Home KRYESORE 4 vjet Kryeministër për të mësuar fjalët!

4 vjet Kryeministër për të mësuar fjalët!

Nga Arian Galdini

4 vjet më parë e priste shtatorin me gëzimin dhe ankthin e fitimtarit që ende nuk i besohej se gjithë sa kishte kërkuar po i bëhej realitet.
Nuk shqetësohej e as bezdisej fare se për të mbërritur në zyrën Kryeministrore i duhej të ndante gjithçka pothuajse përgjysëm me bashkëkryetarin tjetër.

As që i hynin fare në sy, copëzat e parcelat e pushtetit që duhej të ndante me këdo që i bashkangjitej shumicës së tij XL (extralarge).
Fakti që ai do të ishte në atë zyrë e bënte që ta shihte gjithë përrethninë e tij me dashuri e fanatizëm prej personazhi absurd si në dramat e Joneskos apo të Samuel Beketit. Dashuronte ata që mbronte, mbronte ata që urrente dhe urrente ata që e donin.

Asokohe nuk quhej as tepsi e as timon, asgjë, askund në artin dhe mendimin e tij të qeverisjes.

Kishte vetëm bashkëkryetarësi, herë vetëm me Metën, e herë të tjera edhe me Ilir Metën edhe me Shpëtim Idrizin.

Kishte aleancë strategjike dhe aleatë të tjerë. Gjuha dhe mendimi politik i skalitur në të e prej tij njihnin interesin e qeverisjes për mbi çdo interes tjetër.

Ai e ndau aq shumë pushtetin sa u duk se krijoi një zyrë Kryetari megabashkie në Selinë e Kryeministrisë, e ndihej po aq i lumtur sa në kohët kur Meta dhe Nano e kishin sanduiçizuar si Kryebashkiak të Tiranës.

Mezi priste të çlirohej nga fetat e panines që e mbante në mes.

Kështu që për 4 vjet resht, nuk bëri gjë tjetër veçse mësoi gjuhën e antisanduiçit.

Pranoi e ç’nuk pranoi, bëri e ç’nuk bëri për të rezistuar 4 vjet në krye të Qeverisë, vetëm e vetëm që të mësonte një gjuhë të huaj, gjuhën antisanduiç.

As qeverisi, as shpenzoi as një të dhjetën e kohës për punët e shtetit, sa shpenzonte për organizimin e ekspozitave të tij të pikturës nëpër botë.

Bëri vetëm sanduiçin e përsosur, duke shpallur si aktin e tij më të madh qeveritar, Rilindjen Urbane të bashkive.

Asgje tjetër. Kudo e në çdo gjë tjetër ka vetëm aksione televizive të cilat kanë përfunduar si dështime represive.

Sidoqoftë, nuk u shqetesua aspak për asnjë hop nga e gjithë kjo marrëzi madhore.
Ai nuk e di ose edhe nëse e di, nuk pyet fare që qeverisja është çështje tejet serioze e që ndikon drejtpërdrejtë në jetët e njerëzve.

Ai ka qenë gjithmonë vetëm një sanduiç politik dhe kujton se qeverisja është trill, realizim e përkufizim ambicjesh dhe historie personale të një njeriu…

I duroi të tëra e i kaurdisi gjithë marifetet e mundshme për të fituar kohën e plotë për të mësuar gjuhën.

Fillimish përdori gramtikën koniciane të përshkrimit e kuptimit të sendeve.

Paradoksalisht, kur mendoi se koha i doli për ta mësuar gjuhën, bëri një kurs të përshpejtuar Trumpizmi, edhe pse e kishte quajtur dikur Kandidatin për President, e sot Presidentin e SHBA, si turpin e civilizimit.

Sprovën e parë të gjuhës së re e beri në 17-18 maj, kur marrëveshjen me Lulzim Bashën e pagëzoi si Big Mac.

Njeriu sanduic politik, për herë të parë në jetën e tij ndryshoi gjuhë dhe menu e u bë ofrues, jo durues.

Suksesi që ndjeu se i vërshoi me gjuhën e sjelljen e re, ia përforcoi kurajon që fushatën elektorale ta vendoste plotësisht nën këtë rregjim gjuhe.

Konicianizmi i përzier me Trumpizëm të Erdoganizuar, funksionoi si një gjetje ekselente për ta shituar antisanduiçizmin për antisistem.
Kur Edi Rama ia nisi të fliste për tepsi e timon, askush nuk e kuptoi se ai tashmë ishte bërë zotëruesi i gjuhës së re.

Përkthimet që stafi i Lulzim Bashës u bënte fjalimeve të Presidentit Trump, ndonëse të shoqëruara me foton e tij me Donaldin e madh, dukeshin si panegjerizma sipërfaqësore, krahasuar me gjuhën origjinale antisanduiç të Edi Ramës.

Populli e hëngri të plotë gjuhën e Kryeministrit dhe ia dha mandatin e timonierit të vetmuar, duke besuar se Edi Rama po kërkonte e po synon të çlirojë qytetarët, ndërkohë që e vërteta është se ai donte e ka si objektiv vetëm të çlirojë veten e tij nga të qenurit sanduiç.
Ndaj kurrkush të mos habitet me gjuhën e Kryeministrit, pas zgjedhjeve.

Njeriu sanduiç politik që flet për tepsi e timon, ia ka dalë mbanë ti flasë shoqërisë në gjuhën e re për mësimin e së cilës ai përdori 4 vjet si Kryeministër, duke u paguar e harlisur me paratë e pushtetet tona.

Ne qytetarët shqiptarë jemi aq të duruar, sa i japim kohë një njeriu të na qeverisë 4 vjet vetëm për të mësuar një gjuhë të re.
Tani ai do ti përdori 4 vitet e ardhshme, për të na e mësuar neve këtë gjuhën e re.
E nese ne e mësojmë, ai në zgjedhjet e ardhshme, do të vijë me një marifet të ri.

Në 2013 fitoi me Fajin e ka Saliu. Në vitin 2017 fitoi me Fajin e ka Tepsia.

Në 2021, askush nuk do ta pengojë të na thotë se fajin e kemi ne që nuk dimë ta mësojmë shpejt gjuhën e Kryeministrit.

Kur u thote ish-aleatëve shushunja e tepsixhinj, kur u thotë drejtorëve batakçinj, e kur u thotë diplomatëve delenxhinj, Edi Rama, nuk gabon.

Ai po bëhet mësuesi ynë për këtë gjuhë të re.
Ne do ta hamë sapunin për djath, e antisanduiçizmin për antisistem, sepse do gëzohemi e do themi: Mirë ua bën atyre gjakpirësve të popullit.

Ai e di që ne I urrejmë drejtorët dhe këdo që ka një zyrë, një firmë e një vulë.

Do të na i hedhë neve , si ushqim për zemëratat dhe lëngatat tona, e në këmbim do fitojë lirinë e tij.

Po e bën që të rrisë fuqinë e pushtetit të tij, jo lirinë tonë.

Sa më parë ta kuptojmë ne se gjuha antisanduiç, nuk është fare gjuhë antisistem, aq më mirë do jetë për ne.

Përndryshe, ai do të na bëjë të gjithëve menu për orekset e tij.

 

Arian Galdini

Tiranë më, 25 gusht 2017

Share: