Home KRYESORE Marrëveshja Rama-Basha, Oketa: Pazar politik

Marrëveshja Rama-Basha, Oketa: Pazar politik

Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa, i cili udhëheq listën e qarkut të Tiranës, në një interviste  për Tirana Today, është shprehur se marrëveshja Rama-Basha është një pazar politik, i cili ka krijuar tek opinioni publik perceptimin e gabuar se tashmë rezultati i zgjedhjeve është i përcaktuar në tavolinë.

Sipas tij, kjo marrëveshje dëmton së pari demokracinë shqiptare, votuesit shqiptarë,  dhe interesat e qytetarëve shqiptarë.

Kjo është një marrëveshje e realizuar në mungesë totale të transparencës, është një marrëveshje e cila ka në themelet e saj, thjesht, interesat për pushtet të këtyre dy individëve”,-tha ai

Nga ana tjetër, kandidati për  deputet  pohoi se për shkak të sistemit dhe kodit elektoral që është në fuqi shumë subjekte penalizohen kryesisht në qarqet me numër të ulët mandatesh.

Gjithashtu, Oketa ka deklaruar se FRD ka pritshmërinë e saj dhe është e sigurt se në këto zgjedhje FRD do të përfaqësohet me mandate në Kuvendin e Shqipërisë, duke krijuar pse jo, edhe një grup parlamentar.

Oketa, cilat janë pritshmëritë e Frymës së Re Demokratike lidhur me numrin e mandateve në 25 qershor?

Sigurisht që, Fryma e Re Demokratike ka pritshmëritë e saj në raport me zgjedhjet e 25 qershorit. Është hera e tretë që ne garojmë në zgjedhje, dhe hera e dytë në zgjedhjet parlamentare. Për shkak të sistemit dhe kodit elektoral që është në fuqi shumë subjekte penalizohen kryesisht në qarqet me numër të ulët mandatesh. Por, sigurisht në qarqet e mëdha, FRD ka pritshmëritë e saj dhe është e sigurt se në këto zgjedhje FRD do të përfaqësohet me mandate në Kuvendin e Shqipërisë, duke krijuar pse jo, edhe një grup parlamentar.

Sa e dëmton marrëveshja Rama-Basha FRD-në?

Përpara se të flasim për dëmin që kjo marrëveshje i shkakton Frymës së Re Demokratike do ishte në të mirë të flitej sa kjo marrëveshje dëmton së pari demokracinë shqiptare, votuesit shqiptarë, dëmton interesat e qytetarëve shqiptarë – pasi, kjo është një marrëveshje e realizuar në mungesë totale të transparencës, është një marrëveshje e cila ka në themelet e saj, thjesht, interesat për pushtet të këtyre dy individëve. Është një pazar politik, i cili ka krijuar tek opinioni publik perceptimin e gabuar se tashmë rezultati i zgjedhjeve është i përcaktuar në tavolinë. Kur, në fakt, nuk është kështu. Rezultati i zgjedhjeve do të vendoset më 25 qershor. Rezultatin e zgjedhjeve do ta vendosin qytetarët shqiptarë, dhe sa më masive të jetë pjesëmarrja në këto zgjedhje aq më shumë do të ndëshkohet kjo marrëveshje dhe aq më i fortë do të jetë mesazhi i qytetarëve për klasën politike.

Ju keni deklaruar se ‘‘halli” që i bëri bashkë  z. Basha dhe z. Rama si dy kundërshtarë politikë, nuk ishte gjë tjetër veçse për karriget personale, njëri për karrigen e pushtetit, e tjetri për karrigen e partisë. A mendoni se kjo marrëveshje do të zgjasë edhe pas 25 qershorit? Dhe në qoftë se po, pse?

Është e vërtetë që unë kam bërë një deklarim të tillë dhe, besoj se çdo ditë që kalon ky deklarim konfirmohet gjithnjë e më shumë. Për nga vetë mënyra se si po zhvillohet fushata elektorale, për nga vetë fakti që z. Rama flet për timon apo tepsi të cilën e do tërësisht për vete, ndërsa z. Basha me një të rënë të lapsit bëri një spastrim tërësor nga listat e Partisë Demokratike qoftë edhe të atyre zërave minimalisht kritikë.

Se sa do zgjasë marrëveshja Rama-Basha është për t’u parë. Por, zakonisht kur marrëveshjet nuk ndërtohen mbi principe, por ndërtohen mbi interesa të ngushta, interesa që nuk shkojnë në harmoni me interesin publik, atëherë nuk besoj se do zgjasë shumë. Këtë që them e bazoj edhe në faktin se, në rast se i referohemi dy marrëveshjeve të mëparshme, qoftë asaj PD-së dhe LSI-së që kishin një bashkëqeverisje 4 vjeçare, qoftë kësaj të fundit me PS-LSI po ashtu 4-vjeçare. Të dyja në fund rezultuan të dështuara, pasi nuk ishin ndërtuar mbi parime, por mbi interesa personale apo interesa pushteti. Qytetarët e shohin se çfarë akuzash të ndërsjella sjellin këto palë për njëra-tjetrën sapo këtyre palëve i prishen interesat

Nga ana tjetër, duke qenë se dy partitë e mëdha kanë shumë pak mundësi ta bëjnë vetëm qeverinë, a mendoni se do ta kushtëzojnë partitë e vogla formimin e qeverisë së re?

Përgjigjen më të mirë kësaj pyetje do ta japin qytetarët shqiptarë me votën e tyre. Në rast se konfigurimi i parlamentit të ardhshëm do të jetë i tillë që një parti e vetme të krijojë qeverinë, atëherë nuk ka asnjë arsye që të kemi qeveri me koalicion. Unë nuk besoj se ky është një skenar që do të ndodhë. Nga ana tjetër, politika shqiptare mbetet disi paradoksale. Ne kalojmë nga një ekstrem në tjetrin; nga një kod zgjedhor që e kemi hartuar pikërisht për të detyruar forcat që të kryejnë koalicione, kalojmë në ekstremin tjetër duke i konsideruar koalicionet si gjënë më të keqe të mundshme që mund të ndodhë. Në fakt është krejt e kundërta nëse koalicionet ndërtohen mbi principe, themele të forta që synojnë të kenë në plan të parë interesin publik, atëherë nuk ka asnjë gjë të keqe. Në rast se, këto koalicione, apo bashkëqeverisje shkelin këto principe, atëherë është detyrim i forcave të vogla apo të mëdha që të prishin këto koalicione, të çojnë vendin pse jo edhe në zgjedhje të parakohshme, e jo të presin katër vite, për të treguar më pas se cili ka shantazhuar njëri-tjetrin. Sigurisht që Fryma e Re Demokratike nuk ka asnjë lloj kompleksi me këtë çështje. Objektivi ynë është që ne, të shndërrohemi në një forcë parlamentare dhe më pas në funksion të mandatit të qytetarëve shqiptarë, do të marrin edhe ne vendimet tona.

Partitë e mëdha politike në këtë fushata elektorale ndryshe nga herët e tjera kanë ndryshuar strategji. Bëjnë propagandë me premtimet e tyre, por deri tani asnjëra prej tyre nuk ka prezantuar nga fillimi në fund një program ekonomik i cili do të nxjerrë vendin nga kriza. Si e shpjegoni një gjë të tillë?

Personalisht, për aq sa kam mundur të ndjek fushatën elektorale edhe të grupimeve të tjera politike nuk më ka mbetur në mend, në asnjë moment të vetëm, ndonjë debat apo premtim që ka të bëjë me ekonominë, me pronën, me punësimin apo shëndetësinë. Ajo që u ka mbetur në mend qytetarëve deri tani janë pak a shumë këto fjalë: çadra, timoni, tepsia. Nga ana tjetër, thirrja pa asnjë lloj sensi e liderëve të këtyre grupimeve politike për të mos votuar grupimet e reja, apo të vogla politike, duke i konsideruar ato si të keqen më të madhe të demokracisë, tregon varfërinë e ofertës së tyre politike për qytetarët shqiptarë. Në fakt është krejt e kundërta; Shqipëria e ka provuar njëherë çfarë do të thotë të ketë një sistem monokratik. Sot shqiptarët shkojnë në këto votime duke pasur të gjitha grupimet politike parlamentare së bashku në një koalicion bashkëqeverisje. Sot, PS-PD-LSI bashkëqeverisin. Dhe, është paradoks: këto grupime që bashkëqeverisin, që nuk e prishin qeverinë, akuzojnë njëra tjetrën në fushatë, i bëjnë thirrje qytetarëve që t’i votojnë secilin prej tyre. Kjo lloj politike ka krijuar në fakt një monopol politik, që në rast se qytetarët shqiptarë nuk e ndëshkojnë me votë atëherë të humburit e mëdhenj pas 25 qershorit do të jenë vetë ata, qytetarët shqiptarë.

A ka një bashkëpunim midis partive të vogla për të mbrojtur votat e tyre në 25 qershor nisur nga shembulli i rastit të fundit i bashkëpunimit LSI-PDIU?

Ne, si Frymë e Re Demokratike nuk kemi asnjë akord, me asnjë parti politike, për të mbrojtur votat tona. Faktikisht është një non sens për një vend anëtar të NATO-s, një vend i cili pretendon se ka një sistem demokratik, shqetësimi kryesor i të gjitha subjekteve të jetë mbrojtja e votës.

Megjithatë FRD është optimiste, jo për faktin se besojmë se këta grupime politike me 25 qershor do të kenë një sjellje perëndimore politike, por për faktin se tashmë të gjitha forcat janë, secila, në korsinë e vet.

Besojmë se monitorimi ndërkombëtar i zgjedhjeve do të jetë tepër prezent si dhe nga ana tjetër, praktike, fleta e votimit tashmë përmban më pak subjekte, 18 në raport me 66 subjekte që ishin vitet e kaluara. Kështu vëzhguesit tanë do ta kenë më të lehtë të identifikojnë votat për FRD dhe besojmë se rezultati këtë herë do të jetë i pa deformuar.

Intervistoi: Orest Çipa/http://tiranatoday.com

Share: