Home KRYESORE Nikollë Lesi: Pse Meta zbriti në fushën e luftës…

Nikollë Lesi: Pse Meta zbriti në fushën e luftës…

– “Rama dhe Basha janë bërë si dy pika uji, por Basha nuk shoqërohet me kriminelë. Pse Basha nuk po flet më për rrezikun e drogës për zgjedhjet?”

-“E sigurtë që Edi Rama nuk do jetë më kryeministër pas 25 qershorit”.

Më në fund Ilir Meta zbriti vetë në fushën e betejës. Duroi e duroi për të mos zbritur në fushën e LSI, ndonëse i hanin duart, por kur shikonte se si po synonin t’ia copëtonin kështjellën e tij LSI, vendosi të dalë vetë në tapet. Zbriti nga kali i Presidentit.

Dyshja Basha-Rama në një akord përfekt donin të zhbënin LSI, e cila shikohet si pengesë e vazhdimit të dashurisë se tyre politike. Ilir Meta tashmë ka hyrë personalisht në ring. Ka tre ditë që e ka veshur “jelekun e luftës” i detyruar nga pazari Basha-Rama, të cilët duan të vendosin një regjim dyshe duke shkatërruar demokracinë.

Me një zemërim të ligjshëm, me një reagim publik tek Blendi Fevziu nga pabesia e Ramës, të cilit i dha karriken, Ilir Meta po gjuan dhe nuk ndalon. Bile lufta do jetë me egër në ditët në vijim. Ai tha se Basha-Rama ka ngritur një Task Force si Gestapo e kohës së Hitlerit që bën presion dhe sakaton administratën shtetore për interesa të PD dhe PS. Ilir Meta foli pra publikut se kjo nuk është marrëveshje PS-PD, por një pazar i pastër i dy personave të zënë në hall, ku njeri nuk do të lëshonte karriken e kryeministrit, ndërsa tjetri për të ruajtur karriken e kryetarit të PD. Dhe u bashkuan e punojnë duke ndihmuar njeri tjetrin në hallet e tyre personale.

Edhe Rama, edhe Basha ia njohin bujarinë Ilir Metës sepse e kanë provuar mbajtjen e fjalës nga ana e Ilir Metës; Rama në vitin 2000 kur e bëri kryetar të bashkisë së Tiranës, me 2007 kur përsëri e ribëri kryetar të bashkisë së Tiranës, mëgjithëse Edi Rama u fsheh pasi i botuan fotot nudo; por edhe Lul Basha pa Ilir Metën kurrë nuk do të mund të bëhej kryetar bashkie me 2011.

Ndërkohë, shpërblimi i tyre ka qenë pabesia dhe goditjet pas shpine. Mirëpo të dy, edhe Rama, edhe Basha ia njohin edhe zemërimin Metës e pikërisht për këtë fakt nuk do të duhej ta provokonin paanësisht zemërimin e Metës se ky zemërim kthehet në uragan për cilindo e jo më për frikacakë si ata! Ndaj nga pazari i fëlliqur i tyre doli Meta publikisht në “fushën e luftës”. Basha-Rama duan të vendosin një Republikë dyshe dhe duke kontrolluar çdo institucion shtetore dhe të pavarur. Realisht kjo mbetet e rrezikshme për shoqërinë shqiptare.

Ilir Meta i detyroi me mirëbesim të bënin marrëveshjen për të zgjidhur krizen politike e për të çuar vendin normalisht në zgjedhje me opoziten, ndërsa Rama me dinakerinë e tij tipike e sugjestionojë Lulin dhe pasi ja zuri fytin me OSHE-të e ca thela të tjera nga tepsia e tij, e ndërseu kundër LSI-së, sepse i vetmi rival i Rames është vetëm Ilir Meta.

Ilir Meta është pengesa e vetme përballë arrogancës dhe makuterisë së tij për pushtet sulltanor si Erdogani. Ndërsa Lulzim Basha që të vetmen betejë të jetës së tij e ka fituar vetëm nga mbështetja e Ilir Metës, është thjesht marioneta e rradhës në duart e një makiavelisti si Edi Rama, që me naivitet pranoi thjesht e vetëm të përdorej për të kënaqur epshet politike të Edi Ramës.

Ilir Meta mund të ketë plot gabime, por në rastin e këtyre të dyve, i ka ndihmuar pa hile dhe me burrëri. Në këtë rast ai ka të drejtë sepse modeli që aspiron Rama është një model në thelb antidemokratik dhe uzurpues. Edi Rama po e përdor Lulzim Bashën në këtë vorbull antidemokratike, pasi Basha ka hallin e tij në korrik kur do të bëhen zgjedhjet në PD për kryetar.

Ilir Meta tha se LSI do jetë forca që do krijojë qeverinë e re me forcat e tjera politike që respektojnë rregullat demokratike.

Mbrëmë te Blendi Fevziu ai kërkoi publikisht që të vijnë në debat Edi Rama dhe Lulzim Basha përballë tij si ish-kryetar i LSI. Po të duan bashkë të dy ose veçmas, tha ai. Përveç këtyre akuzave te forta pohoi me siguri se Edi Rama nuk do jetë më kryeministër pas 25 qershorit.

Ilir Meta zbriti në ring. /KohaJone/

Share: