Home KRYESORE Investigimi i “Express”: Rama mashtron ambasadat e huaja me sondazhe të Afrim...

Investigimi i “Express”: Rama mashtron ambasadat e huaja me sondazhe të Afrim Krasniqit

Sondazhet e publikuara së fundi në mediat shqiptare, po shihen me nota kritike dhe po vëzhgohen mbi besueshmërinë e tyre.

Gazeta Express publikon sot se ajo ka kontaktuar me një ambasadë të fuqishme në Tiranë dhe vlerëson se “ata janë të trembur nga plani i Ramës për zgjedhjet”. Sipas “Express”, zyrtarët e ambasadës në fjalë, i kanë dhënë kësaj gazete sondazhet e tyre për Tiranën, që paraqesin një fotografi tjetër.

Gazeta nënvizon se në dyert e shërbimeve diplomatike në Shqipëri ka mbërritur një sondazh i kryer për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që mbahen më 25 qershor, i realizuar nga Afrim Krasniqi, me porosi të Partisë Socialiste.

Ashtu si dhe në sondazhet e mëparshme të cilat janë bërë mbi hije të forta dyshimesh për paanshmërinë e tyre, forcë e parë politike në qarkun e Tiranës, del Partia Socialiste, e dytë Partia Demokratike, dhe e tretë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Por në këtë situatë të ndezur politike në Shqipëri, ku partitë shkojnë drejt garës elektorale pa koalicione parazgjedhore, mes akuzash dhe kundër-akuzash të forta, shërbimet diplomatike nuk janë treguar indiferente. Një burim i besuar pranë një shërbimi të fuqishëm diplomatik në Shqipëri, tha për “Express” se ata kanë kryer sondazhe të brendshme, ku nga hulumtimet e tyre, situata paraqitet krejt ndryshe.

Express thotë se disponon rezultatet e të dy sondazheve, ato që kanë në tryezë selitë diplomatike me “firmën” e Afrim Krasniqi, dhe rezultateve që ka nxjerrë sondazhi i kryer nga mekanizmat e tyre të brendshme. Sipas këtij të fundit, Partia Socialiste në qarkun e Tiranës qëndron në krye me një diferencë të vogël nga Lëvizja Socialiste për Integrim, (vetëm 2 % të votave) duke nxjerrë kështu të tretën Partinë Demokratike, që në sondazhin e Krasniqit kishte një rritje të befasishme si forcë e dytë.

Kjo gazetë citon të njëjtin burim diplomatik të ketë thënë se sondazhi që nxjerr të parë partinë e drejtuar nga z. Rama, është i porositur nga PS.

Por përse bëhet gjithë ky manipulim me rezultatet e sondazheve në më pak se dy javë nga mbajtja e zgjedhjeve në Shqipëri?, – shtron pyetjen gazeta e njohur e Prishtinës duke shtuar: Frika më e madhe është se ka një tentativë për të “përligjur” rezultatin e zgjedhjeve që mund të vidhet nga forcat politike, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, tashmë në një marrëveshje politike me njëra-tjetrën prej 18 majit të shtrëngimit të duarve mes kreut të qeverisë Rama, dhe liderit demokrat Basha.

“Express” thotë se këtë shqetësim e ndajnë edhe shërbimet diplomatike në Shqipëri, “të cilat janë duke ndjekur me vëmendje situatën parazgjedhore në Shqipëri, me dyshimet e forta se pas rezultateve të këtyre sondazheve mund të fshihet diçka më e madhe. Konkretisht: Duke përhapur në tavolinat e shërbimeve diplomatike dhe në mbarë opinionin publik, PS-në si forcë të parë politike dhe PD-në të dytë, nuk do të kishte asnjë reagim, e madje edhe ndërkombëtarët do ta kishin të lehtë të vinin “vulën” mbi fituesin e zgjedhjeve, që do të konsideroheshin më në fund: Zgjedhje me standarde ndërkombëtare. Në përpjekje për ta arritur këtë, duket se Rama dhe Basha kanë harruar vigjilencën e shërbimeve diplomatike, që në fakt e shohin këtë si një përligjje që po tentohet t’i bëhet vjedhjes së votës më 25 qershor, pasi nga mekanizmat e tyre rezultojnë të tjera rezultate”.

Sipas gazetës në fjalë, “ky falsifikim i sondazheve (në dukje i vogël) se PS dhe PD kanë numrin më të mëdhenj të votuesve, bëhet për të justifikuar një krim elektoral, siç është vjedhja e votës”.

Edhe Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, i cili pret të mandatohet më 24 korrik, mbi bazën e këtyre dyshimeve dhe shqetësimi serioz për të ardhmen e vendit, tha sot se nuk do të dekretojë asnjë qeveri nëse cënohet vota e lirë.

Në sondazhin e Afrim Krasniqit, gjithçka flitet për fitore të partive të mëdha, por në sondazhin e brendshëm të selisë diplomatike që Express e disponon, partitë e tjera kanë pjesën e tyre.

Edhe pak ditë më parë, gazeta Express investigoi atë që e cilësoi një gënjeshtër të madhe me sondazhet e televizioneve në Shqipëri, ku “doli hapur se pas tij qëndronte Partia Demokratike, që çuditërisht dilte forcë e dytë politike në rang kombëtar”.

Rezultati i sondazhit të brendshëm të selisë diplomatike

32 % të votave PS

30 % të votave LSI

25 % të votave PD

5 % të votave PDIU

3 % Libra (e Ben Blushit)

1 % Sfida (e Gjergj Bojaxhi)

1 % FRD (e Bamir Topit)

3 % të tjera…/Dita.al

Share: