Nga Dr. Enriko Ceko *
Ditët e fundit, për shkak të takimit të Kryeministrit Z. Edi Rama me drejtuesit e shërbimit diplomatik shqiptar, ku me nota të ashpra, u fol për gjendjen skandaloze të këtij shërbimi, ka lindur edhe debati nëse mund të shkarkohen nga puna ambasadorët dhe punonjësit e tjerë të shërbimit të jashtëm apo jo.
Shërbimi diplomatik është një trupë e diplomatëve dhe punonjësve të tjerë të një vendi që komunikojnë me qeveritë e vendeve të tjera. Shërbimet diplomatike janë pjesë e shërbimit civil.
Në Republikën e Shqipërisë punonjësit e shërbimit diplomatik në punën e tyre i nënshtrohen Ligjit Nr. 152/2013 Për nënpunësin civil (Ndryshuar me Ligjin nr, 178/2014, datë 18.12.2014) dhe Ligjit Nr. 23/2015 Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë.
Në Ligjin Nr. 152/2013 Për nënpuënsin civil (Ndryshuar me Ligjin nr, 178/2014, datë 18.12.2014), Kreu II – Administrimi i shërbimit civil, Neni 5 – Parimet e administrimit të shërbimit civil thuhet se “Administrimi i shërbimit civil udhëhiqet nga ligji dhe bazohet në parimin e shanseve të barabarta, mosdiskriminimit, meritës, transparencës, profesionalizmit dhe paanësisë politike, si dhe garanton qëndrueshmërinë në detyrë të nëpunësit civil dhe vazhdimësinë e shërbimit civil.” Në lidhje me këtë nen të këtij ligji të gjithë ne e dimë fare mirë se parimi i shanseve të barabarta apo edhe parimet e meritës, transparencës, profesionalizimit dhe paanësisë politike nuk janë zbatuar në shërbimin civil, përfshirë edhe shërbimin diplomatik shqiptar.”
Gjithashtu, po në këtë ligj, Kreu IV – Pranimi në shërbimin civil, Seksioni 1 – Dispozita të përgjithshme për pranimin në shërbimin civil, Neni 20 – Parimet e pranimit në shërbimin civil thuhet se “pranimi në shërbimin civil bazohet nëpërmjet një procesi përzgjedhës transparent e të drejtë dhe se procesi përzgjedhës bazohet në vlerësimin e aftësive profesionale të kandidatëve nëpërmjet një konkurrimi kombëtar, që përfshin një testim të shkruar, një testim me gojë dhe çdo formë tjetër të përshtatshme të verifikimit të aftësive, si dhe vlerësimin e aftësive profesionale të kandidatit”, ne të tërë e dimë fare mirë se ky process nuk është realizuar në mënyrë të qartë dhe sipas procedurave transparente, por me ndërhyrje dhe nepotizëm.
Në këtë ligj janë parashkruar “procedurat e pranimit në shërbimin civil, emërimin në shërbimin civil, periudhën e provës, lëvizja paralele, plotësimi i vendeve të lira në kategorinë e ulët apo të mesme drejtuese, pranimi i nëpunësve civilë të kategorisë së lartë drejtuese, etj” dhe po në këtë ligj jepen edhe detyrimet e nëpunësit civil që janë: “detyrimi i respektimit të ligjit dhe formimit profesional, detyrimi i përgjegjshmërisë dhe refuzimit të urdhrave të paligjshëm, detyrimi i transparencës dhe konfidencialitetit, detyrimi i miradministrimit të pronës shtetërore dhe kohës së punës, konflikti i interest, detyrimi i deklarimit të interesave dhe pasurisë, etj.” Sa më lart dihet fare mirë se si merren në punë punonjësit e shërbimit civil dhe ata të shërbimit diplomatik dhe faktet se shumica e tyre nuk kanë formim professional të fushës së diplomacisë,kanë treguar raste të shumta papërgjegjëshmërie në punën e tyre, kanë zbatuar çdo lloj udhëri që u është dhënë edhe kur këto kanë qenë të paligjshme, nuk kanë deklaruar pasurinë e tyre dhe nuk kanë treguar asnjë rast transparencë (për aq sa u lejohet) për punën e tyre.
Në Ligjin Nr. 23/2015 Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Neni 1 – Qëllimi, përcaktohet se ky ligj parashkruan “bazën ligjore të rregullimit të veprimtarisë së Shërbimit të Jashtëm, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe aktet e tjera ndërkombëtare” dhe në Nenin 2 – Objekti, përcaktohet se: “Objekt i këtij ligji janë: a) funksionet dhe mënyra e organizimit të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë; b) procedura e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, funksionimit të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore; c) kriteret e posaçme të pranimit në Shërbimin e Jashtëm; ç) procedurat e emërimit të kreut të misionit diplomatik, postit konsullor dhe personelit të tyre; d) statusi i diplomatit dhe sistemi i karrierës diplomatike; dh) pozita juridike, ekonomike dhe sociale e anëtarëve të familjes së diplomatit.”
Në Nenin 4 – Parimet e Shërbimit të Jashtëm theksohet se “Shërbimi i Jashtëm është pjesë përbërëse e Shërbimit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe vepron në bazë të parimeve të profesionalizmit, integritetit, paanësisë politike, transparencës, shërbimit ndaj publikut, vazhdimësisë së karrierës, përgjegjësisë, si dhe korrektësisë në zbatimin e legjislacionit,” parime që është e dukshme se nuk zbatohen.
Në Nenin 6 – Funksionet e Shërbimit të Jashtëm thesohet se “Shërbimi i Jashtëm realizon politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë në raport me shtetet e tjera, organizatat ndërkombëtare, si dhe subjektet e tjera të së drejtës ndërkombëtare, në bazë të Kushtetutës, marrëveshjeve ndërkombëtare, dokumenteve strategjike të Republikës së Shqipërisë, akteve ligjore dhe nënligjore, si dhe në përputhje me programin e qeverisë. Shërbimi i Jashtëm, nëpërmjet veprimtarisë së tij: a) shpreh dhe mbron interesat kombëtarë të Republikës së Shqipërisë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare; b) nxit bashkëpunimin e Republikës së Shqipërisë me shtetet e tjera, organizatat ndërkombëtare, si dhe subjekte të tjera të së drejtës ndërkombëtare; c) zhvillon marrëdhënie politike, ekonomike, sociale dhe kulturore me vende të tjera; ç) mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve shqiptarë, si dhe të drejtat kombëtare të popullsisë shqiptare që jeton jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë; d) bashkërendon veprimtarinë me jashtë të institucioneve qendrore dhe vendore; dh) nxit dhe realizon plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga aktet ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.” Në fakt në mjaft raste diplomatët shqiptarë kanë treguar se kanë vepruar në kundërshtim me interest tona kombëtare dhe nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për zhvillimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, sociale dhe kulturore me vendet e tjera dhe nuk mbrojnë të drejtat e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut.
Në Nenin 27 – Përzgjedhja e kreut të misionit diplomatik thuhet se “Kreu i misionit diplomatik përzgjidhet ndërmjet diplomatëve të karrierës me gradë të lartë, jo më pak se këshilltar, kreu i misionit diplomatik mund të përzgjidhet dhe një person, i cili plotëson kushtet për rekrutim të parashikuara në këtë ligj, të ketë të paktën 10 vjet përvojë në fushën e politikës së jashtme, marrëdhënieve ndërkombëtare, marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare ose të së drejtës ndërkombëtare, ndër të cilat tre vjet në pozicione drejtuese, të zotërojë gjuhën angleze dhe një gjuhë tjetër të huaj, etj dhe se kandidaturat për kreun e misionit diplomatik dhe postit konsullor, shqyrtohen nga një komision i posaçëm, i cili i propozon Ministrit të Punëve të Jashtme kandidaturën më të përshtatshme. Në fakt procedurat përkatëse dhe kushtet për kreun e misionit diplomatic në përgjithësi janë shkelurme të dyja këmbët.
Në Nenin 30 – Kreu i postit konsullor thuhet se “Posti konsullor drejtohet nga konsulli i përgjithshëm, konsulli, zëvendëskonsulli ose agjenti konsullor. Konsulli i përgjithshëm emërohet dhe lirohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e Ministrit të Punëve të Jashtme, etj. Pra, Kryeministri ka të drejtë të emërojë dhe lirojë kreun e postit konsullor, çështje për të cilën ditët e fundit pati edhe një debat të madh public, ku edhe një nga ish ministrant e punëve të jashtëme të Shqipërisë tha se Kryeministri nuk e paska këtë të drejtë.
Në Nenin 35 – Kërkesat për pranimin në Shërbimin e Jashtëm thuhet se “në Shërbimin e Jashtëm pranohen personat, të cilët plotësojnë kërkesat e përgjithshme të pranimit në shërbimin civil, si dhe kërkesat e posaçme si më poshtë: a) të mos bëjnë pjesë në asnjë parti apo shoqatë politike; b) të mos kenë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit” dhe në Nenin 36 – Pranimi në Shërbimin e Jashtëm thuhet se “Pranimi në Shërbimin e Jashtëm bëhet nëpërmjet konkurrimit të hapur, në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin e shërbimit civil dhe këtë ligj, kandidati, gjatë periudhës së provës, përveç kryerjes së ciklit të detyrueshëm të trajnimit, sipas përcaktimit të ligjit për nëpunësit civilë, trajnohet në të gjitha strukturat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në përfundim të periudhës së provës, kandidati i nënshtrohet testimit të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, rezultati i të cilit përcakton pranimin ose mospranimin e tij në sistemin e karrierës diplomatike, si dhe strukturën e Shërbimit të Jashtëm ku ai punësohet, etj.” Për qytetarët e këtij vendi është mëse e qartë se neni 35 ka gjetur zbatim vetëm me raste dhe se pranimi në Shërbimin e Jashtëm është bërë me nepotizëm, duke marrë në këtë shërbim fëmijët, nipat e mbesat, dhëndrat e vajzave e nuset e djemve të ministrave e deputetëve dhe në disa raste edhe fëmijë të biznesmenëve të fuqishëm, pa respektuar kriteret dhe procedurat përkatëse.
Në Nenin 37 – Transferimi, lëvizja paralele, ngritja në detyrë përcaktohen qartë këto procedura, që në fakt janë shkelur me të dyja këmbët nga ata që kanë për detyrë t’ zbatojnë ato.
Në Nenin 51 – Detyrimet thuhet se “Përveç detyrimeve të parashikuara nga ligji për nëpunësin civil, diplomati i karrierës ka detyrimet e mëposhtme: a) të mbrojë interesat e shtetit dhe të shtetasve ose personave juridikë shqiptarë në shtetin ose organizatën ku është akredituar dhe kryen funksionet e tij; b) të ushtrojë me ndershmëri dhe korrektësi funksionet dhe detyrat e ngarkuara, në përputhje me Kushtetutën, aktet ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, këtë ligj, si dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore; c) të mbajë përgjegjësi të plotë për ligjshmërinë e veprimeve gjatë kryerjes së detyrës dhe, kur nuk është i bindur për ligjshmërinë e urdhrave dhe të vendimeve që zbaton, të njoftojë nivelet urdhërdhënëse dhe nivelet eprore të këtyre të fundit; ç) të mos bëjë pjesë në asnjë parti, organizatë ose shoqatë politike dhe të mos marrë pjesë në veprimtaritë e organizuara prej tyre; d) të mbajë, në të gjitha rrethanat, një qëndrim moral të denjë dhe të paqortueshëm; dh) të mos bëjë deklarime publike që bien ndesh me politikën e jashtme të shtetit shqiptar; e) të respektojë ligjet e shtetit ku është akredituar dhe të mos përfshihet në veprimtari, të cilat mund të vlerësohen si ndërhyrje në punët e brendshme të këtij shteti; ë) të ushtrojë veprimtarinë e tij në vendin ku është akredituar, në përputhje me imunitetet dhe privilegjet që gëzon si anëtar i trupit diplomatik; f) të mos ushtrojë në shtetin ku është akredituar veprimtari tregtare ose çdo veprimtari tjetër fitimprurëse për llogari të tij, familjarëve të tij ose personave të tretë; g) të zbatojë rregullat për informacionin e klasifikuar edhe pas largimit nga Shërbimi i Jashtëm, si dhe të sigurojë ruajtjen e të dhënave dhe të informacioneve që i janë besuar. Në fakt pothuajse të tëra këto detyrime nuk plotësohen ose plotësohen me mangësi nga pothuajse të tërë punonjësit e shërbimit të jashtëm shqiptar.
Nga përvoja ime personale me punonjësit e shërbimit të jashtëm shqiptar kam nxjerrë përfundimin se shumica e tyrë janë dallkakukë, që as që e kanë idenë e interesave kombëtare, por janë mjeshtra të interesave të xhepit të tyre dhe të atyre që i kanë punësuar. Shumica e të punësuarve në shërbimin e jashtëm shqiptar janë të paaftë, të paedukatë, të pashkolluar, injorantë, të korruptuar dhe nepotikë. Mjafton që të përmend faktin se kur një specialist i diplomacisë shqiptare u emërua zëvendësambasador në një vend shumë të rëndësishëm të BE-se eprorët i thanë: “shko dhe merr rrogën e rregullo familjen se të tëra punët atje i bën ambasadori, të cilin në asnjë mënyrë nuk duhet që t’a kundërshtosh.”
Apo edhe faktin se një djalosh tip muzikanti u caktua sekretar i dytë në një ambasadë të Shqipërisë në një vend shumë të rëndësishëm vetëm për faktin se u martua me një vajzë të një prej figurave më eminente të politikës shqiptare. Fakte të tjera ka me shumicë, por këto të dy mjaftojnë që t’i kujtojmë atyre që qeverisin se ambasadorët, konsujt dhe të tërë punonjësit e shërbimit diplomatik janë anëtarë të shërbimit civil dhe mund dhe duhet të largohen nga puna sa herë që shkelin ligjin dhe sa herë që punojnë në dëm të interesave kombëtare dhe kur shprehin paaftësi në detyrë.
Gjendja e shërbimit diplomatik e konsullor shqiptar është për të ardhur keq. Korrupsioni, nepotizmi, paaftësia dhe injoranca jënë ulur këmbëkryq në Ministrinë e Punëve të Jashtëme prej më shumë se 25 vitesh.
Ambasadat shqiptare në botë kanë bërë punë të mangët apo nuk kanë bërë asnjë farë pune për thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri dhe në sjelljen e biznesve të huaja në vend. Ka pak ose nuk ka aspak veprimtari ekonomike, kulturore sportive, etj të përbashkëta me vendet e tjera që të jenë nxitur dhe kuruar nga ambasadat e Shqipërisë në botë. Imazhi i Shqipërisë në botë është mjaft i dëmtuar dhe nuk ka përpjekje të mjaftueshme për të bashkëpunuar me faktorin shqiptar në botë. Vetëm në disa raste sporadike figura të shquara shqiptare dhe me origjinë shqiptare në botë është bërë e mundur të vijnë në Shqpëri nëpërmjet shërbimit diplomatik dhe konsullor shqiptar në veprimtari të ndryshme të rëndësishme me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar.
Figurat e shquara shqiptare të fushave të ndryshme e kanë shumë të vështirë të vendosin kontakte me agjenci, institucione, subjekte publike e private të huaja sepse nuk gjejnë mbështetje nga shërbimi diplomatik e konsullor shqiptar në vendet ku ky shërbim thuhet se ekziston. Qytetarët shqiptarë që përballen me problem e situata të ndryshme të pakëndshme e të paparashikuara jashtë shtetit nuk gjejnë mbështetje dhe nuk u jepet zgjidhje për problemet e tyre, kur paraqiten për ndihmë në ambasadat e Shqipërisë në vendet ku ata gjenden. Të huajt që duan të bashkëpunojnë me Shqipërinë në aspektet ekonomike, sociale, shkencore, kulturore, sportive, etj e kanë shumë të vështirë të realizojnë dëshirën dhe objektivat e tyre dhe kjo sepse kur paraqiten në ambasadat e Shqipërisë në botë atyre u shikohen xhepat se mos del ndonjë gjë e mirë nga ato dhe nuk u jepet drejtim e zgjidhje.
Pra, punonjësit e shërbimit të jashtëm shqiptar, përfshirë këtu edhe ambasadorët, jo vetëm që duhet të shkarkohen nga puna dhe të përjashtohen ga ky shërbim, por kur ka shkelje të ligjit, duhet të përballen me të pa asnjë mëdyshje, duke marrë në konsideratë edhe dyshimin se një pjesë e punonjësve të shërbimi të jashtëm shqiptar mund të jenë vënë në shërbim të agjenturave të huaja që punojnë në dëm të interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
*Ish –Oficer tregtar i Ambasadës Britanike në Tiranë