Një tjetër incident elektoral në Gramzh, ku një biznesmen është kërcënuar nga tre persona para dyqanit te tij. Specialistët për Krimet, në Komisariatin e Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori për procedim në gjëndje të lire në ngarkim të 3 shtetasve:
– B.B., 35 vjeç
– V.B., 31 vjeç
– M.H., 25 vjeç, të tre banues në Gramsh.
Ata, si përfaqësues të një subjekti politik në Gramsh, dyshohen të kenë kanosur shtetasin A.XH, 37 vjeç, banues në Gramsh, para dyqanit të tij. Sakaq, u referuan materialet në Prokurori për procedim në gjendje të lire në ngarkim edhe të shtetasit Aurel Qafokun, 40 vjeç banues në Tiranë.
Ai është administratori i një lokali në qytetin e Gramshit, dhe ka kanosur kryetarin e FRESSH-it në këtë qytet, Enio Zanin 26-vjeç, kur ky i fundit shkoi në lokal së bashku me anëtarët e forcës së tij politike. Sherri ka ndodhur në lokalin që kishte me qira kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Admirim Kalaj.
Në momentin që kreu i FRESSH, Zani bashkë me anëtarë të tjerë të PS kishin shkuar të shpërndanin fletëpalosje në mbështetje të Partisë Socialiste, administratori Aurel Qafoku e ka marrë si provokim duke i përzënë me forcë.
Shprehja që ka përsëritur tre herë Qafoku ishte: “Në lokalin tim nuk dua të shpërndahen fletëpalosje të asnjë force politike. Të lutem largohu”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” parashikuar nga neni 329 i Kodit Penal./lapsi.al