Provat kryesore që lidhin Mikel Shallarin me ekzekutimin e ish drejtorit te policisë së Vlorës, Artan Cuku janë gjurmët e gishtave dhe disa gjurmë të ADN –së të lëna në vendin e ngjarjes.
Burime nga grupi hetimor thane për Televizionin Klan se ADN-ja e tij ka ngjashmëri me gjurmët e ADN –së që u gjetën në disa veshje të lëna nga vrasësi i komisarit, në një rrugë që gjendet në zonën ku u krye vrasja.
Me ndalimin si i dyshuar, hetusit do të kenë mundësinë të kryejnë një krahasim të plotë të ADN –së.
Gjurmët e gjetura, mësohet se janë krahasuar me gjurmë të marra të Shallarit në Zvicër, ku ai ka kryer një dënim për trafik të lendeve narkotike.
Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit e konfirmoi se policët e vendeve partnere kane ndihmuar në zbulimin e tij.
Mikel Shallari nuk është një emër i panjohur për policinë e shtetit. Ai rezulton që të jetë kontigjent kriminal pasi ka qenë i arrestuar disa herë për shitje të lëndëve narkotike si dhe kundërshtim të forcave të policisë edhe në Shqipëri.
24-vjeçari ka një profil mjaft aktiv në rrjetin social Facebook. Nga fotografitë që poston i pëlqen jeta e luksoze dhe armët. Në këtë foto ai shihet duke lundruar në internet dhe në tastierën e kompjuterit janë disa mijëra euro. Ndërsa në këtë fotografinë tjetër ai shihet duke pozuar me një armë në dorë . Imazh kopertine në rrjetin social ka përsëri armët. Ndërsa në informacionin që ka publikuar në Facebook shkruan se “Asgjë nuk është e Pamundur”. /Klan