Shqipëria nuk është askund në projektet dhjetëra-milionëshe që morën financim në Samitin e Triestes. Deklaratat triumfuese të Edi Ramës pas samitit, fatkeqësisht, kanë qenë një tjetër lojë mediatike për të fshehur dështimin.
Përfundimet e Samitit të Triestes, që tashmë janë publikuar zyrtarisht e rrëzojnë kryeministrin tonë që thoshte se “jemi të parët” në projekte. Asnjë nga shtatë projektet e miratuara për fazën 2016-2017, si pjesë e asaj që quhet Axhenda e Ndërlidhshmërisë, nuk lidhet me vendin tonë.
Nuk e prek Shqipërinë, projekti i gazit mes Serbisë dhe Bullgarisë. Nuk e prek as Korridori Mesdhetar që lidh Bosnjën me Kroacinë, as investimet në Korridorin e Pestë, as hekurudha që lidh Maqedoninë me Bullgarinë dhe as ajo që lidh Serbinë me Bullgarinë.
Edi Rama shkoi duarbosh në Samit dhe u kthye po duarbosh. Njësoj siç paralajmëroi ambasadori italian në Shqipëri.
Është e qartë nga grafiku se Serbia dhe Bosnjë Hercegovina janë përfituesit më të mëdhenj nga projektet dhjetëra-milionëshe të miratuara në Trieste. Projektet e financuara për vitin 2016-2017 mund t’i gjeni të detajuarakëtu.
Dështimi është kaq i qartë, saqë deklaratat e Edi Ramës dhe vartëses së tij, Majlinda Dhuka për sukesesin në Trieste, sot tingëllon shokuese. Guximi me të cilin gënjen kryeministri Edi Rama. Detyrimi që kanë vartësit e tij për të gënjyer, është tronditës.
Majlinda Dhuka, Drejtore e Departamentit i Zhvillimit dhe Ndihmës së Huaj deklaroi tekstualisht se:
“Shqipëria fitoi mbështetje për 4 projekte, për përgatitjen e tyre, të cilat unë do t’i përmend shkurtimisht, si dhe një projekt rajonal, pra, 5 projekte, e ndjekur nga vendi i dytë me dy projekte. 5 projektet, të cilat morën mbështetje nga instrumenti i investimit të Ballkanin Perëndimor për Shqipërinë për t’u përgatitur janë:
Rindërtimi i kalatave 1 dhe 2 në portin e Durrësit;
Ndërtimi i by-pass-it të Lezhës;
Mbështetje për zhvillimin e hidrocentralit të Skavicës, një nga veprat më të mëdha energjetike të vendit dhe të Ballkanit Perëndimor;
Zhvillimi i sipërmarrjeve dhe turizmit ndërkufitar në Liqenin e Shkodrës dhe infrastruktura e biznesit;
Projekti rajonal i sektorit energjetik për linjën e transmetimit me OST;
Siç e shpjegova, Shqipëria u rendit në këtë thirrje në vendin e parë, me 4 projekte, ose rreth 3.33 milion euro, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e dytë me dy projekte, e kështu me radhë vendet e tjera”
Projektet që përmend drejtoresha e kryeministrisë nuk rezultojnë askund në përfundimet e Samitit.
Paaftësia e administratës shqiptare për të thithur para nga Bashkimi Europian nuk mund të fshihet pas atleteve të bardha të Triestes. Shpresa e fundit është që në takimin e radhës në Londër, Edi Rama t’i ketë zgjidhur dilemat për veshjen dhe të mendojë më shumë për paratë që mund të marrë nga Bashkimi Europian./Lapsi.al