edhe socialistëve u pëlqeu shumë artikulli im i para shumë viteve, tashmë është radha e tyre që të bëjnë deklaratën: “Rama, garanti i zgjedhjeve”! (Dhe mos u bëj garant po t’a mbajti!)

Share: