Kjo nuk është hera e parë që në PD do ketë një garë të vërtetë për të zgjedhur kryetarin dhe këtë e dinë te gjithë ata që kanë hyrë dhe njëherë të vetme në PD. Edhe pse në fakt, duket se i mungon sharmi i 4 viteve më parë, kur Sokol Olldashi me energjinë, pasionin dhe dëshirën për të drejtuar demokratët pas humbjes së zgjedhjeve, ishte konkurrent i vërtetë dhe e nisi betejën pa vënë kushte.
Madje pa patur në krah as disa nga bashkëpuntorët apo miqtë e tij në parti, të cilët duke parë “vështrimin” e Doktorit kishin frikë të takoheshin me Olldashin edhe në kafe. Por ai i shkoi garës deri në fund, nuk u tërhoq edhe kur parregullsitë ishin flagrante, nuk u zemërua me partinë por nisi të bëjë një opozitë model në parlament, nga ato që do i mungojnë për shumë gjatë Shqipërisë.
4 vjet më pas, kur gara është në start dhe emri më serioz e që i jep legjitimitet garës kundër Bashës është ai i Patozit duket se dhe mbështetja për të dhe për grupin e tij është më e madhe dhe më e hapur se në sfidën e kaluar.
Një grup më i madh të pakënaqurish mbështesin atë që konsiderohet binomi Topalli – Patozi. Ka mes tyre demokratë të thjeshtë, njerëz me vlera që besojnë tek e djathta dhe kanë bindjen se partisë i duhet një drejtues i ri. Një prej tyre, i artikuluar qartë, pinjoll i një familjeje me shumë vlera dhe nga të rrallët apo në mos i vetmi përfaqësues i ish të përndjekurve, Tomorr Alizoti ngjall respekt me argumentimet e tij.
Për më tepër që jo vetëm gjatë fushatës e shihje në takime thuajse të përditshme me demokratë apo ish-të përndjekur, të lënë pas dore edhe gjatë 8 viteve të qeverisjes së PD. Ka në grupin anti-Basha edhe nga ata që gjatë kohës që të përndjekurit hynin e dilnin në greva urie, shijonin frytet e pushtetit, që nuk mjaftoheshin vetëm me çfarë firmosnin në bordero por me lakminë e papërmbajtshme nuk dinë ende se ku i kanë llogaritë bankare.
Madje këta, që sot janë dhe më agresivët, në 4 vite opozitë vetëm heshtën, shkuan në Parlament si spektatorë, ndërsa darkave në vilën e Kryeministrit si vizitorë. Këta ish-qeveritarë që karrigen e patën dhuratë nga Berisha, për 4 vjet hynë e dolën në selitë e ambasadave apo në Bruksel me dilemën nëse përfaqësonin PD apo PS në këto takime.
Por, ka në listën e kundërshtarëve të Bashës dhe nga ata që janë në PD, që kanë shijuar frytet e pushtetit 8 vjeçar vetëm e vetëm se kanë qenë apo janë miq e shokë të fëmijëve të Berishës. Madje janë këta që sot ngrenë më shumë zërin për ndikimin e familjes së Lulzim Bashës, a thua se për 8 vjet me radhë nuk ishin ata që përfituan ç’të mundnin në emër të Gitës apo Zenit. Që zemëruan dhe larguan shumë demokratë me arrogancën e tyre e që bënë kërdinë në emër të raporteve personale.
4 vjet më parë kur zhvillohej gara në PD asnjë prej tyre nuk foli për statutin, rregullat e garës apo data base-n e PD. Por të gjithë sa më sipër janë sot bashkë jo se kanë ndonjë vlerësim apo “dashuri” për njëri tjetrin. Madje kush e njeh mirë PD e di që Topalli dhe Patozi kanë vetëm pak javë që komunikojnë pas shume vitesh moskomunikim.
Që urrejtja mes shokëve dhe miqve të familjes së Doktorit dhe Patozit apo Topallit ka qenë edhe pjesë e barsaletave që qarkullonin në PD. Që ata janë sot bashkë dikush mund të mendojë edhe që u dhimbset PD apo duan ta rimëkëmbin atë. Por po ta gjykosh pak më thellë nuk është tamam kështu.
Veç Patozit dhe Topallit asnjë nga emrat e grupit që i mbështesin nuk ka bërë opozitë këto 4 vjet. Madje edhe këta të dy mbështetën me rezerva çadrën e lirisë, të vetmin aksion serioz opozitar por nuk mund të thuash se u angazhuan në fushatë. Më skeptikët mendojnë se dhe punuan kundër e po të gjykosh traktet kundër që u vendosën në selinë e PD mund të mendosh pa frikë që niveli intelektual është në mos i mangët, qesharak.
Ky grup njerëzish që i bashkon kundërshtia me Lulzim Bashën kanë një gjuhë të ashpër me Kryetarin e ngrirë dhe ndikimin e familjes së tij. Po i keni dëgjuar ndonjëherë të përmendin publikisht familjen e ish-kryetarit? Sepse nëpër tavolina, sot e 12 vjet më parë ata ishin armiqtë që përmendeshin me zë të ulët.
A kanë folur deri më sot për mëkatet e qeverisjes se PD, për amnistinë e padrejtë që Lulzim Basha i bëri këto 4 vjet? Për mosfunksionimin e strukturave për shumë e shumë e vite në PD?
Jo, ata nuk flasin për këto sepse janë pjesë e shkatërrimit të demokracisë në PD, pjesë e vendimmarrjeve që e rrënuan çdo ditë e më shumë partinë. Dhe ky proces sigurisht që nuk ndodhi në 4 vjet.
Edhe pse për këto të fundit mban përgjegjësi kryesore Lulzim Basha, kryqëzimi i tij nuk është zgjidhje, as mënyrë për të hapur apo reformuar partinë. Sepse nëse ti kërkon “ta heqësh zvarrë nga zyra” Kryetarin e partisë asnjë njeri me dy pare mend nuk të vjen më në derë. Është në nderin e këtij grupi që tani që e “masakruan” Kryetarin e ngrirë të thonë dhe dy fjalë për ish-kryetarin, apo për burrin që sipas tyre ende tërheq fijet në PD.
Të kenë guximin, si dikur 4 vjet më parë, Sokol Olldashi e bëri i vetëm dhe pa rregulla loje, të dalin hapur dhe të pranojnë se beteja e vërtetë e tyre është ajo me Berishën. E në fund, para se të rendisin nene dhe rregullore partie, të pranojnë hapur se PD nuk ka qenë kurrë parti me struktura që funksionojnë rregullisht. Nuk ka ardhur asnjeherë në pushtet me kryetarë degësh apo seksionesh. Por ka qenë fitimtare vetëm kur fryma e saj opozitare ka thyer çdo pengesë të kundërshtarit në pushtet.
E për fat te keq, mllefet, inatet apo xhelozitë vetëm se e largojnë këtë frymë nga partia e vlerave të djathta. /Opinion.al