Kryeministri Edi Rama bëri publike levizjen e parë të mazhorancës pas shpalljes së fitores së zgjedhjeve të 25 korrikut. Gjithçka do ta nisë me një takim me deputetët dhe ata që nuk fituan dot një mandat në parlament. Rama zbulon se çfarë do të bëhet gjatë muajit korrik.
“Të hënën do të mblidhemi me deputetët e rinj dhe kandidatët për deputetë, pra me të gjithë skuadrën tonë të 25 qershorit, për nisjen e turit të dëgjesave në bazë të çdo qarku gjatë gjithë muajit korrik. Një aspekt i rëndësishëm i këtij turi dëgjesash, do të jetë mbledhja e të dhënave për punën e zyrave të administratës shtetërore. Për këtë qëllim do të përdoret edhe mbledhja e informacionit online nga njerëzit e zakonshëm, lidhur me zyrat e shërbimeve për publikun dhe punonjësit e drejtuesit e tyre. Në këtë fazë ky informacion do të mblidhet përmes kësaj faqeje, apo faqeve online të udhëheqësve tanë në çdo qark”- shkruan Rama në FB.
Kreu i qeverisë thotë se kur të krijohet një platformë e quajtur e Bashkëqeverisjes me njerëzit, SHQIPËRIA QË DUAM do të ketë një seksion i veçantë që do t’i shërbejë posaçërisht çdo qytetari; për të tërhequr vëmendjen e qeverisë për punën e zyrave të shtetit në çdo pikë të vendit apo vënë alarmin në qeveri, për raste konkrete të abuzimit me detyrën ose sjelljes së padenjë të nëpunësve të shtetit me njerëzit. Rama tregon se në fund të këtij turi do të ketë një draft të plotë.
“Pas këtij turi 30 ditor, të gjitha të dhënat e mbledhura për institucionet dhe zyrat e shtetit, do të analizohen imtësisht qark për qark. Mbi bazën e tyre do të përgatitet një raport ku do pasqyrohet cilësia e punës, niveli i shërbimit dhe reputacionit publik të çdo dege të administratës shtetërore e të çdo drejtuesi përkatës. Ky raport do të jetë në tryezën e Qeverisë së Re që në ditën e parë të punës, si një nga dokumentat bazë që do t’i shërbejnë operacionit të çuarjes së tepsisë për skrap” – shkruan Rama në FB.