Nisma e Bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor, e iniciuar nga Gjermania rreth tre vjet më parë, më shumë se ekonomikisht apo në funksion të përmirësimit të infrastrukturës, u shërbeu drejtuesve të qeverive të vendeve të rajonit për konsum politik të brendshëm, për zgjedhjet e radhës, etj. I këtij mendimi është Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike. Në një intervistë për Albanian Daily News, Preçi shprehet se krijimi i një tregu të përbashkët të vendeve të rajonit tonë garanton arritjen e objektivave të vetë nismës, rritjen e stabilitetit në vendet e rajonit, si dhe i afron këto vende më shumë dhe më shpejt me BE-në. Kjo nuk është një ëndërr, por një mundësi që nuk duhet lënë të kalojë, thotë ai.
A vlerësoni se procesi i Ballkanit Perëndimor, si mjet për të lehtësuar ndryshimin e rajonit dhe përparimin e tij drejt anëtarësimit në BE, e konkretisht në këtë hapësirë kohe nga Berlini në Trieste ka pasur ndonjë rezultat?
Siç dihet, nisma e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka qenë prezantuar zyrtarisht nga përfaqësuesit e Komisionit Europian dhe vendeve mikpritëse të radhës (Austrisë dhe Francës) më 28 gusht të vitit 2014 në Berlin, prej nga mori edhe emrin si “Procesi i Berlinit”, është ndjekur nga konferencat vjetore të Vjenës (27 gusht 2015) e Parisit (4 korrik 2016) dhe takimi i parafundit do të mbahet këtë javë në Trieste. Nisma ishte parashikuar të zgjaste 4 vjet, d.m.th., përfundon ne vitin 2018.
Thelbi i kësaj nisme ka qenë dhe mbetet “mbajtja hapur” e derës së integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në të cilat bën pjesë edhe Shqipëria, d.m.th. ruajtja e ritmit integrues të këtyre vendeve, inkurajimi i dialogut politik për kapërcimin e problemeve dypalëshe, që i hapin rrugën një bashkëpunimi më intensiv ekonomik në nivel rajonal; ofrimi i një mbështetjeje financiare nisur nga nevojat e vendeve të veçanta, por që kanë theks rajonal si infrastruktura (energjia, transporti, etj.), por edhe mbështetje e vazhdimit të reformave që konsolidojnë demokracinë dhe ekonominë e tregut në këto vende, duke ju larguar sa më shumë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur konflikteve dhe prapambetjes së trashëguar.
Në këtë mënyrë, përmes proceseve reformuese në një dimension rajonal në rritje, nga ana e liderit të BE dhe Gjermanisë shpresohej se do të krijoheshin kushtet e nevojshme për rritjen e sigurisë dhe të stabilitetit rajonal, për krijimin e besimit reciprok dhe vendosjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, për modernizimin e qeverive, shoqërisë dhe ekonomisë në vendet e veçantë. Në tërësi ky proces u mbështet te vendosja e përparësisë së bashkëpunimit rajonal si një instrument që afron Ballkanin Perëndimor me BE-në jo thjesht dhe në mënyrë individuale të vendeve të veçantë, por nën konceptin e një tregu rajonal. D.m.th. intensifikimi i bashkëpunimit rajonal është konsideruar gjatë gjithë procesit si themeli i progresit të vendeve të veçantë drejt BE-së.
Në funksion të këtij qëllimi u ngritën edhe një numër organizmash koordinuese, me qëllim përfshirjen më të gjerë të qeverive të vendeve pjesëmarrëse, por edhe të faktorëve të tjerë siç është bota akademike, shoqëria civile, etj. Shqipëria u bë mikpritëse e dy organizmave të tilla koordinuese: Organizatës Rajonale të Rinisë dhe për Fondin e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa Serbia, për një numër arsyesh, duke përfshirë edhe pozicionin e saj gjeografik, po luan një rol të rëndësishëm në dimensionin e biznesit.
Parë në tërësi, rezultantja e pritshme e këtij procesi ishte përmirësimi i qeverisjes, d.m.th., rritja e mirëqeverisjes, si një mënyrë që ndihmon për një rritje ekonomike qëndrueshme.
Në funksion të zbatimit të nismës në fjalë ka qenë ndërtuar edhe një axhendë veprimesh në takimin e parë iniciues të kësaj nisme.
Në kuptimin e bilancit një vit përpara përfundimit të nismës, raporte të ndryshme flasin për rreth 50 nisma rajonale, shumica prej tyre vlerësohet se “kanë funksionuar në përputhje me objektivat përkatëse”, ndërsa në këndvështrimin financiar përmendet “mbështetja prej 50 milionë eurosh për projekte energjetike për vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Në vlerësimin tim, kjo nismë, përtej “vullnetit të mirë” të Gjermanisë dhe personalisht të znj. Merkel si një ndër liderët më të rëndësishëm të BE-së, krijoi edhe terrenin e favorshëm për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe ofroi gjithashtu burimet e nevojshme financiare për këtë qëllim. Por sa u përdorën këto mundësi në funksion të përshpejtimit të zhvillimit të ekonomive të veçanta pa humbur fillin ”rajonal”? Mendoj se më shumë se ekonomikisht apo në funksion të përmirësimit të infrastrukturës, kjo nismë ju shërbeu drejtuesve të qeverive të vendeve të rajonit për konsum politik të brendshëm, për zgjedhjet e radhës, etj., të cilat sipas meje flasin për dobësi të lidershipit të vendeve të veçantë, për rendje mbas fabulave patriotike të kapërcyera në kohë, herë-herë edhe groteske, por që nuk sjellin një vlerë të shtuar për 20 milionë qytetarët e rajonit. Në rastin e vendit tonë, nuk mund të mos përmend moszgjidhjen e problemit të linjës së transmetimit Shqipëri-Kosovë, një projekt që u ka kushtuar financave të dy shteteve rreth 70 milionë euro. Siç dihet, kjo është një çështje e komplikuar teknike dhe politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk po zgjidhet as me ndërhyrjen e institucioneve europiane rregullatorë të energjisë.
Por zgjidhja nuk është gjetur as nga takimet e shumta në numër dhe në formate të ndryshme midis kryeministrave të Shqipërisë dhe të Serbisë, përkatësisht z. Rama dhe Vuçiç, që sipas meje duhej të kishin prodhuar edhe një zgjidhje në këtë sektor. Po kështu, refuzimi publik që ish-Kryeministri i Kosovës Mustafa i bëri thirrjes së Komisionierit Hahn për të ecur përpara me tregun e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe interpretimi i këtij tregu si thirrje për rikrijimin e një perandorie të re jugosllave, dëshmojnë se liderët shqiptarë në ballafaqimet e shqiptarëve në rajon janë ende larg pritshmërive të qytetarëve të vendeve përkatëse. Madje, duhet thënë se qëndrime të tilla si ky i fundit të injorojnë edhe realitetin e shkëmbimeve tregtare midis vendeve të rajonit dhe zhvillimet sidomos të dy dekadave të fundit. Më shqip, është një tregues i njohur botërisht se pavarësisht avancimit në marrëveshjet e tregtisë së lirë (CEFTA, EFTA, etj), në fakt është vetëm “jugo-sfera” që funksion, gjë që do të thotë se heqja e barrierave për lëvizjen e lirë të kulturave, kapitaleve e mallrave mbetet mundësia e vetme reale për rritjen e fuqisë konkurruese të ekonomive të veçanta, për shtimin e prodhimit vendas dhe të eksporteve dhe mbi këtë bazë edhe për përafrimin hap pas hapi me BE-në.
Është koha që liderët politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhen më realistë për rreziqet e kësaj kohe dhe fenomene të tilla si rritja e ndikimit të oligarkisë dhe lobeve të biznesit në jetën politike e ekonomike të vendeve të veçantë jo vetëm frenon zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal, por edhe nxit pakësimin e konsumatorëve, largimin e qytetareve drejt vendeve të Perëndimit duke krijuar “fraktura” të pariparueshme në të ardhmen e vendeve të veçantë. E për fat të keq, qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë shumë për të bërë për të ngjallur shpresë e besim te qytetarët e tyre se këto vende janë të jetueshme dhe do të bëhen të tilla në të ardhmen e afërt.
Në të njëjtën kohë, mendoj se midis qeverive të vendeve të rajonit duhet bërë më shumë për të ndërtuar besim reciprok për një të ardhme të përbashkët Europiane. Kjo ndoshta edhe rruga që frenon disi edhe agresionin kulturor dhe përpjekjet për të rritur ndikimin e vet ekonomik të Turqisë së Erdoganit, por edhe të fuqive të tjera të mëdha të interesuara politikisht dhe ekonomikisht ne rajon që tentojnë ta kthejnë Ballkanin Perëndimor në “shtratin” e vet historik, si rajon problematik i Europës. Fakti që vendet e veçanta nuk ishin (dhe nuk janë ende) të afta të ndërtojnë projekte e programe të përbashkëta për të cilat BE dhe Gjermania ofruan mundësinë e financimet të tyre, dëshmon edhe për mungesë kapacitetesh dhe ekspertizë në qeveritë përkatëse, për trajtimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm si një mundësi promovimi të axhendave politike individuale të liderëve politikë, por të cilat nuk shkojnë gjithnjë në linjë me interesat imediate të qytetarëve të vendeve përkatëse.
Kështu në rastin e vendit tonë, do të ishte në interesin e ekonomisë sonë kombëtare, por edhe të rajonit e më gjerë, kryerja e investimeve në infrastrukturën rrugore Veri-Jug buze rivierës në shërbim të turizmit, por ky sektor i ekonomisë nuk mund të zhvillohet realisht nëse mbi të (dhe mbi gjithë qytetarët e përgjegjshëm të këtij vendi) qëndron si “shpata e Damokleut” kërcënimi për lejimin e importit të mbetjeve, plehrave apo lëndëve ricikluese, çfarëdo qofshin ato… E njëjta gjë mund të thuhet edhe për nevojën që të studiohet dhe të investohet në projekte ndërshtetërore që mundësojnë shfrytëzimin e burimeve hidrike për prodhimin e energjisë elektrike, të krijimit të lidhjeve midis shfrytëzimit të burimeve minerale të rëndësishme të Shqipërisë dhe Kosovës me industritë përpunuese që janë të vendosura në Serbi, Mal të Zi, etj. Me këtë dua të them, edhe në kohën e mbetur, “procesi i Berlinit” mund të prodhojë konsekuenca ekonomike e sociale të dëshirueshme dhe të kapshme për qytetarët e vendeve të rajonit, shumë më tepër se kronika televizive buzëqeshjesh standard dhe shtrëngime duarsh midis liderëve të rajonit, që sapo kthehen në vendet e veta, vazhdojnë të “qeverisin” njëlloj si më parë…
A ndihmon ky proces në zgjidhjen e problemeve politike në mes vendeve të rajonit,
Kapërcimi i problemeve politike të rajonit, mendoj se ka dy vija kufizuese që nuk duhen injoruar. Së pari, është fakti që dobësimi i BE-së gjatë dekadës së fundit nën efektin e krizës ekonomike globale dhe Brexit, problematika e krijuar me vendet e reja anëtare (të cilat për hir të së vërtetës nuk janë larg problematikës së vendeve të rajonit tonë), ka krijuar terren të favorshëm e për rritjen e arrogancës së liderëve politike, d.m.th. për dobësimin e vetë demokracisë në këto vende (p.sh., problemet me zgjedhjet e përgjithshme në Maqedoni e Kosovë), deri edhe kërcënimin për zhdukjen e saj (përpjekja e dështuar për grusht shteti në Mal të Zi), etj. Po kështu, edhe ndikimi politik dhe ekonomik i fuqive të huaja që aspirojnë për një prezencë më të madhe në rajon, e për rrjedhojë edhe për influencë mbi vetë BE-në është rritur, gjë që për shkak të madhësisë së vogël të tregut në Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimeve kundërthënëse në raportet midis fuqive të mëdha të kohës, nuk mund të mos ndikojnë, e në ndonjë rast edhe të kushtëzojnë, zhvillimet politike në vende të veçanta. Ndërsa vazhdimi i procesit të Berlinit, duke e konsideruar si një “proces i pambaruar” përveçse ekonomikisht që është shumë ë rëndësishme për një rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike e sociale mbas krizës, mendoj se i shërben edhe mbajtjes së qëndrimeve më realiste në raportet e vendeve të rajonit me BE-në, matjes dhe vlerësimit të progresit drejt anëtarësimit të tyre në këtë union, por edhe përcjelljes së sinjaleve më të drejtpërdrejta të liderëve europianë mbi zhvillimet ekonomike, sociale e politike në vendet e këtij rajoni.
Së fundi, sa i mundshëm është krijimi i një tregu të përbashkët të Ballkanit Perëndimor?
Mendoj se përgatitja e terrenit të nevojshëm institucional, fiskal, doganor, ekonomik, etj., për krijimin e një tregu të përbashkët të vendeve të rajonit tonë duhet të bëhet kryefjala e takimit të Triestes, i parë ky si hapi e parë serioz që garanton arritjen e objektivave të vetë nismës, rritjen e stabilitetit në vendet e rajonit, si dhe i afron këto vende më shumë dhe më shpejt me BE-në. Kjo nuk është një ëndërr, por një mundësi që nuk duhet lënë të kalojë. Janë të gjitha rrethanat që përmes një procesi të gjerë konsultues, të bashkëpunimit institucional të studiohen kostot dhe përfitimet e krijimit te këtij tregu, që më e pakta mundëson vendosjen e lidhjeve kooperuese midis burimeve të lëndëve të para dhe përpunimit te tyre, që optimizon kostot e prodhimit dhe mundëson një specializim më të ngushtë të vendeve të veçanta, që rrit fuqinë konkurruese të rajonit dhe e bën kështu gradualisht një partner të denjë dhe kandidate të BE-së, duke lënë në plan të dytë garën individualë të vendeve, apo edhe “marifetet” e presionet me “mundësinë e shqyrtimit te alternativave të tjera”, etj.