Home KRYESORE Erdogan akuzon për spiunazh qeverinë gjermane!

Erdogan akuzon për spiunazh qeverinë gjermane!

Turqia vazhdon linjën e saj të ashpër me Berlinin e gati tre javë pas arrestimit të aktivistit gjerman të të drejtave të njeriut, Peter Steudtner, presidenti Erdogan ngre akuza për spiunazh ndaj qeverisë gjermane.

Në fjalimin e mbajtur në Parlament, kreu i shtetit turk u shpreh ndër të tjera, se Steudtner kishte planifikuar një kryengritje në Turqi dhe se prangosjen e ka hak. “Kritikohemi se jemi duke shkaktuar një krizë diplomatike kur në fakt, në Turqi po arrestohen njerëz për aktivitet spiunazhi”, deklaroi Erdogan. Ekzekutivi gjerman, shtoi ai, ia ka refuzuar ministrave turq daljet publike në Gjermani, por “ama agjentët e tij mblidhen nëpër hotele dhe përçajnë vendin tim”.

Akuza kryesore e Ankarasë ndaj Berlinit është se mbron militantët kurdë dhe të majtët si dhe personat, që kanë qenë të përfshirë në grushtin e dështuar të shtetit. Erdogan shfaqet sfidues dhe deklaratave se ndalimi i aktivistit gjerman mund t’i sjellë Turqisë sanksione, i përgjigjet duke thënë se vendi i tij nuk lejon të frikësohet përmes bllokadave tregtare.

Gjermania, sipas presidentit turk, duhet të marrë parasysh që edhe vetë do të paguajë një çmim të lartë. Steudtner dhe kolegu i tij suedez Ali Gharavi drejtonin së bashku një “workshop” disa ditor për aktivistët e të drejtave të njeriut në afërsi të Stambollit kur papritur ne 5 korrik, policia ndërhyri dhe i arrestoi të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë drejtoren e degës së Amnesty International për Turqinë, Idil Eser./lapsi.al

Share: