Nga Syrja Kurti
“Për interesat e veta edhe djalli mund të citojë biblën”
(Shekspir)
Gjithnjë më ka pëlqyer kjo shprehje brilante.Dhe sa herë e kam lexuar ose dëgjuar, me sytë e mendjes kam parë dhe kam kujtuar njerëz që kjo thënie i shkon shumë për shtat dhe më është dukur sikur dramaturgu i madh kur e ka thënë, ka pasur parasysh pikërisht këta.
Por ajo që gjithnjë më ka lodhur dhe që vazhdon të më mundojë edhe sot e kësaj dite është një pyetje brenda vetes.Është një dilemë e madhe që kam.A duhen lejuar këta djaj të hiqen si shenjtorë të rremë e të citojnë biblën? Dhe ne të quajmë se e kemi bërë detyrën tonë vetëm duke mos i dëgjuar?A duhet të vazhdojmë t’i tolerojmë më që të ndërhyjnë në ditët tona, të merrren me jetët tona,të vendosin për jetët tona?
Duke u marrë me veten tonë dhe duke mos i vënë veshin citimeve e tyre tyre false, kemi menduar se kaq mjafton.Por jo! Duke i lënë të sillen si të duan dhe të bëjnë çfarë të duan i kemi bërë një shërbim të madh.Kemi lejuar ti dëgjojnë të tjerët.Kemi lejuar që ata të fshehin fytyrën e vërtetë dhe të predikojnë poshtë e përpjetë e të citojnë thënie e fjalë të shenjta.Madje mos u habitni nëse ndonjë ditë do të dëgjoni të thonë të gjithë biblën përmendësh.
Pasi ne i kemi lejuar të vënë maskat që duan, ata janë tallur me ne.Janë tallur me ne dhe me jetët tona..Qytetarinë tonë e kanë marrë për paaftësi,tolerancën tonë për dobësi.Janë tallur me të gjithë.Edhe me ata që i kanë besuar citimeve të tyre por edhe me ne që nuk i kemi dëgjuar.Dhe kur kanë qenë në shoqërinë e njëri -tjetrit, atje ku nuk u duhen maskat kanë qeshur me ne .
Por ata nuk i heqin maskat vetëm në skutat e fshehta të tyre.Provoni t’i prekni pak interesat.Provoni t’I prekni sikur vetëm me një gisht.Blegërimat e deleve kthehen në hungërima ujqërish dhe ata shenjtorët e dashur kthehen në kuçedra.Dhe kur ata tregojnë fytyrën e vërtetë, ju garantoj që djajtë e Dante Aligierit, do të dukeshin si engjëj.
Ndoshta ka ardhur koha që mos t’ë lejojmë askënd të tallet me jetët tona.Të mos lejojmë që të bëjnë pis ditët tona.Të mos i lejojmë më që të citojnë biblën dhe të vetëquhen “të mirët”.Ne nuk jemi shenjtorë por ama nuk jemi as djaj.Ne jemi njerëz dhe mundësisht duhet të sillemi si të tillë.