Home I pakategorizuar INSTAT korrigjon qeverinë për rritjen ekonomike për vitin 2015 dhe 2016

INSTAT korrigjon qeverinë për rritjen ekonomike për vitin 2015 dhe 2016

Në vlerësimin final për rritjen ekonomike të vitit 2014, INSTAT raportoi dje se rritja është zgjeruar me 1.77 për qind, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, 1.89 për qind ka qenë vlerësimi gjysmë final.

Ky është vlerësimi i tretë me ulje që i bëhet rritjes ekonomike të vitit 2014, teksa treguesit paraprakë të INSTAT-it patën raportuar se ekonomia e vendit ishte rritur me rreth 2.02 për qind në vitin 2014.

Gjithashtu me ulje është rishikuar edhe rritja ekonomike e vitit 2015, ku, sipas vlerësimit gjysmë final, ekonomia më 2015 është zgjeruar me 2.23 në raport me 2014-ën, nga 2.69 për qind që ishin vlerësimet fillestare.

Të dyja shifrat janë më të ulëta se sa ishte planifikuar në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal të vitit 2015.

Për vitin 2016, të dhënat e para të INSTAT treguan një rritje 3.46 për qind, megjithatë shifra finale e rritjes do të dalë vetëm pas dy vjetësh.

Objektivat

Ajo që bie në sy gjatë viteve të fundit është se të dhënat finale, përgjithësisht, nxjerrin vlera më të ulëta nga vlerësimet paraprake, duke treguar se vlerësimet paraprake ndikohen shumë nga kërkesat e politikës.

Prodhimi i Brendshëm Bruto për vitin 2015, sipas çmimeve të asaj kohe, u vlerësua 1.427.799 milionë lekë (10.2 miliardë euro) dhe 1.395.305 milionë lekë (10 miliardë euro) për vitin 2014. PBB për frymë në vitin 2015 arriti në 496 mijë lekë (ose 3.547 euro), nga 483 mijë lekë (ose 3.450 euro) që ishte në vitin 2014.

Prodhimi i Brendshëm Bruto për vitin 2014 shpresohej se do të rritej me 2.1 për qind si pasojë e programit të qeverisë së re për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të lëna nga qeveria e kaluar dhe, rrjedhimisht, rritjen e qarkullimit ekonomik të vendit. Por PBB e vitit 2014 është rritur me vetëm 45 miliardë lekë, më pak se gjysma e rritjes së borxhit publik, i cili u rrit me një nivel rekord prej 10 përqindësh.

Kurse PBB e vitit 2015 mendohej se do të rritej me 3 për qind sipas Kuadrit Makroekonomik në terma realë. Ndërkohë, vlerësimi gjysmëfinal i INSTAT i publikuar dje flet për rritje ekonomike në masën 2.23 për qind.

Si pasojë e rivlerësimeve të të dyja viteve, PBB e Shqipërisë rezulton rreth 100 milionë euro më e paktë nga sa shpresohej./lapsi.al

Share: