Home KRYESORE Turqi, fillon gjyqi ndaj 17 gazetarëve të arrestuar

Turqi, fillon gjyqi ndaj 17 gazetarëve të arrestuar

Shtatëmbëdhjetë gazetarë dhe drejtues të gazetës opozitare “Republika” do të gjykohen sot nga gjykata turke për mbështetje ndaj organizatave terroriste dhe shpifje.

Në rast se gazetarët shpallen fajtorë ata rrezikojnë deri në 43 vite burg. Dhjetë prej tyre kanë qëndruar për më shumë se 9 muaj në paraburgim.

Arrestimet e gazetarëve, të cilët u shoqëruan dhe me mbylljen e dhjetëra medieve opozitare, ndodhën pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik 2016. Sipas dekreteve të qeverisë për shkarkimin dhe arrestimin e gazetarëve, ata akuzohen se kanë bashkëpunuar me organizatën e klerikut Fetullah Gylen, i cili akuzohet si organizatori i grushtit të shtetit.

Në total, numri i medieve e gazetave të mbyllura me dekret nga presidenti që prej korrikut shkon më shumë se 160, ndërsa numri i gazetarëve të arrestuar shkon më shumë se 150, shumica e të cilëve akuzohen për terrorizëm ose bashkëpunim me organizatat terroriste.

Turqia aktualisht renditet si vendi me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur. Por qeveria turke shprehet kundër këtyre shifrave. Në një intervistë për BBC një muaj më parë, Presidenti Erdogan tha se në vend kishte vetëm dy gazetarë të burgosur.

“Të tjerët janë ose terroristë, mbanin armë pa lejë, ose vidhnin bankomatët,” u shpreh ai.

Vendosja e “gjendjes së jashtëzakonshme pa afat” në Turqi, i lejon Presidentit Erdogan dhe kabinetit të tij të nxjerrin dekrete gjithëpërfshirëse pa nevojën e votimit në parlament apo rishikimit nga gjykata kushtetuese, duke i dhënë atij dorë të lirë në vendimmarrje.

Deri më tani, dekretet i kanë lejuar presidentit turk: të burgosë më shumë se 40 mijë njerëz të akuzuar për organizimin e grushtit të shtetit, shkarkimin nga detyra e më shumë se 140 mijë nëpunësve në administratë dhe shkrirjen e rreth 1,500 grupeve civile./exit

Share: