Home KRYESORE Harxhi dhe Zekthi duhet ti kishin bërë gati valixhet që në vitin...

Harxhi dhe Zekthi duhet ti kishin bërë gati valixhet që në vitin e largët 1991…

Nga Gavrosh Levonja

Në emisionin e Eni Vasilit, Edit Harxhi, kritike e mënyrës si operoi Basha pas disfatës në zgjedhjet parlamentare dhe Fitim Zekthi, i cili i jepte të drejtë kreut të partisë si argument themelor në replikat e tyre përdornin djathtizmin dhe konservatorizmin.

Termat i djathtë apo konservator, u përdorën në të gjitha trajtat e mundshme; si cilësor, në vetën e parë apo të dytë ku debatuesit herë i drejtoheshin partnerit herë duke i vënë në dukje se si “konservator’ nuk duhej të binte në pozita të tilla herë mbroheshin duke pretenduar se si e djathtë a konservator nuk mund të pajtohej me këtë apo atë veprim.

Me pak fjalë gjatë emisionit gjëra që kishin të bënin me djathtizmin e konservatorizmin u përmendën 27 herë aq sa pata durimin për të numëruar. Pa u hequr të drejtën për të pretenduar se janë të djathtë ose konservatorë, Harxhit dhe Zekthit, më duket disi e habitshme se si këta pretendojnë të zbatohen poltika konservatore në një parti politike vija politike e së cilës, duke lënë mënjanë fjalët e sloganet, në vija të përgjithshme, ka zbatuar një politikë majtiste.

Nëse Harxhi dhe Zekthi do të ishin djathtistë të thekur siç pretendonin në emisionin e Eni Vasilit, duhej të kishin bërë gati bagazhet për t’u larguar nga PD që në vitin 1991, kur kjo parti votonte ligjin famëkeq 7501, I cili përjetësonte shpronësimet e bëra nga Enver Hoxha, që athere kur Pjetër Arbnori deklaronte se “ne nuk do t’u japim tokat Toptanëve dhe latifondistëve, kur Berisha zotohej se PD do të krijonte 200 mijë pronarë, kur qeveria e PD-së në vitet 90 lejoi grabitjen e tokave për të luajtur më vonë farsën e legalizimit.

Nëse pretendohet për djathtizëm e konservatorizëm, këto, më duket se janë shumë më të rëndësishme lidhur me përcaktimin e pozicionit të një partie se sa fakti që a duhet të fitojë kryetari me 92 % të votave, nëse duhej te jepte dotëheqjen apo jo, nëse gara ishte e ndershme etj…

Share: