E gjitha nisi nga një batutë blasfemike imja: “Të qe në Shqipëri, Juda s’do qe tradhëtori por i tradhëtuari”. Kot për argëtim kafeje nisëm tjerrjen: “Ore vërtet, po sikur tradhëtar të qe Jezusi”? “Po ç’kuptim ka që lideri të krijojë një grup, ta udhëheq atë, me qëllimin për ta tradhëtuar”?
Rrëmuam nëpër histori e letërsi për të gjetur raste ku lideri ia fut ndjekësve, por dështuam rregullisht. Gjetëm raste ku vëllai ia fut vëllait për t’i marrë pushtetin, si tek Hamleti, kemi nipin, si rasti i Hamza Kastriotit me Skënderbeun, por nuk gjetëm udhëheqës që tradhëton pasuesit.
KTHEHEMI NË DITËT TONA, NË POLITIKËN SHQIPTARE DHE BËJMË PYETJET: A MUNDET TË TRADHËTOJË NJË LIDER ATA QË DREJTON DHE PSE?
Nëse udhëheqësi i ngul thikën pas shpine atyre që po udhëheq, së pari tregon se në vetvete nuk është AI udhëheqësi, por një vartës që po punon si i tillë për llogari të dikujt tjetri. Pra është administrator a satrap i fshehur nën petkat e njëshit. Ky koncept ka hyrë në fjalor edhe si “kolona e pestë”, një grup a individ i fshehtë në rradhët e kundërshtarit , për ta luftuar nga brenda.
Po ç’interes ka një individ, që e ka pushtetin e plotë mbi një grup të caktuar që të vihet nën autoritetin e dikujt tjetër?
– Mundet që autoriteti tjetër ta ketë kapur e shantazhuar me një mëkat të mëparshëm? Do të thotë jo vetëm një lider tjetër, por mbase edhe një person i afërt, ta zemë bashkëshortja a, vëllai a….
– Mundet që nuk e ka të plotë autoritetin mbi ndjekësit? Do të thotë që aty ka një a më shumë individë me influencë që nuk ia lejojnë kontrollin e plotë?
– Mundet që nuk ka frymëzimin dhe përkushtimin e duhur për një mision të tillë? Sepse lider lind e nuk ta bën njeri dhuratë.
Në çdo rrethanë na del se tradhëtari nuk është kurrë lider dhe lideri kurrë tradhëtar i atyre që e ndjekin.
Pra duke i kërkuar me përunjësi ndjesë për blasfeminë, që e morëm si premisë të hipotezës, mund të themi tani se paradigma e Judës-tradhëtar e Krishtit – lider ka gjithë kuptimin dhe logjikën e botës dhe historisë njerëzore. E kundërta është absurde.
Atëhere pse duhet të ndodhë pikërisht ky absurditet në politikën shqiptare?