Home KRYESORE Fjalët prekëse të familjes së vajzave të mbytura për djalin nga Tetova

Fjalët prekëse të familjes së vajzave të mbytura për djalin nga Tetova

Në familjen e Manuela Maraj, e cila u mbyt tragjikisht në fundjavë bashkë me 25-vjeçaren Xhoana Cani dhe djalin nga Tetova, Benjamin Ferati, ka pllakosur zija.

27-vjeçarja jetonte së bashku me të shoqin dhe dy fëmijët e saj në një pallat në lagjen “Pavarësia”. Mbarime Maraj, vjehrra e Manuelës dhe gjyshja e Xhoanës, nuk mundet t’i mbajë lotët për këtë tragjedi të ndodhur në familjen e saj. Në emër të familjes së saj, Mbarimja i kërkon ndjesë familjes së 24-vjeçarit nga Tetova, i cili sipas saj vdiq si hero për të shpëtuar jetën e dy vajzave.

Znj. Mbarime, ju e kishit nusen e djalit Manuelën dhe mbesë Xhoanën… Kishin shkuar më parë ato në atë plazh?

Unë jam vjehrra e Manuelës dhe Xhoana ishte mbesa ime, pra, vajza e çupës sime. Vetëm pak ditë më parë, Manuela më tha se kishte gjetur një vend shumë të mirë për plazh. Kishin shkuar në Zvërnec për plazh dhe duke eksploruar zonën kishin gjetur edhe këtë vend që paska qenë i mallkuar. Manuela më ka lënë dy fëmijë jetimë, më ka lënë djalin, burrin e saj. Edhe mbesa ka lënë një fëmijë të mitur. Kjo është një tragjedi shumë e madhe për familjen time që nuk gjej fjalë ta përshkruaj.

A ishit në dijeni ju se kjo zonë kishte rryma dhe ishte shumë e rrezikshme?

Jo, unë nuk e dija. Por as vajzat nuk e kanë ditur absolutisht këtë gjë. Aty nuk ka asgjë paralajmëruese se zona është e rrezikshme. Po ta kishin ditur s’kishin pse venin pikërisht aty. Manuela thjesht më tha se kishte zbuluar një zonë të mirë e të qetë për plazh, por vetëm kaq. Më tha se do të shkonte ndonjë fundjavë. Ajo nuk e dinte se ishte me rrezik. U nisën të shtunën pa djalin (bashkëshortin e Manuelës), bashkë me Xhoanën dhe Xhensilën. Por ja që ndodhi kjo që na ndodhi…

Çfarë kërkoni sot nga shteti?

Çfarë të kërkoj sot unë?… Kërkoj të bëhet shtet, të ketë rojë bregdetare, të ketë polici, pasi në raste të tilla padyshim që nuk do të kishim një tragjedi të tillë. Vajzat por edhe djali nga Tetova do të kishin shpëtuar dhe do të ishin gjallë sot. Nuk i kërkoj ndihmë shtetit, i kërkoj thjesht të bëhet shtet dhe të vendosen rojë bregdetare, për të mos pasur më ngjarje të tilla. Kam humbur djalin në vitin 1997 dhe nuk kam gjetur asnjëherë drejtësi, ndaj çfarë mund të kërkoj sot? Djalin tim në atë vit të mbrapshtë e kanë vrarë dhe sot ne e kujtojmë, por drejtësi nuk ka. Ndaj edhe unë sot kërkoj vetëm drejtësi, kërkoj të bëhet shtet dhe të vendosen rojë dhe polici në plazhe, atë duam. Shteti nuk duhet të tallet, Edi Rama duhet të bëjë shtet, jo për të mirën e tij, por për qytetarët e vet. E theksoj se nëse do të kishte roje bregdetare, atëherë edhe ato do të kishin shpëtuar. Përse duhet ta ndërhyjë plazhisti që shkon për qejfin e tij në plazh për të shpëtuar një jetë në det? Duhen me patjetër rojë për këtë punë që të shpëtohen jetët.

Znj. Mbarime, në këtë tragjedi humbi jetën edhe një i ri nga Tetova, i cili u fut të shpëtonte Manuelën dhe Xhoanën. A keni një mesazh ju për familjen e tij?

Po. Të më falë ajo familja nga Tetova… Ai djali hero u fut për të shpëtuar dy çupat e mija dhe humbi jetën. Ai kishte ardhur për tjetër gjë në Vlorë, kishte ardhur për pushimet e tij dhe humbi jetën si hero. Ne do ta falënderojmë dhe i jemi mirënjohëse për të gjithë jetën. Atij i iku jeta për të shpëtuar dy vajzat.

A do ta ndiqni çështjen ligjërisht?

Nuk e di akoma nëse do ta ndjek çështjen ligjërisht, do të mbledh fëmijët dhe do të flasim. Sot nuk e di, pasi dje varrosa dy vajzat, sot nuk e di çfarë do të bëjmë. Ne nuk kërkojmë lëmoshë nga shteti, kërkojmë që të bëhet shtet. Fëmijët do t’i rrisim vetë. Shteti të vendosë rregulla, asgjë më shumë, mos të kemi të tjera ngjarje të tilla të rënda. Shpresojmë mos të dëgjojë më për tragjedi të tilla.Panorama

Share: