Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri deklaron se zgjedhjet e ardhshme, ato vendore të 2019-ës, mund të zhvillohen elektronikisht. I ftuar në studion e Report Tv, Zguri u shpreh se nëse ka dakordësi nga forcat politike, koha është e nevojshme për implementimin e votimit elektronik.
“Nëse ka vendimmarrrje për përfshirje e teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme, për mua vlen dhe ka kohë për implementim.
Klasa politike të gjejë gjuhën e përbashkët dhe nëse gjykon se votimi e numërimi elektronik garantojnë zgjedhjet, e ritheksoj koha është e mjaftueshme“, u shpreh Zguri.
Kreu i KQZ, iu referua edhe marrëveshjes së 18 majit mes Ramës dhe Bashës e cila sipas tij rriti besimim e zgjedhjeve. Kjo ishte edhe arsyeja, tha Zguri se pse nuk pati asnjë ankimim në Kolegjin Zgjedhor për procesin zgjedhor.
Ndryshimi i Kodit Zgjedhor:
Kryetari i KQZ, Klement Zguri i mëshoi sërish idesë së ndryshimit të Kodit Zgjedhor me qëllim garantimin e procesit elektoral.
Zguri kërkoi ashpërsim të masave kundër shitblerjes së votave dhe inkrimimit të zgjedhjeve.
“Shitblerja e votave është një fenomen mjaft negativ. Janë 2-3 elementë, dekriminalizimi p.sh, duhet të ndalojë prurjet e asaj kategorie njerëzish me probleme ligjore, se të tillë elementë përdoren edhe gjatë fushatës zgjedhore. Kjo sigurisht që nuk i bën mirë procesit zgjedhor”, tha Zguri.