Home KRYESORE Majlinda Bregu në ditën e fundit si deputete: Beteja sapo ka filluar

Majlinda Bregu në ditën e fundit si deputete: Beteja sapo ka filluar

E shtuna mblodhi në seancë të jashtëzakonshme parlamentin shqiptar dhe për shumë prej deputetëve ka qenë dita e fundit në kuvend, e njëra prej tyre ka qenë dhe demokratja Majlinda Bregu. Ajo tha se beteja sapo ka filluar duke shtuar se nuk i vjen mirë që largohet nga parlamenti.

Demokratja ka kujtuar fjalët e Bashës rreth një vit më parë, ku në ditët e nxehta të korrikut, diskutohej fati i reformës në drejtësi dhe takimet Rama- Basha nuk sillnin asnjë rezultat.

“Më vjen mirë që sot mori fund zvarritja shumë mujore e votimit të Vettingut, më vjen mirë nga ana tjetër që sot mori fund dhe aventura politike e kujt betohej muaj e muaj me radhë se Vettingu si një projekt mafioz i ndërkombëtarëve nuk do të votohej pasi ai i jepte drejtësinë Edi Ramës. Sigurisht që do të kisha dashur që të kishte pasur kandidatura më të mira të cilët kam përshtypjen që një pjesë e tyre janë larguar edhe për faktin që dëgjonin atë që thashë më parë, që Vettingu nuk do të votohej asnjëherë.

Jam krenare pasi që nga dita e parë kur reforma në drejtësi nisi kam mbështetur, kam punuar dhe sigurisht që kam përkrahur këtë reformë që është e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Më lejoni me këtë rast që të falënderoj të gjithë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë ndaj të cilëve nuk ngeli baltë, baltosje, ofendime, fjalë në anglisht dhe epitete në shqip pa u thënë por që ndihmuan të gjithë për të arritur këtu ku jemi sot.

Shpresoj dhe uroj shumë që të vërtetat që janë fshehur për një kohë të gjatë dhe ato të vërteta prej të cilave po rrezikohej dhe Vettingu dhe reforma në drejtësi do të jenë shumë shpejt të qarta për të gjithë qytetarët” – tha Bregu.

Një mesazh Bregu ka pasur edhe për liderin e opozitës Lulzim Basha, fill pas një seance që solli më në fund formalizimin e komisioneve të Vettingut.

“Nuk mund të them që më vjen mirë që nuk do të jem në legjislaturën e ardhshme por jam e bindur që beteja sapo ka filluar” – tha Bregu.

Share: