Home KRYESORE Enver Hoxha me Facebook. Nga Desada Metaj

Enver Hoxha me Facebook. Nga Desada Metaj

Në Shqipëri mund të ketë 200-300 a më shumë burokratë, të paaftë, njerëz të emëruar politikisht, hajdutë apo të korruptuar që mbajnë poste të larta në administratë apo janë pjesë e sistemit gjyqësor.

Dhe të gjithë jemi dëshmitarë se ky shtet ka probleme të mëdha që duhen zgjidhur sa më shpejt dhe me kritere të qarta ligjore, të pranuara nga të gjithë. Por ka një njeri që nuk mendon kështu, që këto ditë të nxehta vere i kalon duke “kërkuar mendime” si të qeverisë dhe duke publikuar spiunlliqe online. Kryeministri i Shqipërisë në një rast të paprecedent dhe të padëgjuar më parë ka publikuar sot një listë me 100 emra nëpunësish dhe zyrtarësh, që janë pjesë e administratës apo e sistemit të drejtësisë, por që sipas spiunëve të tij online janë “e keqja” e madhe e mosfunksionimit mirë të shtetit.

Për ata që kanë jetuar apo dëgjuar për diktaturën, publikimi i sotëm i 100 emrave ngjason shumë me gjyqet publike, me shpalljen e “armiqve të popullit”, me një fletërrufe gjigante. Nga ato me të cilat Edi Rama tallej dikur, por që thellë në subkoshiencë i janë rikthyer dhe po tregojnë çfarë është ai në të vërtetë. Një diktator i vogël, i rrethuar nga oborri i servilëve që kënaqen dhe fërkojnë barkun me emrat e “listës së armiqve”, si dhe nga një shpurë spiunësh që sot ndihen të vlerësuar maksimalisht, jo nga komshinjtë dhe shokët, por nga vetë kryeministri.

Marrja e opinioneve online vërtet mund t’i shërbejë Ramës si mjet propogande në një shoqëri si kjo e jona, që për gati pesë dekada u ushqye më shumë me hipokrizinë sesa me të vërtetën, më shumë me servilizmin, sesa me dinjitetin, më shumë me hilen sesa me punën, më shumë me vesin sesa me virtytin, më shumë me partinë sesa me shtetin.

Por, publikimi si një analizë serioze nga kryeministri i opinioneve të paverifikuara si të vërteta nuk e ndihmon dot Ramën të thotë fjalinë e tij të preferuar se po bën shtet. Kjo do të thotë thjeshtë dhe qartë se Edi Rama po bën partinë shtet.

Sepse, së pari, në atë listë zyrtarësh, pjesa më e madhe janë administratë e lartë, nga ajo që socialistët janë kujdesur t’a mbushin me njerëzit e tyre. Së dyti, kjo “dacibao”, shërben edhe për të larguar përfundimisht ata pak zyrtarë të LSI-së që kanë mbetur ende në zyra. Dhe më e rënda, një kryeministër që ka kënduar për dy vjet me radhë refrenin e Vetting-ut, merr përsipër të gjykojë nga spiunlliqet online edhe gjykatës apo prokurorë. Duke mos fshehur dot ëndrrën e madhe të kontrollit të çdo pushteti, edhe të atij që të paktën në dukje është i pavarur.

Të gjithë këtë proces të veshur me emrin “denoncim online”, Edi Rama po e shijon si ata që shkruajnë komente me fjalë të ndyra poshtë shkrimeve të publikuara online. Sepse në thelb, çdo koment i paverifikuar dhe lëhtësisht i manipulueshëm në çdo faqe online, është i ngjashëm me sharjet dhe fyerjet poshtë shkrimeve, por që të paktën askush deri më sot nuk i ka përmbledhur në një raport e t’i bëjë publike.

Dikush, me njohuri juridike, duhet t’i thotë kryeministrit se që nga sot, ndoshta mund të ketë pak më shumë punë me drejtësinë. Sepse, publikimi i emrit të një qytetari në një listë të tillë linçuese pa fakte, pa prova, është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e disa ligjeve të tjera që mbrojnë qytetarin dhe zyrtarin nga abuzimi i qeverisë. Unë nuk di se çfarë ka thënë më shumë Sali Berisha, Edi Paloka apo Arben Ristani që janë përballur gjyqeve me Edi Ramën dhe familjen e tij për akuzën e shpifjes. Realisht nuk kuptoj çfarë fyerje më të madhe ka për një nëpunës të shtetit që papritur e gjen emrin në një listë të zezë thashethemesh kryeministrore.

Edhe, pse e kuptoj qartë se pjesa më e madhe e tyre ndihen të trembur për karrigen, që shohin me dëshpërim çdo lëvizje të eprorëve, që shajnë e mallkojnë ata që i kanë sharë, prapë besoj se mes asaj liste do ketë nga ata që do e ngrenë zërin dhe do denoncojnë këtë mënyrë jodemokratike të të bërit shtet.

Mendoj ende se pavarësisht përçudnimit që politika i ka bërë moralit të administratës, do gjendet dikush që të nisë një procedurë ligjore ndaj kësaj mendësie diktatoriale për të fyer, poshtëruar dhe për të sunduar nëpunësit e një shteti që nuk funksionon siç duhet. Dhe për këtë në 2017-ën nuk vlen më justifikimi: “shoku Enver nuk i di gjërat”. Tani, shoku Enver është bërë me Facebook…/Opinion.al

Share: