Home KRYESORE Lapsi.al: Rama, si Basha, si Veliaj, e kanë parë sheshin si një...

Lapsi.al: Rama, si Basha, si Veliaj, e kanë parë sheshin si një monument të lavdisë së tyre dhe ja sa ka kushtuar!

Sheshi “Skëndërbej” ka filluar t’i ngjajë legjendës së kalasë së Rozafës, fillon e ndërtohet nga një kryebashkiak dhe prishet nga një tjetër. Pas shumë muajsh i mbyllur duke u ndërtuar, të shtunën me 10 qershor hapet sheshi “Skënderbej” në qendër të Tiranës. Kësaj hapje po i bëhet një reklamim i madh nga qeveria e bashkia e Tiranës si një ndër veprat më të mëdha që është bërë ndonjëherë në kryeqytet. Përpos diskutimeve e akuzave për projektin e ri, sheshi “Skënderbëj” është një vend abuzimi me fondet publike prej disa vitesh tashmë. Ky shesh vetëm 10 vitet e fundit ka pësuar 3 ndryshime të mëdha që kanë kushtuar miliona euro dhe këto ndërhyrje janë bërë thjeshtë sepse kreut pasardhës të bashkisë së Tiranës nuk i ka pëlqyer modeli i mëparshëm dhe ka dashur ta bëjë sipas pëlqimit të vet.

Por sa miliona euro i ka kushtuar qytetarëve të Tiranës në veçanti dhe shqiptarëve në tërësi rindërtimi sheshit “Skënderbej” në këto vitet e fundit? Ndër planet e para për sheshin ishte ai francez në vitin 2004 nga “Architecture Studio”, i cili parashihte ndërtimin e 10 kullave të larta, të cilat do të vendoseshin përqark sheshit dhe anash aksit të Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Sipas këtij plani sheshi “Skënderbej” do të ishte i aksesueshëm vetëm për këmbësorët. Por ky plan nuk e pati të gjatë jetën dhe pas tij, në vitin 2008, doli në pah plani belg i studios “51N4E”.

Ashtu si në planin francez edhe ky plan nuk i eleminonte kullat e larta, ndërsa vetë sheshi parashikohej se do të bëhet një hapësirë e mbyllur për makinat dhe do të përdorej vetëm nga këmbësorët. Plani belg i ish-kryebashkiakut Rama e kishte vlerën e përgjithshme të projektit në shifrën e 11 milionë e 500. 000 mijë euro. Edhe pse hasi në shumë kundërshtime, kryebashkiaku i asaj kohe Edi Rama, filloi zbatimin e planit, por me ardhjen e Bashës në krye të bashkisë së Tiranës u hodh poshtë ky plan dhe një sërë punimesh të nisura, së bashku me paratë publike të investuara në to. Basha i kushtëzuar edhe nga trafiku e kaosi që kishte kapluar Tiranën e asaj kohe, gjeti një zgjidhje të pjesëshme duke bërë një rikonstruksion provizor, që do i paraprinte planit përfundimtar, plan ky ndryshe nga ai i Ramës.

Sigurisht që ky rikonstruksion kishte kostot e veta, ai u kushtoi qytetarëve rreth 5 milion euro. Basha humbi zgjedhjet për bashkinë në vitin 2015 dhe po ashtu edhe plani i përfoluar i tij. Në krye të bashkisë së Tiranës erdhi Erion Veliaj dhe ky i fundit si i preferuari dhe i caktuari i Ramës, vendosi që të zbatonte projektin belg që kishte miratuar Rama në vitin 2008. Rindërtimin e sheshit “Skëndërbej” po e kryen kompania e vetme konkurruese, Fusha Sh.P.K., kompani e cila e fitoi tenderin duke kërkuar rreth 3.8 milionë euro për këtë projekt. Punimet janë ndarë në dy faza dhe në total e gjithë kostoja e punimeve në shesh do të kushtojë rreth 11 mln euro.

Kështu, sheshi i rindërtuar “Skëndërbej” do të hapet me 10 qershor, 8 ditë para votimeve, me një faturë tepër të kripur për xhepat e qytetarëve të Tiranës. Nëse kemi parasysh nderhyrjet e bëra nga Rama, Basha dhe Veliaj, përgjatë dekadës së fundit, për sheshin “Skëndërbej” janë shpenzuar miliona euro dhe një pjesë të mirë të kohës ai ka ndenjur i mbyllur nga rimodelimet e ndryshme, duke shkaktuar një trafik kaotik në qendër të kryeqytetit. 3 kryebashkiakët e fundit që kanë qeverisur Tiranën janë mundur të lënë gjurmën e tyre për sheshin kryesor të kryeqytetit, pa u interesuar se sheshi është një pronë publike që i kalon mandatet e tyre.

Si Rama, si Basha, si Veliaj, e kanë parë deri më tani sheshin si një monument të lavdisë së tyre, me anë të cilit do i thurnin lavde brezat e ardhshëm, fenomen i ngjashëm me ndërtimet simbolike të diktatorëve duke e trajtuar pronën publike si një pronë private ku mund të bësh ç’të duash e si të teket. Shembeje e rindërtime, çdo katër vite sa herë ndërrohet kryebashkiaku i Tiranës, duke kushtuar miliona euro për të cilat ashkush nuk mban përgjegjësi. Nisur nga kjo çmenduri, qytetarëve të Tiranës, së bashku me Skëndërbeun mbi kalë, u ka ngelur vetëm të luten që sheshi të mos prishet e rindërtohet sërisht në të ardhmen./ Lapsi.al

Share: