Nga Kasem Seferi
(Një ngacmim për në fushatë)
Në një shkrim të fundit, ku, mbi bazën e shqetësimeve të gazetarit Blendi Fevziu dhe akademikut Selami Xhepa, shtjellova në një fare mënyre çshtjen e sigurisë ekonomike të ekonomisë shqiptare.
Pra, si duhet të trajtohet ajo në fushatë dhe, natyrisht, më pas në praktikë nga qeveria e ardhshme.
Po shkoj më tutje me “idetë” e mia personale të ngacmuara dhe të nxitura nga ato çfarë mendon “bota” për ne, por edhe si duhet të mendojmë ne në lidhje me ato që na thotë “bota” të bëjmë.
Ashtu sikundër e kam theksuar dhe theksoj, duhet të jenë standartet e jetesës, ose PBB për frymë në vendet e Ballkanit Perëndimor në qendër të vemendjes së qarqeve politike në çdo vend anëtar.
Ka vetëm një arsye.
Duam të bëhemi pjesë e BE – së. Më saktë duam të bashkëjetojmë në një bashkësi me pozicione gjeografike, gjuhë, zakone, kultura, etj, etj të ndryshme, duke i përcjellë secilit vend përkatës më të mirat që kemi dhe për të marrë prej më të mirat që kanë.
Pa keqdashje po përmend thënien: “Fukarallëk – maskarallëk”.
Parë dhe analizuar në dorë të parë të dhënat mbi të ardhurat për frymë të vendeve të Ballkanit Perëndimor kundrejt atyre të 11 vendeve qendrore dhe lindore të BE – së rezulton se janë sa gjysma e tyre.
Më tej: sa një e treta e vendeve jugore të BE – së dhe një e katërta e vendeve më të pasura të Europës Perëndimore (burimi: EBRD – BERZH 2016).
Çfarë duhet të bëjë program i qeverisë që do të vijë në pushtet pas 25 qershorit 2017 për ta ngushtuar këtë boshllëk?!
Si do të hedhë dritë qeveria që do të vijë në pushtet pas 25 qershorit 2017 mbi shkallën e sfidave dhe riskut?!
Cilat janë përparësitë e rajonit dhe secilit vend për investitorët (veçanërisht ata të huaj) dhe si duhen pasqyruar ato në programet e qeverisë që do të vijë në pushtet pas 25 qershorit 2017?!
Çfarë faktorësh do ta udhëheqin rritjen ekonomike që parashikon qeveria që do të vijë në pushtet pas 25 qershorit 2017?!
Cilat janë sfidat dhe cilët janë risqet për qeverinë që do të vijë në pushtet pas 25 qershorit?!
Duke iu referuar shënimeve të mbajtura në shumë vite, veçanërisht, atyre që janë në pajtim edhe me një studim të bërë nga BERZH në vitin 2016 për rajonin e Ballkanit Perëndimor, rezulton se në vendet e Ballkanit Perëndimor:
- konkurrueshmëria në raport me treguesit e matësve të konkurrueshmërisë paraqitet varfërisht,
- konkurrueshmëria po përmirësohet gradualisht.
Çfarë mund t’u ofrojë rajoni investitorëve në këtë kontekst?
Njihen si të mirëqenë:
- perspektiva e rajonit për anëtarësim në BE;
- stabiliteti makroekonomik;
- afërsia gjeografike dhe pa tarifa hyrëse në tregjet e BE;
- ndryshueshmëria e ekonomve të vendeve të Ballkanit Perëndimor;
- tatimet dhe kostot e punës janë favorizuese.
Mbështetur nga sa përmenden më lart, tërheqja e investimeve të huaja mbetet vendimtare, por më parë duhet menduar për të çuar më tej atë nisi Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore, CEFTA për ta integruar më tej tregtinë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Natyrisht, një integrim i mëtejshëm i tregtisë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, kërkon përmirësimin e infrastrukturës së transportit si një prej kushteve tëheqëse për investitorë strategjikë.
Pa harruar, për të siguruar dhe garantuar rritjen ekonomike çelës/hapës është shfrytëzimi i sektorit të energjisë në rajon si mundësi e pastër.
Inovacioni, pavarësisht asaj që është arritur deri tani, mbetet një fushë tjetër e preferuar për rritjen ekonomike.
Arritja e objektivëve të SEE 2020 dhe zgjidhja e problemeve vendimtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor është në duart e qeverive përkatëse.
Pra, qeverisë që do të vijë në pushtet pas 25 qershorit 2017, do t’i nevojitet të gjejë mjetet dhe strategjitë e veta të zhvillimit në linjë me parësitë e veçanta.
Por, nuk duhet harruar se, sigurimi i objektivit të përbashkët kërkon:
- forcimin e sektorit të vërtetë të ekonomisë;
- performancën e eksportit si element vendimtar;
- rritjen e konkurrueshmërisë në tregjet globale.
Riindustrializimi i vendit (në kuadër të vendeve të Ballkanit Perëndimor), duhet të jetë në të njëjtën linjë me objektivët e BE që synojnë të rrisin pjesën e vlerës së shtuar nga 15 në 20 për qind të PBB në vitin 2020.
Kancelarja Angela Merkel ka deklaruar së fundmi se ka një plan për zhvillimin e BE, të cilin do ta shpalosë në një kohë që vjen, por vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht, Shqipëria nuk duhet të harrojnë sfidat dhe risqet afatgjatë si:
- gozhdimi në tranzicion;
- dobësia e sektorit financiar;
- prirjet afatgjata të demografisë dhe përfshirja.
Mos vallë, për arsye sekreti, partitë kryesore politike që kanë deklaruar se do të vijnë në pushtet nuk e bëjnë të ditur, ndoshta jo me detaje, programin e tyre ekonomik?!
Mendoj se përsa u përket asaj çfarë kam shtjelluar në këtë shkrim nuk mund t’i bëjë bisht asnjë parti, ose lidhje ndërmjet partive politike që do të vijnë në pushtet pas 25 qershorit 2017.
Janë edhe 20 ditë fushatë.
Kasem Seferi – ekonomist