Home KRYESORE Ja si u përlesh argjendari me grabitësin me pistoletë në dorë

Ja si u përlesh argjendari me grabitësin me pistoletë në dorë

Pronari i një argjendarie në Tiranë mbeti i plagosur mëngjesin e djeshëm gjatë një tentative grabitjeje nga një person ende i paidentifikuar.

Argjendari i plagosur është Vangjel Kashara, 28-vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës, shkruan “Panorama”.

Autori i dyshuar i ngjarjes, ende nuk është identifikuar nga Policia, që momentalisht ka në dorë vetëm identikitin e tij, të ndërtuar nga deklarimet e të dëmtuarit e dëshmitarëve. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 09:30, para argjendarisë “Kashara”, që ndodhet pranë “Medresesë”, te Rruga e Dibrës, në pronësi të 28-vjeçarit që mbeti i plagosur.

Nga të dhënat e para hetimore rezulton se, autori i armatosur është futur në ambientet e brendshme të argjendarisë me qëllim për të grabitur. Por në momentin që i ka drejtuar armën Vangjel Kasharës, që ndodhej në dyqan, ka hasur në rezistencën e tij.

Kur grabitësi i ka kërkuar 28-vjeçarit paratë dhe bizhuteritë që ndodheshin në banak, duke e kërcënuar me armë, pronari i ka kapur pistoletën dhe është përleshur me të duke e nxjerrë jashtë.

Në përleshje e sipër, në trotuarin para dyqanit, autori ka shkrepur dy herë pistoletën dhe është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Një nga plumbat ka goditur pronarin e argjendarisë, mes supit dhe qafës duke e lënë të plagosur.

Kanë qenë dëshmitarët që kanë telefonuar në numrin e emergjencave dhe shërbimet e Komisariatit nr.4 kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës në një zonë me lëvizje dhe popullim të konsiderueshëm pranë qendrës së kryeqytetit.

Edhe pse në gjendje të rëndë, ai ka arritur të japë deklarimet e tij para hetuesve, duke i ndihmuar në ndërtimin e një identikiti. Sipas tij, grabitësi ka qenë një person i vetëm, i pamaskuar dhe që kishte pak a shumë moshën e tij.

Autori ka qenë i veshur me rroba të bardha dhe është i gjatë rreth 160 centimetër. Të njëjtin përshkrim kanë dhënë edhe disa dëshmitarë të ngjarjes, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin kur grabitësi ka qëlluar me armë dhe më pas është larguar.

Policia e Tiranës ka ngritur disa postblloqe dhe ka kryer kontrolle në zona të ndryshme për arrestimin e autorit, që deri në orët e mbrëmjes ende nuk ishte ndaluar./lapsi.al

Share: