Home KRYESORE Kush i fitoi zgjedhjet e 25 qershorit?

Kush i fitoi zgjedhjet e 25 qershorit?

Nga Arian Galdini

Gjermania ka 81 milion banorë dhe statistikisht vetëm 400 mijë prej tyre janë anëtarë nëpër parti politike.

Shqipëria sipas Censusit të fundit ka 2.8 milion banorë që jetojnë në vend nga të cilët 400 mijê janë anëtarë nëpër parti.

Debati mbi demokracinë në Gjermani e gjerësisht në Perëndim, përfshirë këtu edhe SHBA, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë, etj, zhvillohet mbi problematikat që krijojnë e sjellin zbehje të cilësisë së përfaqësimit qytetar, pikërisht Korporatat e mëdha dhe Multinacionalet.

Nuk po u lodh me teoritizime të shumta ngase nuk dua as edhe të zgjatem, por përmbledhtazi po cek këtu shqetësimin e politilogëve dhe aktivistëve politikë, civilë dhe të të drejtave të njeriut.

Të gjithë këta, e madje edhe filozofë e studiues të mëdhenj, flasin për vendim-marrje politike të kontrolluara nga Korporatat. Për parti, zgjedhje, gara, e kandidatë që varen nga mbështetja e Korporatave. Qytetarët nuk zgjedhin më. Korporatat ndikojnë partitë. Partitë servirin kandidatë të dakordësuar me Korporatat. Qytetarët zgjedhin mes kandidatëve të favorizuar të Korporatave. Në fund, cilido që t fitojë, gjithësesi ka fituar njëri prej kandidatëve të Korporatave.

Kjo solli edhe lefizjet e mëdha të shfryrjes dhe zemëratës popullore, që nisën paradoksalisht me Berlusconin ne vitin 1994 në Itali, e u sollën e sollën vërdallë me Tsiprasin në Greqi, Beppe Grillon përsëri më vonë në Itali, me Podemos ne Spanjë, e deri tek Lëvizja Donald Trump në SHBA dhe Macroni në Francë.

Lëvizjet antisistem kanë si bazë të bukës së tyre propagandistike, pikërisht rikthimin e demokracisë tek qytetari, çlirimin e politikës nga zgjedha e Korporatave dhe Bankierëve, etj, etj, e bla, bla, bla…

Në fund, e vërteta është se edhe këto lëvizje, në prapaskenë kanë përsëri mbështetjen e Korporatave dhe Bankierëve….

Është një truk i madh politik, për të mbajtur qytetarët ngrohtë, me ndjesinë se edhe ata mund të vendosin për politikanët, përfaqësuesit dhe politikat e tyre.

Përallë e madhe, por ja që kështu shkojnë gjërat.

Çka e mban Perëndimin në këmbë dhe demokracinë perëndimore si ende të pakonkurueshme, janë 3 elementë sipas meje. Së pari, Korporatat dhe Multinacionalet janë kryesisht vepra dhe kryevepra të gjeniealitetit, aftësive, talenteve, zotësive, imagjinatës dhe kreativitetit njerëzor. Sidomos në kohët e Miliarderëve të teknologjis, si Microsoft, Facebook, etj, etj. Së dyti, shtresa e mesme është e fortë dhe qartësisht në gjendje të prodhojë realitete politike dhe sociale krejtësisht të lira. Së treti, në Perëndim, qytetarët nuk kanë frikë nga Shteti e as nga Partitë. Krejt e kundërta është e vërtetë.

Tani, ç’lidhje kanë të gjitha këto sa u shkruan më sipër, me zgjedhjet e 25 qershorit?
Shumë e thjeshtë.

Ne sipas CIIA kemi 50% të ekonomisë në gjendje informale. Sipas BB, FMN dhe BERZH, informaliteti është 37%. Kemi 800 VIPa në ekonomi. Kemi shumë pak prodhim. Kryesisht përqëndrimin e strukturës ekonomike e kemi në hidrokarbure, minerare, energji, telekomunikacion, ndërtim, banka dhe shumë tregëti. Këta janë 800 njerëzit që do të duhej të ishin “imitimi” i Korporatave që kontrollojnë politikën dhe partitë në Perëndim. Por a kanë këta ngjashmëri me Korporatat?

A kanë këta ekskluzivitet kontrolli mbi politikën dhe partitë në një vend ku Politikanët plaçkisin e vjedhin haptazi paratë dhe pushtetet publike?

A mund ti kontrollojnë këta, 800 VIPat e ekonomisë sonë, Politikanët tanë të koruptuar që mund të kenë pasuri edhe më të mëdha se vetë Pasanikët anëtarë të Klubit të 800 VIPave?

Po të kemi parasysh këtu edhe përqindjen e lartë të informalitetit dhe ekonominë kriminale, si MAFIA, grupet kriminale, trafikantët, kanabisi, etj, sa shanse kanë 800 VIPat që të kenë zë të fortë në kapitull, në vendim-marrjen dhe lojën politike?

Mos të flasim këtu pastaj për gjeopolitikën….

Ajo që ne e quajmë Oligarki, nuk është as më shumë e as më pak, veçse një ndërthurrje dhe zonë përputhjeje mes disave prej këtyre 800ndsave, politikanëve të koruptuar, përfaqësuesve të mafias dhe krimit, si edhe të operatorëve gjeopolitikë.

Kjo Oligarki nuk njeh as rregulla, as ndërgjegje demokratike, e as humanitet.

Andaj fushata elektorale në Shqipëri, u përqëndrua tek timoni dhe tepsia. Sepse kjo Oligarki dhe grupi i strukturuar i kanabisit ishin përcaktuesit e rezultatit të këtyre zgjedhjeve.

Këtu nuk kemi Sipërmarrje që burojnë nga imagjinata, kreativiteti dhe talentet. Nuk kemi shtresë të mesme, e kësisoj nuk kemi asnje shans të prodhojmë ndonjë realitet të lirë politik dhe social. Ndërkohë që qytetari shqiptar jeton në frikë e adhurim për partitë.

Për ta përmbyllur po them se zgjedhjet e 25 qershorit i ka vendosur Oligarkia dhe kanabisi.

Të gjithë sa kam shkruar po e ilustroj me foton e hartës së Gjermanisë për të kuptuar se me çfarë oferte, ekonomie dhe

faktorësh përcaktohen fituesit e zgjedhjeve atje.

Shihni edhe harten e Shqipërisë dhe nxirrini vetë përfundimet.

Arian Galdini

Tiranë më, 26 qershor

Share: