Deputetja e LSI-së, njëherësh dhe nënkryetare e kësaj partie Kejdi Mehmetaj, e ftuar në Ora News, thotë se LSI ka qenë një opozitë e fortë brenda vetë qeverisjes me PS.
Mehmetaj: LSI nuk po e ngre tani zërin. Kemi folur për kanabizimin e Shqipërisë, Ministrin Manjani nga radhët e LSI është shkarkuar nga detyra nga kryeministri i Rilindjes Edi Rama vetëm sepse publikisht foli për kanabisin dhe nevojën e menjëherëshme dhe të domosdoshme që Shqipëria kishte kundër këtij fenomeni. Ajo që u tha sot nga kryetarja e LSI ishte se ne po mbajmë tani përgjegjësinë e asaj vote që nuk duhet të kishim dhënë qoftë edhe si pjesë e një qeverisje.
Duke analizuar zgjedhjet, Mehmetaj thotë se krimi elektoral në 25 qershor ishte i paprecedentë.
Sipas saj, janë të dokumentuara me foto dhe me zë, rastet ku makina të policisë me policë brenda shpërndanin para në kërkim të votës.
Mehmetaj: LSI do të jetë shtëpia e madhe e opozitarizmit jo vetëm për mbështetësit dhe votuesit e saj, por edhe ata demokratë apo socialistë të cilët ndihen thellësisht të zhgënjyer nga kjo qeveri e bërë jo njësh me krimin por është kthyer në krimin dora vetë.Kjo për mua është fushata e 6, por nuk ka ndodhur ndonjëherë krim elektoral si ajo që ndodhi në 25 qershor dhe tre-katër ditë para saj.
Nuk janë hedhur ndonjëherë aq shumë para të paligjshme në fushatë. Për një periudhë gati një javore kursi i këmbëimit të euros kaloi në 120-122 lekë. Kjo ishte në Shqipëri, në asnjë vend tjetër të rajonit. Asnjëherë nuk menduam që një Kryeministër sado i pazoti në detyrën e tij, sado i frikësuar nga humbja do të arrinte në një pikë të tillë.
Një kryeministër që thërret policinë të marrë pjesë në fushatë për mendimin tim duhet të jetë para ligjit dhe jo për të na drejtuar katër vitet e ardhshme. Janë të dokumentuara me foto dhe me zë, rastet ku makina të policisë me policë brenda shpërndanin para në kërkim të votës.