Gjykata e Tiranës caktoi ditën e hënë masat e sigurisë “arrest me burg” për katër të akuzuarit që në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të kryejnë një vrasje me pagesë.
Bëhet fjalë për plagosjen e Mishel Prelës, me 20 korrik në afërsi të gjimnazit Partizani. Nga i tërë grupi i përbërë nga pesë persona, i vetmi që ka mbajtur pozita mohuese është Ervin Zallumi, që dyshohet si porositësi për vrasjen e Prelës.
Ndërsa personat e tjerë duke nisur që nga Shkëlzen Buci që kishte rolin e ekzekutorit dhe që kishte bërë pazarin me Zallumin dhe bashkëpunëtorët e tij kanë pranuar dhe shpjeguar gjithë mekanizmin për realizimin e vrasjes.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se Shkëlzeni, i ndodhur në vështirësi financiare pasi ai dhe familja kishim marre kredi për të shëruar të vëllanë që vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe që është ndarë nga jeta, pranoi propozimin e Ervin Zallumit për të ekzekutuar Mishel Prelën, i cili disa vite më parë e kishte plagosur Zallumin me thikë.
50 mijë euro pas vrasjes dhe 30 mijë të tjera deri në fund të vitit ishte pazari mes Zallumit dhe Bucit. Ndërsa Buci nga ana tjetër angazhoi Miklar Tolen dhe vëllain Ermirin si dhe Trim Hidrin për të ndjekur lëvizjet e Prelës si dhe për t’u larguar pas ekzekutimit.
Të gjitha këto jo vetëm që janë pranuar nga dëshmitë e të arrestuarve, por Buci, ka regjistruar edhe bisedën me porositësin Zallumi dhe telefonin e kishte fshehur në një pajisje ngrohëse në shtëpi dhe që tani është në duart e hetuesve.
Madje, për këtë ngjarje prej një jave kishte marrë dijeni edhe Shërbimi Informativ Shtetëror, pasi të implikuarit kanë qenë të shkujdesur dhe komunikuar shpesh në celulare.
Edhe zbardhja e shpejte e këtij grupi ka ardhur pasi mjeti me të cilin duhej të largoheshin u la në vendngjarje./ Top Channel