Home KRYESORE Hije skandali mbi tenderin e rikonstruksionit të ish-Hotel Dajtit

Hije skandali mbi tenderin e rikonstruksionit të ish-Hotel Dajtit

Po merr përmasat e një skandali çështja e rikonstruksionit të godinës së ish-Hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë e cila e bleu pak vite më parë për ta përdorur për qëllime të saj. Përpara disa ditësh në hyrje të godinës janë afishuar disa foto të projektit të ri të kësaj godine.

Mësohet se për këtë investim janë hedhur 18 milion euro. Por çështja është se të gjitha procedurat janë bërë në fshehtësi të plotë dhe në mungesë të transparencës. Nuk dihet cila është kompania që do të kryejë punimet. Nuk dihet se kur është kryer tenderi për këtë investim. Nuk ka asnjë vendim të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë për fondin e rikonstruksionit. Nuk është zbatuar ligji për prokurimet.

Të gjitha këto pikëpyetje kanë bërë që edhe Arben Malaj, pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës ka bërë një reagim në Facebook, ku kërkon që Banka Qendrore të ofrojë transparencë maksimale dhe të garantojë eficencë në përdorimin e çdo qindarke apo investim të saj.

Malaj këtë postim e ka bërë duke shpërndarë një kronikë të televizionit Klan, ku thuhet se godina “Dajti” do të kushtojë 6 milion euro më shumë se ajo ndërtimit të selisë qëndrore, edhe pse sipërfaqja është 3500 metra më e vogël.

“Në çdo rast përballë njoftimeve apo shqetësimeve publike, Banka e Shqipërisë si çdo entitet tjetër publik, duhet të ofrojë transparencë maksimale dhe të garantojë efiçencën maksimale të përdorimit të çdo qindarke në çdo shpenzim apo investim të saj. Transaprenca duhet të jetë e menjëhershme, ndërsa sfida e efiçencës së shpenzimeve një prioritet i matshëm dhe i përhershëm. Arbeni”

Edhe Shoqata e Ndërtuesve e kontaktuar nga Televizioni Klan, është shprehur se ky tender është zhvilluar në mungesë të plotë transparence. Drejtues të saj, sqaruan se në proçese të ngjashme, entet publike konsultohen me shoqatën dhe ajo i ve në dispozicion një listë me kompani të cilat kanë aftësi teknike të mira për të ndërtuar vepra të ngjashme.

Ky është rasti i parë që institucion publik fsheh të dhënat për një tender, ndërsa si qeveria dhe opozita heshtin. Vetëm organi i akuzës mund të arrijë të zbardhë këtë çështje duke nisur një hetim kryesisht dhe t’i shkojë deri në fund prapaskenave që po zhvillohen pas këtij tenderi./lapsi.al

Share: