Home I pakategorizuar 360grade.al: Opozitë një apo dypolare përballë Ramës?

360grade.al: Opozitë një apo dypolare përballë Ramës?

Shtatori është pranë. Rama po përgatitet të prezantojë qeverinë e re, që padyshim do të ketë surpriza dhe që pritet të hasi dhe në debatin normal publik. Ndërkohë, që lind pyetja se si do të rreshtohet opozita, do të kemi dy pole opozitare apo një opozitë të bashkuar?

Momentalisht, kemi dy opozita, të ndara në llogore thellësisht të ndryshme.

Partia Demokratike me në krye Lulzim Bashën, që pas tre muajve në çadër, celebroi në natën e 17 majit “martesën” dritëshkurtër me Ramën, e cila dështoi shumë shpejt.

Nga krahu tjetër është Lëvizja Socialiste për Integrim, që në krye ka një figurë karizmatike, Monika Kryemadhin. LSI vjen pas katër viteve bashkëqeverisje me Ramën, ku në dy vitet e fundit më shumë se “dashuri” mes dy palëve, kishte urrejtje dhe kjo u shfaq edhe më shumë, kur Kreu i Qeverisë, Edi Rama shkeli (marrëveshja me Bashën për të eliminuar koalicionet parazgjedhore) totalisht atë që deklaronte që prej ditës së parë që nënshkroi marrëveshjen me Metën: “Kjo nuk është një aleancë numrash, por është një aleancë strategjike e bazuar mbi parimet e një Shqipërie Europiane…”.

Pra, në shtator nuk do të kemi më, një pushtet me dy bashkëkryetarë, por një pushtet të drejtuar ekskluzivisht nga Edi Rama dhe një opozitë me dy pole, PD dhe LSI, të cilat duhet të vendosin sa më shpejt, nëse do të luftojnë në llogore të ndara qeverinë apo do të jenë të bashkuara.

Ndasia, do të ishte një zgjidhje ideale për Kryeministrin Edi Rama, që përmes praktikës së njohur përça e sundo, do ta kishte edhe më të lehtë të mendonte për mandatin e tretë të tij qeverisës. Ndërkohë, një bashkim i opozitës do t’ja vështirësonte jetën kryeministrit.

Por, nëse ka vullnetin të bashkëpunojë duhet të kapërcejë dy sfida kryesore. LSI, duhet të lërë menjëanë mërinë me Bashën, lidhur me marrëveshjen parazgjedhorë të këtij të fundit me Ramën dhe të rigjejë besimin me kreun e PD.

Ndërsa Bashës i lind sfida të provojë se marrëveshja me Ramën është varrosur me të vërtetë dhe jo për fasadë dhe se opozita që ai ka në axhendë të ndërtojë, bazohet vërtet në interesin e qytetarit dhe jo etjes për pushtet, pasi vetëm kështu do t’i hapte vërtet rrugë bashkimit opozitarë në kuvend dhe jashtë saj./360grade.al

Share: