Në Lezhë është shënuar incidenti i parë që prej nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Kandidati për deputet i Partisë Kristian Demokrate në Lezhë, Luigj Ndoci, i cili kryeson dhe listën për këtë qark është kanosur me armë zjarri nga dy persona ende të paidentifikuar, të cilët kanë kërkuar tërheqjen e tij nga gara.
Ka qenë vetë Ndoci që ka denoncuar ngjarjen në policinë e Lezhës.
“Më datë 04.06.2017, rreth orës 12.30, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Lezhë, shtetasi L.N. vjeç 34, banues në Shënkoll në Lezhë, përfaqësues i një subjekti politik, aktualisht kandidat për deputet në qarkun Lezhë” informon policia.
Po sipas policisë, gjatë dëshmisë Ndoci ka pretenduar se eshte kercenuar nga persona te armatosur, të cilët i kanë kërkuar të tërhiqet nga kandidimi.
“ky shtetas ka kallëzuar se më datë 03.06.2017, rreth orës 23:15, në momentin që ka qenë duke shkuar në banesën e tij është kanosur nga 2 persona të panjohur dhe të maskuar që sipas kallëzuesit dispononin armë zjarri pistoletë, të cilët pasi e kanë ndaluar me automjetin e tij, e kanë kërcënuar duke i kërkuar që të tërhiqej nga kandidimi”.
Nga ana e policisë janë kryer veprimet e para hetimore dhe po punohet për identifikimin e autorëve të dyshuar dhe dokumentimin e ngjarjes.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Neni 325 i Kodit Penal./Ora News