Home KRYESORE Edi Rama zbulon idenë e tij për qeverinë e re

Edi Rama zbulon idenë e tij për qeverinë e re

EDI RAMA: PLATFORMA SHQIPERIA QE DUAM

Faleminderit për mbi 6000 komentet në postimin e mëparshëm.

Sapo kemi përfunduar një diskutim paraprak mbi të dhënat kryesore që skuadra e shënimeve, ka marrë prej tyre. Janë të dhëna shumë të vlefshme, për të nxjerrë përmes instrumentave analitikë e statistikorë, jo thjesht opinionet e sugjerimet mbizotëruese, po edhe ndjesitë e brendshme, emocionet tuaja pozitive e negative. Të cilat janë shumë të nevojshme për t’i dhënë qeverisjes së re, pulsin e njerëzve të zakonshëm. Edhe njëherë faleminderit.

Ndërkohë, punova paralelisht sot për piketat e reflektimit të thellë që do të nisim nga e hëna, mbi mandatin 2013 – 2017 dhe mësimet e tij, në tre plane: Në planin e jetës parlamentare, të funksionimit të qeverisjes e të organizimit dhe aktivitetit të parties.

Gjithashtu, duke e parë me entuziazëm volumin e reagimit tuaj surprizues për postimin e djeshëm, porosita fillimin e punës për ndërtimin e një strukture digjitale të bashkëqeverisjes me ju.

Ideja shumë fillestare për këtë, është krijimi i një platforme të hapur komunikimi e ndërveprimi, “Shqipëria që duam”.

E cila do të shërbejë për t’ju dëgjuar në kohë reale për çështje të aktualitetit politik e qeverisës; për të diskutuar me ju reforma e masa të rëndësishme dhe mundësuar ndikimin tuaj mbi politikat qeverisëse në çdo sektor e mbi punën e çdo ministrie apo institucioni të varësisë; për të luftuar së bashku korrupsionin, evidentuar tepsixhinjtë apo parazitët e çdo niveli, duke i goditur me zero tolerancë e nxitur zgjidhjen e ndershme të problemeve komunitare apo vetjake të kujtdo prej jush.

Dua që qeveria e re të jetë një koalicion real me njerëzit e zakonshëm dhe së bashku të rrëzojmë sa të mundim, muret qorre e shurdhe të godinave të shtetit, ndaj jush. Nga bulevardi i Tiranës deri në çdo pikë të vendit, ata që paguhen prej jush për të bërë punën e shtetit për ju, ose duhet të punojnë siç e do puna, ose pastaj duhet të kenë punë me ne.

E di mirë besomëni, se sa i madh është ky det i tërë nga e thëna në të bërë, por e di po ashtu se nëse nuk më lini vetëm, s’ka det që nuk e kapërcejmë dot së bashku.

Share: