Home KRYESORE Fenomeni Arselajda: SHBA e dashuroi për atë që Shqipëria s’e deshi…

Fenomeni Arselajda: SHBA e dashuroi për atë që Shqipëria s’e deshi…

“Përshëndetje. Je sais que tu parles tres bien français” Kështu u prezantua Arselajda Buraku për herë të parë në emisionin “Zonë e Lirë”. Mes 10 vajzave modele, asokohe 18-vjeçe, kishte bërë disa shërbime fotografike me Sonny K. Elson dhe njihej pak.

E nisi duke treguar se, përveçse është modele, di edhe gjuhë të huaja. Një vit më vonë, Arselajda Buraku do të bëhej pjesë e vajzave të “Telebingos”, së bashku me disa modele të njohura, si: Kristina Bakiu, Alesia Noka apo Megi Ndokaj.

Kërcente, buzëqeshte dhe bënte gjithçka duhej për rolin e velinës, madje dukej se e shijonte shumë. Megjithatë, edhe pse në një pozicion ku i duhej të qeshte shumë dhe të fliste pak, Arselajda shfaqte një qëndrim kryelartë, të dikujt që di më shumë sesa shpreh.

Shumë prej nesh mund ta kenë të vështirë të gjejnë një lidhje logjike mes një profesioni që bazohet tek sipërfaqësorja, modelingu, dhe zgjuarsisë.

Por mesa duket, inteligjenca dhe karakteri pasqyrohen tek pamja e jashtme- vështrimi, qëndrimi- më shumë sesa mund ta mendojmë. Në 2014-ën, vajza nga Rubiku nisi rrugëtimin drejt SHBA-ve “vetëm me një valixhe në dorë”. Sot, 23- vjeçarja Arselajda Buraku po korr frytet e guximit për të ndjekur ëndrrën, duke e nisur si çdo emigrant tjetër që “lan pjatat”. Ishte një mision thellësisht vetjak, por historia e Arselajda Burakut duhet të jetë frymëzim për shumë vajza shqiptare.

Këtë vit ka tejkaluar pritshmëritë duke u shfaqur në disa nga revistat më prestigjioze të modës, si: “Elle”, “L’Officiel” dhe sot tregoi një tjetër sukses, si pjesë e një editoriali për flokët tek numri i ri i “Allure”.

Fytyra e saj po pëlqehet shumë nga fotografët e huaj, jo sepse ka buzë shumë të plota, sy jeshilë apo hundë të drejtë të mprehtë. Njësoj si tek supermodelet Naomi Campbell apo Gisele Bundchen, fotografët ndërkombëtarë të fashion-it kërkojnë fytyra ekspresive, që përçojnë personalitet. Arselajda Buraku është, siç do të thonin amerikanët: “fierce”.

Aq sa, ka tërhequr vëmendjen e revistave më të rëndësishme kulturore, si “W” apo “Paper mag”. Madje “W” realizoi një dokumentar të shkurtër ku tregonte si Arselajda Buraku ia doli të fitonte në SHBA jo vetëm suksesin, por edhe besimin tek vetja dhe dashurinë për trupin e vet. Megjithatë, kur u shpreh se “në Shqipëri nuk mund të jesh asnjëherë plotësisht e lirë dhe gjykohesh nëse lyen flokët në mënyrë të çuditshme”, pati reagime.

Gjatë një interviste të fundit për “Wake Up”- këtë herë në cilësinë e modeles me sukses botëror- Arselajda u detyrua ta sqaronte duke shpjeguar se, ndonëse ia di vlerat njerëzve të vet, janë njerëzit ata që nuk ia shprehën vlerësimin: Në atë intervistë janë prerë shumë sekuenca.

Unë i di mirë vlerat e kombit tim, si malësore, si mirditore. Si nga bukuria e jashtëzakonshme, ashtu edhe njerëzit. Nuk kam dashur të bëj anti-reklamë, por mbase nuk e vlerësuan aq sa duhet pamjen time këtu.” Për kujtesë, në një intervistë të mëparshme për “Papermag”, Buraku tregoi se ndër të tjera, i pëlqen shumë të lexojë një poet shqiptar: Gjergj Fishtën.

Edhe pse prapë, nuk ka ndonjë lidhje të dukshme mes njohurisë për artin dhe letërsinë dhe sipërfaqësores, mesa duket lentet e fotografëve të huaj arrijnë të dallojnë atë elementin e veçantë, që buron drejtpërdrejt nga mendja./Anabel.al

Share: